Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës është përkushtuar të fuqizoj sa më shumë që është e mundur qeverisjen e mirë, ku stabiliteti politik ka qenë dhe mbetet një pikësynim kryesor i shoqërisë tonë, i cili edhe është mbajtur, theksoi kryeministri Thaçi

4 Qershor, 2012

Më poshtë, po ju sjellim të plotë fjalimin e kryeministrit Thaçi

Të nderuar zv. Kryeministra
Të nderuar Ministra
Të nderuar ambasador dhe drejtues të Zyreve Ndërlidhëse
I nderuar z. Stock
Zonja dhe Zotërinj,

Është kënaqësi për mua që sot ta bëj hapjen e Forumit të Tretë të Nivelit të Lartë, në të cilin do të diskutojmë zhvillimet, ngjarjet dhe veprimet që kanë ndodhur katër vite pas Konferencës së Donatorëve, që u mbajt në korrik të vitit 2008.

Ky Forum i Nivelit të Lartë është platformë më se e qëlluar e rishikimit vjetor dhe vlerësimit të punës që vet Qeveria e Republikës së Kosovës e ka bërë  në përmirësimin e kapaciteteve dhe në koordinimin e donacioneve me qëllim që efektiviteti i asistencës së dhënë të ngritet dhe të përputhet me prioritetet zhvillimore dhe integruese te Qeverisë.

Po ashtu, si konkluzion i Forumit të Nivelit të Lartë të kaluar jemi dakorduar bashkërisht qe transparenca e donacioneve është e një rëndësie të veçantë. Tani, mund të ju konfirmoj se ne së bashku me komunitetin e donatorëve kemi punuar në këtë drejtim dhe kemi arritur sukses.

Ne sot do të prezantojmë dy elemente kryesore në fushën e koordinimit të donatorëve, implementimi i së cilave do të përmbush objektivat e Qeverisë për ngritjen e efikasitetit të ndihmës së jashtme duke marrë parasysh prioritetet nacionale, duke e rritur  transparencën dhe duke përmirësuar komunikimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe donatorëve.

Pra, sot do të prezantojmë progresin në krijimin e grupeve sektoriale dhe grupeve nën-sektoriale dhe funksionalizim e Platformës për Menaxhimin e Ndihmës së Jashtme, asnjëherë duke mos lënë anash edhe përmirësimin e politikave fiskale dhe makroekonomike.

Dëshiroj të ritheksoj përkushtimin tonë për të vazhduar me reformat e gjithëmbarshme për të mirën e qytetarëve të këtij vendi me perspektivë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për vazhdimin e ofrimit të asistencës shumë të nevojshme dhe të çmuar për vendin tonë përkundër krizës globale financiare që e ka kapluar Botën viteve të fundit. Përmbushja e nevojave të qytetarëve tanë për vende pune, të paguara më mirë, për përkujdesje shëndetësore të nivelit më të lartë, arsimim më cilësor, dhe energji të qëndrueshme do të jenë detyra të vështira. Nevojat e sotme të Kosovës i tejkalojnë kapacitetet e saj për t’i financuar të gjitha nevojat. Kosova ka nevojë për ndihmën tuaj – ndihmë teknike, profesionale dhe për mbështetje financiare – nëse duam të përballemi me sukses me këto sfida.

Qeveria e Kosovës është përkushtuar të fuqizoj sa më shumë që është e mundur qeverisjen e mirë, ku stabiliteti politik ka qenë dhe mbetet një pikësynim kryesor i shoqërisë tonë, i cili edhe është mbajtur.

Ne jemi zotuar të vazhdojmë reformat dhe besojmë fuqishëm se zhvillimi dhe integrimi i vendit në familjen e madhe Evropiane janë procese integrale, të cilat e plotësojnë njëra-tjetrën. Për këtë edhe është themeluar Ministria e Integrimit Evropian e cila shërben si një urë lidhëse ndërmjet komunitetit të donatorëve dhe institucioneve të Kosovës.

Në anën tjetër ne mendojmë që ky vit paraqet një përparim shumë të madh për Kosovën në aspektin e agjendës Evropian. Kosova ka mirëpritur Raportin e Progresit të Komisionit Evropian dhe vlerëson lartë qëndrimin unik të Bashkimit Evropian për miratimin e rekomandimeve të Komisionit për thellimin dhe intensifikimin e Dialogut të Procesit të Integrimit Evropian. Gjithashtu një sinjal tjetër shumë i rëndësishëm i perspektivës Evropiane të Kosovës është fillimi i procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Janë këto dy segmente të rëndësishme për Kosovën ku njëra përbën rregullimin e tregut të brendshëm dhe tjetra përmirësimin adekuat në fushën e sundimit të ligjit. Domosdo që të dyja këto procese janë të lidhura me njëra tjetrën dhe kërkojnë reforma të gjithëmbarshme në fushën e legjislacionit, ndërtimit të institucioneve, luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë.

Forumin e kaluar kam theksuar se dëshirojmë të shtojmë progresin në të gjitha fushat. Të marr shembull fushën e arsimit ku ne jemi duke u munduar të vejmë bazat infrastrukturore dhe humane për të zhvilluar këtë sektor shumë të rëndësishëm të shoqërisë, ku mund të them se gati kemi qenë në gjendje të garantojmë që nxënësit tanë t’i kenë mjetet e nevojshme për të konkurruar në një ekonomi globale, e cila i vlerëson të arriturat dhe aftësitë më shumë se çdo gjë tjetër.

Më lejoni të theksoj gjithashtu që ndihma e çmuar që ofrohet nga ju ka një rëndësi shumë të madhe për Qeverinë e Kosovës, për të lehtësuar sa më shumë mënyrën e dhënies së kësaj ndihme shumë të nevojshme për vendin tonë, Qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht në përmirësimin e politikave makroekonomike dhe politikave fiskale.

Të nderuar të pranishëm,

Po ashtu, është bërë një progres shumë i madh në drejtim të ngritjes së strukturës institucionale për koordinim me donatorë. Ky progres më tepër se askujt i takon përkushtimit të vazhdueshëm të komunitetit të donatorëve dhe institucioneve përgjegjëse për këtë resor, tash Ministrisë së Integrimit Evropian.

Në vitin 2012 Kosova është një vend tërësisht ndryshe nga viti 2008, kur Konferenca për Donatorë është mbajtur në Bruksel. Në këto katër vite, mund të themi lirisht se Qeveria e Kosovës dhe ju së bashku, kemi arritur të ndërtojmë një shtet që mund të konsiderohet si një storje e rrallë e suksesit, storje e suksesit e mbështetjes ndërkombëtare në procesin e shtetëndërtimit dhe konsolidimit. Pra 13 vite më parë, te ne filloj një kapitull i ri, i lirisë dhe ndërtimit.

Andaj ju falënderoj juve dhe qeveritë që ju i përfaqësoni për ndihmën dhe partneritetin e ofruar gjatë këtyre viteve.

Ju dhe qeveritë që ju përfaqësoni mund të mburreni me punën që keni bërë në Kosovë, sepse jo vetëm që keni ndihmuar në përfundimin e luftës, por edhe na keni ndihmuar edhe mbështetur në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe zhvillimin e tij.

Të nderuar të pranishëm

Tash ju ftoj që nga faza e asistencës të kalojmë në fazën e partneritetit në zhvillim, dhe atë të zhvillimit të qëndrueshëm.

Edhe njëherë, më lejoni që në emrin tim personal, dhe në emrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju falënderoj për mbështetjen dhe partneritetin e vazhdueshëm.

Faleminderit!
 

Last modified: 4 Qershor, 2012

Comments are closed.

×