Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

18 Tetor, 2016

Prishtinë, 18 tetor 2016

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa,  ka zhvilluar mbledhjen e 112 të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje, koncept-dokumente dhe vendime tjera.

Pika e parë që mori aprovimin e kabinetit qeveritar ishte Projektligji për Inspektoratin Shëndetësor. Me këtë projektligj, përcaktohen kompetencat, autorizimet, detyrat, organizimi, financimi, funksionimi dhe mënyra e punës së Inspektoratit Shëndetësor. Ky Projektligj, po ashtu, e definon Inspektoratin Shëndetësor si organ të Ministrisë së Shëndetësisë, një detyrë specifike në ushtrimin e mbikëqyrjes së jashtme të subjekteve të inspektimit për të siguruar zbatimin e akteve juridike dhe normave etike profesionale në lëmin e shëndetësisë, me qëllim të arritjes, ruajtjes dhe rritjes së cilësisë në kujdesin shëndetësor.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin përfundimtar për shpronësimet shtesë (investimet) të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projektit me interes publik ndërtimi i Rrugës Nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, Segmenti Milloshevë-Vushtrri, Zona Kadastrale Milloshevë, Komuna Obiliq.
Kryeministri Isa Mustafa, tha se duhet të merren të gjitha masat që pas këtyre vendimeve pronat pastaj të regjistrohen në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke theksuar faktin se
po mbesin ende të pa regjistruara dhe mund të shfrytëzohen nga pronarët për destinime tjera.
“Unë kam informata se jemi shumë më efikas në këtë fushë, por domosdoshmërish në qoftë se duhet ndonjë rregullore ta ndryshojmë, në mënyrë që të mos lëmë hapësirë që prej momentit që ne marrim vendime, ato prona pastaj të mos kalojnë në pronësi të Qeverisë, përkatësisht të institucioneve, në këtë rast të Ministrisë së Infrastrukturës ose të institucioneve tjera për qëllimin e të cilave bëhet edhe shpronësimi përfundimtar”, tha kryeministri Mustafa.

Pas shqyrtimit, kabineti qeveritar ka miratuar edhe koncept dokumentin për fushën e Metrologjisë. Qëllimi i miratimit të këtij dokumenti bëhet për ndryshimin e politikës ekzistuese dhe avancimin e kësaj fushe në përputhje me politikat dhe direktivat evropiane të metrologjisë.

U aprovua edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve të sigurisë dhe nevojave tjera emergjente të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Aeroporti i Gjakovës”, SH.A.

Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë u miratua edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, dhe Nisma për lidhjen e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut për zbatimin e Marrëveshjes Bilaterale për Bashkëpunim Zhvillimor.

Përmes kësaj marrëveshje, në kuadër të kornizës së bashkëpunimit për zhvillim, të dyja palët angazhohen të luftojnë kundër varfërisë dhe të zbatojnë programet dhe projektet zhvillimore që kanë për qëllim të plotësojnë nevojat e grupeve më të cenueshme të popullsisë. Ky memorandum i mirëkuptimit rregullon zbatimin e marrëveshjes bilaterale për bashkëpunim zhvillimor mes Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, duke përcaktuar sektorët prioritar që mbështeten me këtë marrëveshje, siç janë shëndetësia, arsimi dhe aftësimi profesional, forcimi i shoqërisë civile kosovare dhe asistencë teknike në përputhje me procesin e Kosovës për integrim evropian, etj.
Me vendim të kabinetit qeveritar është autorizuar zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi që të nënshkruaj marrëveshjen dhe memorandumin në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës. 

Është aprovuar edhe vendimi mbi kursimet e deklaruara nga organizatat buxhetore, ndarjet e mjeteve financiare buxhetore, harmonizimet e brendshme buxhetore për vitin 2016, me qëllim të ngritjes së efikasitetit në ekzekutimin e buxhetit dhe përmbylljes së vitit fiskal 2016.

Last modified: 18 Tetor, 2016

Comments are closed.

×