Zyra e Kryeministrit

Qeveria do të rris investimet në infrastrukturën dhe kualitetin e shërbimeve shëndetësore

7 Qershor, 2016

Gjilan, 7 qershor 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vënë sot gurthemelin e Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike në Gjilan.
 
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Mustafa tha se Qeveria e Kosovës i ka dhënë prioritet themelor shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik, duke theksuar se këto janë tre shtylla të cilat ndërlidhen mes vete.
 
“Ne do të kujdesemi për shëndetin e popullatës dhe për avancimin e shëndetit publik. Instituti ka bërë një punë të rëndësishme së bashku me Ministrinë në këtë fushë. Ne e vlerësojmë lartë punën që është bërë, por poashtu duhet të konsiderojmë që të investojmë më tepër në ndërtimin e objekteve në mënyrë që edhe punonjësit shëndetësorë, por edhe shfrytëzuesit e shërbimeve shëndetësore publike, të kenë kushte më të mira të punës dhe të ofrimit të këtyre shërbimeve”, tha kryeministri.
 
Më tej, kryeministri Mustafa tha se ky investim po bëhet me mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë në vlerë prej rreth gjysmë milion euro duke shprehur besimin se në vjeshtën e vitit të ardhshëm, objekti do të jetë i gatshëm dhe do të ofrojë kushte shumë më të mira.
 
“Falënderoj të gjithë ata që kanë punuar deri më tani në këtë projekt dhe poashtu i inkurajoj punëkryesit që ta bëjnë punën mirë dhe me kohë, si dhe Ministrinë dhe Institutin që të vazhdojnë me investime të tilla edhe në pjesë të tjera të vendit tonë”, tha kryeministri Mustafa.
 
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se përkrahja e Institutit do të thotë përkrahje e një shëndetësie të mirë, e programeve parandaluese, zbuluese të hershme, politikbërje në fushën e shëndetësisë në kohë reale dhe promovim i jetës së shëndetshme për një popullatë të shëndetshme.
 
“Ne sot me këtë akt solemn, po fillojmë një seri të akteve të tilla të solemneve të gurthemeleve, të fillimeve dhe të përfundimeve të shumë projekteve infrastrukturore të shëndetësisë kosovare anembanë vendit. Ne sot po vëmë gurthemelin për objektin e ri të Qendrës Rajonale të Institutit të Shëndetit Publik, që do të pasohet me datën 10 të këtij muaji, me inaugurimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik, investim mbi një milionë euro dhe me datën 15 në Ferizaj, do të kemi vënien e një gurthemeli të tillë gjithashtu, investim ky kapital rreth gjysmë milioni. Shumë shpejt, brenda këtij muaji pritet të mbyllen, respektivisht do të shpallen të përfunduara punimet në renovimin dhe pajisjen me aparaturë dhe pajisje tjera shëndetësore moderne në Spitalin e Përgjithshëm të Vushtrrisë në vlerë rreth shtatë milionë euro. Do të bëhet inaugurimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj dhe shumë shpejt edhe Qendra e re në QKUK, Qendra e Emergjencës, që kap vlerën, vetëm ndërtimi pa pajisje, rreth 8 milionë euro”, tha ministri Rrahmani, duke falënderuar kryetarin Lutfi Haziri dhe gjithë ata që punuan në përfundimin e këtij projekti.
 
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në emër të qytetarëve të Gjilanit, ka falënderuar kryeministrin dhe ministrin për mbështetjen e realizimit të këtij projekti të  rëndësisë së veçantë. 
 
Kryetari Haziri tha se ky objekt qon drejt rrumbullakimit të infrastrukturës shëndetësore në Komunën e Gjilanit duke bërë të ditur se përballë me pronën komunale do të ndërtohet edhe objekti i ri i Qendrës së Mjekësisë Familjare.
 
“Falënderimi për kryeministrin dhe ministrin që janë këtu vjen për arsye se  shëndetësia si shtylla kryesore dhe prioritet në Gjilan, po e merr mbështetjen e saj pa hezitim, mbështetjen financiare dhe jo vetëm politike. Në shëndetin primar kemi plotësuar kuadrin profesional, kuadrin infrastrukturor dhe tash po shkojmë drejt rrumbullakimit të infrastrukturës së shëndetësisë sekondare dhe primare, bashkërisht në shërbim të qytetarëve. Nga ky oborr vijnë shërbime për rreth gjysmë milion banorë, përfshirë shqiptarët e Anamoravës, të Luginës. Me këtë rast falënderoj menaxhmentin dhe drejtorinë e Spitalit Regjional për bashkëpunimin dhe angazhimin që mjekët dhe personeli teknik ka dhënë në realizimin e objektivave tona të përbashkëta”, tha kryetari Haziri.
 
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, pasi shprehu mirënjohje për përkrahjen e Qeverisë  së Kosovës për këtë institucion theksoi se vënia e gurthemelit të Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike në Gjilan dëshmon se shëndetësia është prioritet i Qeverisë.
 
Sipas tij, me këtë hap, po arrihet zhvillimi dhe që Ministria e Shëndetësisë t’i përmbushë të gjitha obligimet e shtruara para vetes, që qytetarëve të trevës së Gjilanit dhe më gjerë, tërë shtetit të Kosovës, t’iu ofrojë shërbime kualitative shëndetësore, një shëndetësi publike me një parandalim të sëmundjeve, të cilat gjer më sot kanë qenë problematike jo vetëm në këtë trevë. 

Last modified: 7 Qershor, 2016

Comments are closed.

×