Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e 62-të

3 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 3 dhjetor 2015

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilin ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe vendime tjera të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa, foli për takimin, që së bashku me zëvendëskryeministrin Thaçi dhe me zëvendëskryeministrin Stojanoviq, kanë zhvilluar një ditë më parë me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry.

Kryeministri Mustafa tha se gjatë takimit është biseduar për çështjet aktuale në Kosovë, për orientimet integruese euroatlantike, për punën e Qeverisë, për stabilitetin dhe paqen në rajon, dhe për çështjet që aktualisht e preukopojnë Kosovën.

“Kemi marrë përkrahje të plotë për punën që po e bëjmë, dhe ne jemi të lumtur që kemi pasur një takim të tillë shumë përmbajtjesor dhe shumë të përkushtuar. Sot, në emër të Qeverisë, dëshiroj të falënderoj sekretarin Kerry për vizitën e tij që i ka bërë Kosovës, dhe politikës amerikane për përkushtimin shumë të madh për vendin tonë. Dëshiroj po ashtu të ritheksoj edhe njëherë përkushtimin, edhe timin edhe të zëvendëskryeministrit Thaçi, por edhe të Qeverisë, që në çdo moment të ulemi me opozitën, t’i diskutojmë problemet dhe preukopimet e opozitës, të gjendet zgjidhja mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ne do t’i bëjmë edhe njëherë ofertë opozitës, që të ulemi, të bisedojmë, të dialogojmë, dhe të gjejmë zgjidhje.

Mendojmë se zgjidhja më e mirë është që kjo të zhvillohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, aty ku të gjithë deputetët si përfaqësues të popullit, mund të japin vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e tyre. Ne jemi të përkushtuar që të gjendet zgjidhja institucionale, jemi të përkushtuar që më, të mos ketë gaz lotsjellës në Kuvend, që ato fotografi të jenë fotografi të kaluara, dhe që Kuvendi i Republikës së Kosovës të punoj në përbërje të plotë të pozitës dhe të opozitës, dhe në mënyrë demokratike të trajtoj të
gjitha çështjet që shtrohen përpara nesh”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit është miratuar nga kabineti qeveritar. Plotësimet dhe ndryshimet në Ligj synojnë të rregullojnë përbërjen e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, zgjedhjen e bordit dhe procedurat e vendimmarrjes në bord.

Kryeministri Isa Mustafa, tha se kjo çështje është shtruar në mënyrë emergjente për arsye se është konstatuar se ka disa papajtueshmëri me Ligjin ekzistues sa i përket emërimit të Bordit të Drejtorëve në Kuvend, për arsye se aty ka mbetur një dispozitë e cila thotë se së paku njëri duhet të jetë i jashtëm, ndërkaq mandati i drejtorëve të jashtëm ka kaluar dhe kjo do të krijonte pengesë që tani Kuvendi të vendos për bordin e drejtorëve. “Ne në mënyrë emergjente kemi shtruar nevojë që zyra jona ligjore të punojë së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe vetëm të përpunoj këtë pjesë që i përket mënyrës së zgjedhjes së bordit, përbërjes së bordit dhe vendimmarrjes në bord. Ndërkaq, të gjitha çështjet e tjera të mbesin si çështje në të cilat ne do të punojnë në ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi AKP-në”, tha kryeministri Mustafa, duke i konsideruar të arsyeshme edhe kërkesat e ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi, sa i përket tokave bujqësore.

Edhe Udhëzimi Administrativ për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”, është miratuar sot nga Qeveria e Kosovës. Miratimi i këtij udhëzimi i hap rrugë zgjedhjeve në Universitet në pranverën e vitit të ardhshëm.

Qeveria i ka propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatët për anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet e nismave për lidhjen e marrëveshjeve financiare IPA 2014 dhe IPA 2015 për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Strategjinë për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës 2016-2021.

Last modified: 3 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×