Zyra e Kryeministrit

Nën drejtimin e Kryeministrit Thaçi, është mbajtur mbledhja e 76-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës

30 Maj, 2012

Prishtinë, 30 Maj 2012

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka theksuar se gradualisht po vie deri tek përmbyllja e mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Kryeministri njoftoi anëtarët e kabinetit qeveritar se ky proces do të përmbyllet zyrtarisht më 2 korrik 2012 në mbledhjen e Grupit Drejtues Ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, Kryeministri Thaçi theksoi se me miratimin e legjislacionit që është në proces, me ndryshimet kushtetuese dhe të reformës zgjedhore, si dhe me procesin e integrimit të komuniteteve në shoqërinë dhe institucionet kosovare, po dëshmojmë se shteti i Kosovës ka kaluar me sukses këtë periudhë të shtetndërtimit me implementimin e plotë të planit të Ahtisaarit.

Edhe hapja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës dhe themelimi i Bordit të Politikave Gjuhësore, janë hapa të rëndësishëm në integrimin afirmativ të komuniteteve – u shpreh z.Thaçi.

Kryeministri Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë foli edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Republikës së Kosoëvs dhe Serbisë:

“Pa zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, e në veçanti marrëveshjes për përfaqësim rajonal dhe asaj për menaxhim të integruar të kufirit, nuk do të ketë vazhdim të bisedimeve. Për këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës, e ka mbështetjen edhe të partnerëve ndërkombëtar” – ka theksuar kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi theksoi se do të vazhdohet bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe BE-në që të punohet më tepër për vazhdimin e implementimit të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, në veçanti bashkëpunimit regjional dhe IBM-it.

Kryeministri Thaçi ka shtuar se do të punohet vazhdimisht dhe se do të dëgjohen hallet e qytetarëve në veri. Sipas z.Thaçi, ky është edhe obligim kushtetues.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Shëndetësi, që është në përputhje të plotë me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Projektligji adreson kujdesin shëndetësor në nivelin parësor, dytësor dhe tretësor, organizimin dhe zbatimin e kujdesit shëndetësor, veprimtarinë shëndetësore, institucionet shëndetësore, udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e institucioneve shëndetësore, politikat zhvillimore dhe financimin e kujdesit shëndetësor, shërbimin kombëtar të  shëndetësisë, sistemin e informimit shëndetësor, punëtoret shëndetësor, veprimtarinë private shëndetësore, krijimin e odës profesionale shëndetësore.

Qeveria ka miratuar propozim-vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë  nr. 07/68 të datës 28.03.2012, për propozimin e anëtarëve të Bordit të Pavarur për Ri-shqyrtimin e Ankesave. Qeveria ka miratuar listën e anëtarëve të bordit në këtë përbërje: Artan Qerkini, Refik Ramaj, Qemajl Smajli dhe Dragan Djorgovic.

Në mbledhje është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronës së paluajtshme, ngastra kadastrale 600/6, në Polac të Skënderajt, shpronësim ky në interes publik, që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës regjionale Polac-Vushtri në Komunën e Skenderajt.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është marrë vendim që të ndahet një buxhet në shumën prej njëzet mijë eurosh në mbështetje të popullit dhe Qeverisë së Italisë, pas tërmetit që ndodhi këto ditë në këtë shtet.

Last modified: 30 Maj, 2012

Comments are closed.

×