Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e 100 të rregullt

15 Korrik, 2016

Prishtinë, 15 korrik 2016

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 100-të, të rregullt.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa i ka dëshiruar mirëseardhje dhe suksese ministres së re të Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe ka shprehur falënderimin për angazhimin e deritashëm në këtë ministri të ish ministrit Hajredin Kuqi.

Kryeministri Isa Mustafa ka bërë të ditur se për këtë mbledhje ishte planifikuar që të trajtohet edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, i cili është përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme.
“Ndërkohë, së bashku me partnerin e koalicionit kemi vlerësuar se ka mundësi që ende të shfrytëzojmë këtë hapësirë dhe të studiojmë të gjitha mundësitë që me ligj të shohim hapjen e mundësive që ligji mund të përfshijë argumentimin e fakteve që do të mundësonin që në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të krijohen situata, në të cilat ne do të mund të bisedonim dhe të rishikonim pjesë të caktuara të marrëveshjes në bazë të interesit dypalësh. Po ashtu, kemi vlerësuar se ratifikimi i shënimit të vijës kufitare është proces i ndarë, është proces i pavarur , i cili do të bëhet me një informim të plotë të qytetarëve dhe sidomos të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të marrin vendimin lidhur me këtë.
Qeveria do të punojë që akuzat e opozitës dhe bashkëngjitur këtyre akuzave të disa gjeografëve, që Kosova ka humb territor në shënimin e kufirit me Malin e Zi, duhet zbardhur dhe duhet të vërtetohen, ngase të gjitha tekstet edhe të gjeografisë, të gjitha hartat e Kosovës, jo vetëm të periudhës ’74-’88 kur është përcaktuar si afati i fundit me Pakon e Ahtisaarit për mbyllje të territorit të Kosovës, si dhe në të gjithë vjetarët statistikorë që Kosova i ka pas nga viti ’74 e tutje, territori i Republik0ës së Kosovës ka qenë 10.887 kilometra katrorë, do të thotë se ky është territori zyrtar që Kosova ka pas në atë periudhë, por këtu nuk është përfshirë edhe periudha në të cilën Kosova është si cilësuar si “Kosovë dhe Metohi” do të thotë para vitit ’74.
Evidencat e tanishme sipas Komisionit shtetëror, flasin se Kosova ka 10.906 kilometra katrorë në bazë të saktësimit të matjeve që nuk është më pak seç ka qenë përpara, por është pak më shumë se sa që ka qenë territori i mëparmë dhe është rezultat i shënimit të vijës kufitare të Kosovës me Maqedoninë dhe vijës kufitare me Malin e Zi.
Prandaj, që të mos manipulohet me ndjenjat e qytetarëve, edhe si kryeministër, por edhe si Qeveri, ne duhet të kërkojmë nga opozita që të tregojë lidhur me territorin, dhe të tregoj se sa është territori sipas tyre, a është ky territor që Kosova ka trashëguar prej 10.887 km2, përkatësisht 10.906 km2, sa është territori i Pejës, për çfarë Komuna e Pejës vërteton se është territor jo vetëm prej vitit ’45 e këndej, por edhe para vitit ’45 i paprekur dhe i pa luajtur. Dhe po ashtu konsideroj se në qoftë se opozita dhe qytetarët kërkojnë, ne mund të kërkojmë që ta bëjmë matjen e territorit të Republikës së Kosovës, sepse kjo matje mund të bëhet në mënyrë kompjuterike, mund të bëhet në mënyrë satelitore dhe mund të vërtetojmë para qytetarëve tanë sa është territori i Republikës së Kosovës mbi bazën e vendimit të Komisionit Shtetëror lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, në mënyrë që të binden qytetarët e Republikës së Kosovës rreth saktësisë së territorit të Republikës, dhe rreth asaj se a është humbur territor apo nuk është humbur territor. Ne jemi të gatshëm si Qeveri e Republikës së Kosovës që në çdo moment të procedojmë me Ligj në Kuvend, mirëpo dëshirojmë që procedimi të përcillet me një unitet sa më të gjerë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, me informim sa më të madh të qytetarëve dhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës  lidhur me atë se çfarë vendimi ata po marrin, dhe po ashtu edhe me relaksimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Malin e Zi, në mënyrë që çdo moment që ne do të kishim nevojë të ulemi me Malin e Zi dhe të diskutojmë këto tema, të kemi derën e hapur dhe gatishmërinë e Malin e Zi që së bashku të diskutojmë. Unë konsideroj se një gjë të tillë duhet ta pranoj edhe opozita, duhet ta pranojnë të gjithë, sepse unë jam për atë që të kemi biseda të hapura. Unë e kam mirëpritur edhe kërkesën e disa deputetëve që ata të ulen dhe të sqarojnë, të marrin informata për atë se si është përcaktuar vija kufitare me Malin e Zi, mirëpo gjithsesi këtë duhet ta faktojmë me të dhëna. Duhet ta faktojmë se sa është territori i Republikës së Kosovës dhe t’iu thuhet qartë qytetarëve se a humb Kosova territor në krahasim me atë që ne në bazë të Pakos së Ahtisaarit, të aneksit 8, pika 3, që përcakton territorin, e kemi pas me 31 dhjetor të vitit 1988, sepse me Deklaratën e Republikës së Kosovës kur është pranuar Pakoja e Ahtisaarit, dhe pastaj edhe Kushtetuta edhe shpallja e pavarësisë është bërë mbi këtë Pako. Kjo ka qenë arsyeja pse ne kemi shqyrtuar bashkërisht me partnerët e koalicionit dhe me disa prej anëtareve të kësaj Qeverie, dhe kemi vlerësuar se ne mund të bëjmë dhe duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të krijuar një ambient i cili do të mundësonte që qytetarët të jenë të informuar, dhe do të mundësonte që në asnjë rast Kosova dhe për asnjë arsye, as një shkak mos të humb asnjë kilometër katror të territorit të saj dhe ky do të jetë përkushtimi përfundimtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës për Programin Fullbright për shkëmbimet akademike. Ky Memorandum ka për qëllim të forcojë dhe zhvillojë lidhjet përmes arsimit, kulturës dhe kërkimeve të bazuar në rrethana që konsiderohen reciprokisht fitimprurëse. Ky Memorandum përcakton edhe mbështetjen vjetore financiare në shumë prej 300 mijë eurosh nga pala kosovare dhe ky kontribut do të fillojë nga viti akademik 2016-2017 dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit akademik 2020-2021.

Edhe Projektligji për kamatëvonesat në transaksionet tregtare është miratuar nga kabineti qeveritar. Projektligji përcakton rregullimin e afateve dhe mënyrën e llogaritjes së kamatëvonesave në rastet e furnizimit me mallra dhe shërbime në mes të shoqërive tregtare ose në mes të shoqërive tregtare dhe autoriteteve publike, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut, duke nxitur aftësinë konkurruese të shoqërive tregtare dhe në veçanti të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e Trafikut Urban në Prishtinë. Me realizimin e këtij projekti synohet përmirësimi i cilësisë së shërbimit të transportit urban të qytetarëve të Prishtinës.

Kryeministri Mustafa tha se është një çështje e cila është diskutuar mjaftë shumë në publik dhe ka pasur mjaft shumë përplasje rreth faktit se a është dashur që të respektohen procedurat ligjore. “Njerëzit kanë menduar se kjo mund të bëhet vetëm me nënshkrim të ministrit të Financave. Në fakt ne tani, pas mbledhjes dhe aprovimit të Qeverisë e kemi nënshkrimin e presidentit të Republikës së Kosovës dhe mbi atë bazë tash është hartuar Projektligji i cili i procedohet Kuvendit në ratifikim. Mendoj se është një veprim i mirë dhe në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të zhvillimit të trafikut urban që është një nevojë e qytetarëve të Republikës të Kosovës, andaj unë konsideroj se Qeveria dhe Kuvendi do të kenë rastin të marrin vendimin meritor”, tha kryeministri.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.

Kryeministri Mustafa tha se me këto burime financiare që po i sigurohen për infrastrukturë që lidhet drejtpërdrejtë me gjenerimin e zhvillimit ekonomik Qeveria po e ndjek programin e vet ekonomik dhe po siguron kushte. “Kemi po ashtu marrëveshjen me Bankën Investive, me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim dhe mendoj se është një kontribut i qartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës” , tha kryeministri.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar edhe Rregulloren për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare në Kosovë. Me ndryshimet dhe plotësimet e bëra, përgjegjësitë dhe logjistika e implementimit të kësaj rregulloreje kalojnë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Raporti vjetor i Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2015, është aprovuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme. Është aprovuar gjithashtu edhe Plani vjetor i statistikave zyrtare për vitin 2017.

Kryeministri Mustafa me këtë rast ka shprehur nevojën që gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Statistikave në Kuvend, të prezantohet edhe zotimi i Agjencionit për implementimin e  rekomandimeve të Auditorit Gjeneral, i cili ka dhënë disa vërejtje sa i përket rregullsisë financiare në Agjencionin e Statistikave, që vlen edhe për të gjitha institucionet tjera.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin preliminar për shpronësimet të cilat preken nga ndërtimi i rrugës rajonale Klinë e Epërme – Skenderaj – Polluzhë.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e Komisionit për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë.

Gjithashtu është miratuar vendimi për themelimin e Komisionit të Ankesave lidhur me Komisionin për njohjen e statusit dhe të drejtën në kompensim të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë.

Edhe vendimi për hartimin e Programit për Reforma në Ekonomi për vitet 2017-2019 e ka marr miratimin e kabinetit qeveritar, që është edhe pjesë e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për qeverisjen ekonomike.

Ministri pa portofol Rasim Demiri ka ngritur çështjen e akreditimit të programeve të studimit në gjuhën boshnjake dhe turke në universitetet e Prizrenit dhe të Pejës. Në këtë çështje ka informuar ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për punën e përbashkët që është duke u bërë me Agjencinë e Akreditimit për gjetjen e një zgjedhje të pranueshme për këtë çështje.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcillar ka njoftuar kabinetin për punën që është bërë për akomodimin e Avokatit të Popullit në ish Ndërtesën e Bakës së Lubjanës. Ministri Jagcillar ka informuar edhe për procesin e punës në Reformën e Administratës Publike.

Kryeministri Mustafa tha se po punohet edhe Ligji për Qeverinë.
“Prandaj gjithë këtë proces do ta kapërcejmë para se ta kemi draftin e ligjit për Qeverinë, sepse pastaj duhet që në këtë ligj të kemi strukturën qeveritare, cilat pastaj mbesin si agjencione jashtë Qeverisë, agjencionet e pavarura. Do të dëshiroja që mos ta ndërlikojmë shumë këtë proces, sepse duhet që ministritë ta marrin përgjegjësinë dhe ta vlerësojnë gjendjen, çdo njëra veç e veç, për agjencionet e veta, se a duhet të ekzistojnë edhe më tutje apo jo. Natyrisht që neve na nevojiten edhe bashkëpunime me organizatat e jashtme dhe programe të caktuara. Mirëpo, unë mendoj se studime janë bërë mjaft, situatën e dimë, dhe do të dëshiroja që diku në shtator të kemi një përgjigje, dhe deri në fund të vitit ta përmbyllim këtë proces me ligjin për Qeverinë, ndërkaq pastaj merremi vesh edhe me kryetarin e Kuvendit për procesin i cili duhet të zhvillohet në Kuvend”, tha kryeministri.

Last modified: 15 Korrik, 2016

Comments are closed.

×