Zyra e Kryeministrit

Në prag të Ditës së Turqve të Kosovës, Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me përfaqësuesit e komunitetit turk

19 Prill, 2022

Prishtinë, 19 prill 2022

Në prag të Ditës së Turqve të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkëbisedoi sot me përfaqësuesit e komunitetit turk në Kosovë për sfidat dhe mundësitë e këtij komuniteti.

Në tryezën e organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, kryeministri Kurti ndau me përfaqësuesit e komunitetit turk disa prej hapave të cilët qeveria i ka ndërmarrë për përmirësimin e mirëqenies së këtij komuniteti.

Angazhimi në punë i praktikantëve nga komunitetet, përfshirë atë turk përmes konkursit të hapur nga Zyra për Çështje të Komuniteteve dhe grantet që ofrohen nga Zyra për Çështje të Komuniteteve u vlerësuan si praktika të mira.

Vlerësimi i aplikimeve në thirrjen e parë publike për aktivitete kulturore, është në proces nga komisioni i pavarur, ndërsa dy thirrje të tjera do të hapen gjatë këtij muaji dhe gjatë verës. 1.5 milion euro do të ndahen për këto grante dhe do t’u jepet prioritet iniciativave ku përfaqësohen gratë dhe rinia.

Fuqizimi i rolit të Zyreve Komunale për Komunitete dhe Kthim u veçua nga Kryeministri, si hallkë kyçe për adresimin e sfidave, vështirësive, nevojave të jetës së përditshme të qytetarëve.

Duke e ditur rëndësinë e mësimit në gjuhën e juaj, qeveria jonë ka marrë vendim për pagesë të autorëve në mënyrë që tekstet shkollore në gjuhën turke të jenë në dispozicion për nxënësit tanë nga ky komunitet, tha kryeministri. Duke diskutuar për përdorimin e gjuhës turke si një prej sfidave kryesore, u tha se Zyra e Komisionerit të Gjuhës po punon në rastet që janë ngritur ku është evidentuar mohimi i të drejtës së qytetarëve turk për përdorimin e gjuhës së tyre në nivel komunal.

Ndër mundësitë kryesoret u theksua rritja e bizneseve turke. Kryeministri theksoi angazhimin për promovimin e këtyre bizneseve, si kontribuues të një të ardhme të suksesshme për vendin tonë.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues politikë të nivelit qendror dhe të nivelit lokal të komunitetit turk në Kosovë, zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës Emilija Redžepi, Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, këshilltarja e kryeministrit për çështje të komuniteteve, Elizabeth Gowing, përfaqësues të organeve të ndryshme shtetërore, përfaqësues nga Këshilli konsultativ i komuniteteve, përfaqësues të shoqërisë civile dhe shërbyes civilë.

Fjala hyrëse e Kryeministrit Kurti në tryezën me përfaqësues të komunitetit turk, në prag të Ditës së turqve të Kosovës:

Është kënaqësi që po takohemi sot këtu në mënyrë që të flasim, të bashkëbisedojmë mbi sfidat por edhe mundësitë për komunitetin turk në Kosovë.

Bashkë me ne sot kemi përfaqësues politikë të nivelit qendror dhe të nivelit lokal, kolegët e mi, zëvendëskryeministren Redžepi, ministrin Damka, po ashtu deputetët e nderuar të Kuvendit të Republikës, përfaqësues të organeve të ndryshme shtetërore, kryetarë të Komunës, të subjekteve politike, gjithashtu përfaqësues nga Këshilli konsultativ i komuniteteve, përfaqësues të shoqërisë civile, shërbyes civilë si dhe Këshilltarin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Jam këtu që të dëgjoj nga juve por gjithashtu më vjen mirë që kemi rastin që të ndaj me ju disa prej hapave të cilët i kemi ndërmarrë për përmirësimin e mirëqenies së komunitetit.

Zyra për Çështjet e Komuniteteve ka filluar angazhimin në punë të praktikantëve nga komunitetet, përfshirë atë turk. Ata janë pranuar përmes konkursit të hapur dhe gëzohem që arritjet dhe kontributi i tyre do të prezantohen para komunitetit, si dhe publikut më të gjerë, në një konferencë gjatë verës së këtij viti.

Zhvillimi i bizneseve turke dhe krijimi i më shumë vendeve të punës përmes granteve që ofrohen nga Zyra për Çështjet e Komuniteteve është një praktikë e mirë. Kemi filluar me një proces transparent dhe fer për ndarjen e këtyre granteve, shumë më ndryshe nga ç’jemi mësuar, me fonde të rezervuara për secilin komunitet. Vlerësimi i aplikimeve në thirrjen e parë publike për aktivitete kulturore, është në proces nga komisioni i pavarur. Dy thirrje të tjera do të hapen gjatë këtij muaji dhe gjatë verës.

1.5 milion euro do të ndahen për këto grante dhe do t’u japim prioritet iniciativave ku përfaqësohen gratë dhe rinia, si dhe grupe të tjera të margjinalizuara brenda komunitetit. Falënderoj të gjitha gratë e komunitetit turk që kontribuojnë në komunitetin e tyre dhe në shoqërinë tonë më të gjerë. Është kënaqësi që disa prej tyre t’i kemi këtu me neve sot në këtë tryezë diskutimi.

Fuqizimi i rolit të Zyreve Komunale për Komunitete dhe Kthim është një synim i yni. Muajin e kaluar, për herë të parë në Zyrën e Kryeministrit, është mbajtur një takim i tillë i përbashkët me përfaqësuesit e këtyre zyreve për të biseduar rreth angazhimit të tyre. Ne i shohim këto zyre si hallkë kyçe për adresimin e sfidave, vështirësive, nevojave të jetës së përditshme të qytetarëve.

E dimë që njëra prej sfidave kryesore është përdorimi i gjuhës turke. Zyra e Komisionerit të Gjuhës po punon në rastet që janë ngritur ku është evidentuar mohimi i të drejtës së qytetarëve turk për përdorimin e gjuhës së tyre në nivel komunal. Për shembull, Zyra e Komisionerit të Gjuhës ka punuar në Udhëzimin Administrativ që Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar në janar, e që mundëson lëshimin e certifikatave civile në gjuhën turke. Gjithashtu, duke e ditur rëndësinë e mësimit në gjuhën e juaj, qeveria jonë ka marrë vendim për pagesë të autorëve në mënyrë që tekstet shkollore në gjuhën turke të jenë në dispozicion për nxënësit tanë nga ky komunitet.

Po, ka edhe sfida, por sot jemi këtu të flasim për mundësitë. Ndër kryesoret është rritja e bizneseve që dëshmojnë rëndësinë e diversitetit. Kosova ka fat që ka biznese të suksesshme me pronësi turke, ku ka qytetarë të këtij komuniteti por edhe qytetarë të komuniteteve tjera të punësuar. Jemi duke menduar mënyrën më të mirë për të promovuar këto biznese, si kontribuues të një të ardhme të suksesshme për vendin tonë për të gjithë pa diskriminuar asnjëri.

Për të gjitha këto, jemi pra këtu së bashku për të dëgjuar nga ju. Kolegët nga Zyra e Kryeministrit do të shënojnë me kujdes pikat të cilët ju i ngritni. Dhe ju faleminderit edhe një herë nga zemra dhe për të gjithë kontributin që ju po bëni për Kosovën.

Teşekkür ederim.

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×