Zyra e Kryeministrit

Nënshkruhet Marrëveshje Bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

22 Tetor, 2015

Prishtinë, 22 tetor 2015
 
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës, Prenkë Gjetaj, ka pritur sot në takim Kryetarin e Komisionit për Persona të Zhdukur të Malit të Zi, Dragan Gjukanoviq.

Gjatë takimit, u diskutua mbi bashkëpunimin e deritanishëm në mes të dy komisioneve, në përpjekjen e përbashkët për ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Po ashtu, gjatë takimit, të dy delegacionet diskutuan mbi mundësitë e intensifikimit të këtij bashkëpunimi , si dhe koordinimin e mëtutjeshëm në kuadër të nismave rajonale, përmes të cilave do të adresohen sfidat e përbashkëta në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.
 
Me këtë rast, Kryesuesi  i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës, Prenkë Gjetaj, dhe Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur të Malit të Zi, Dragan Gjukanoviq, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Pas nënshkrimi të marrëveshjes, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës, Prenk Gjetaj, në një konferencë për media theksoi se “Është me rëndësi që ky është një hap i parë drejt bashkëpunimit rajonal, në bashkëpunimin për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur. Ne do të jemi të interesuar edhe me shtetet tjera që kanë qenë në luftë në periudhën e viteve të 90’ta, të shekullit të kaluar të nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi. Në këtë drejtim kontaktet e para veç i kemi bërë me Kroacinë dhe do të interesohemi me të gjitha shtetet të cilat janë të involvuara në mënyrë direkte apo indirekte në këtë proces ku ka persona të zhdukur. Në nivel të ish-Jugosllavisë sipas informacioneve që kemi janë mbi 10 mijë persona të zhdukur, vetëm Kosova i ka të evidentuar edhe më shumë se 1650 persona të zhdukur, si pasojë e luftës”.

Sipas Gjetajt ky bashkëpunim do të ndihmoj që të ketë qasje institucionale në shkëmbimin e informacioneve, evidentimin e personave të zhdukur, informacionet për vendndodhjen e mundshme të varrezave individuale dhe masive dhe gjetjen, gjegjësisht gërmimin, vlerësimin, zhvarrimin dhe bashkëpunimin me familjet, sepse të drejtën për të kërkuar dhe për të ditur për fatin e më të dashurve të tyre e kanë të garantuar edhe me konventa ndërkombëtare – theksoi Gjetaj.
 
Gjetaj më tej vlerësoi gatishmërinë e Komisionit homolog nga Mali i Zi, në kuadër të bashkëpunimit rajonal që sipas tij, “ky hap do të ndikojë pozitivisht në ofrimin e bashkëpunimit edhe me vendet tjera, madje edhe me Serbinë do të jemi të interesuar të kemi një marrëveshje bashkëpunimi ndërshtetëror për çështjen e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur”.

Me këtë rast, u tha se qëllimi kryesor do të mbetet zbardhja e fatit të të gjithë të pagjeturve në territorin e ish-Jugosllavisë”.

Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur të Malit të Zi, Dragan Gjukanoviq, ka vlerësuar se marrëveshja do të ndikoj që me bashkëpunim rajonal të bëhet zgjidhja e kësaj çështjeje.

“Ajo që është shumë e rëndësishme, dhe e kisha cekur posaçërisht, është se ne Komisionin e Qeverisë së Republikë së Kosovës, kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë edhe para nënshkrimit të kësaj marrëveshje, dhe mund të them në emër të Komisionit të Qeverisë së Republikës së Malit të Zi se në këtë mënyrë do të vazhdohet edhe në të ardhmen, dhe të gjithë do t’i përkushtohemi qëllimit përfundimtar dhe human, por që është njëherit edhe çështje shumë e ndjeshme politike, zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në hapësirat e tërë ish-Jugosllavisë ku ka pasur konflikte të armatosura” ka thënë Gjukanoviq.
 
Të dy vlerësuan se numri i të zhdukurve në tërë rajonin është mbi 10 mijë persona, andaj Komisionet do të bëjnë përpjekje për nxjerrjen e një liste të përbashkët në nivel rajonal. Pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe konferencës për media, të dy kryesuesit e Komisioneve vendosen kurora lulesh te “ Përmendorja për Personat e Zhdukur”.
 
Gjatë ditës, të dy kryesuesit e Komisioneve qeveritare për personat e zhdukur, patën edhe një takim të përbashkët me përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, gjatë luftës në Kosovë.

Last modified: 22 Tetor, 2015

Comments are closed.

×