Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

7 Nëntor, 2016

Prishtinë, 7 nëntor 2016

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa,  ka zhvilluar mbledhjen e 114-të të rregullt, në të cilën ka miratuar Koncept-dokumentin për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës dhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Koncept dokumenti për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës hap mundësinë për fillimin e hartimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, që ka për objektiv përmirësimi rregullimin ligjor të shërbimeve që ofron ky institucion, nxjerrjen e udhëzimeve administrative të cilat synim parësor kanë krijimin e të hyrave buxhetore për shërbimet e ofruara.

Duke plotësuar bazën ligjore, do të plotësohet boshllëku ligjor dhe do të fuqizohet korniza institucionale në përmirësimin e kërkimeve, hulumtimeve shkencore gjeologjike, në shërbim në rend të parë për institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe të investitorëve.

Kabineti qeveritar ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme për ndarjen e mjeteve financiare për shlyerjen e obligimeve ndaj kompanisë “Patton Boggs” sipas kontratës Shërbime Lobimi dhe Konsulence.

Në fund të mbledhjes, kryeministri Mustafa ka shprehur dhimbjen dhe hidhërimin e Qeverisë për vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit.

“Shpreh ngushëllimet e mia dhe të Qeverisë për familjen dhe po ashtu  kërkoj që institucionet e Republikës së Kosovës t’i bëjnë të gjitha veprimet e pavarura, në mënyrë që të konstatohen rrethanat, në të cilat ajo ka ndodhë dhe në të gjitha këto të kemi të kyçur edhe ekspertë vendor dhe ekspertë ndërkombëtar, të cilët i kemi edhe këtu, në mënyrë që konstatimet dhe të gjeturat të jenë krejtësisht të pavarura dhe të jenë transparente për publikun” tha kryeministri Mustafa.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka bërë të ditur procedurat e ndërmarra nga institucionet, në mënyrë që i gjithë ky proces të jetë  plotësisht transparent dhe opinioni të informohet me kohë.

“Dua t’ju njoftoj se me qëllim të rishikimit të tërë dhe sqarimit sa më transparent të rastit, kemi angazhuar edhe Inspektoratin e Shërbimit Korrektues në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe posa të dalin me të gjeturat e tyre edhe këtë raport do ta bëjmë publik dhe në pajtim me të gjeturat e tyre, do t’i marrim të gjithë hapat dhe veprimet tjera do të përcaktohen, varësisht nga raportet zyrtare nga të gjitha institucionet dhe të gjithë mekanizmat që i kemi bashkërenditur dhe i kemi koordinuar të gjitha veprimet në lidhje me ndriçimin sa më të shpejt të këtij rasti” bëri të ditur ministrja Hoxha.

Last modified: 7 Nëntor, 2016

Comments are closed.

×