Zyra e Kryeministrit

Mustafa: MSA kontrata e Kosovës për zhvillim të gjithanshëm të vendit

17 Maj, 2016

Prishtinë, 17 maj 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë BE-Kosovë për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, me temën Stimulimi i ekonomisë, zhvillimit dhe krijimit të vendeve të punës.

Në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe komisioneri për Politika Fqinjësore Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, kryeministri Mustafa tha ndër të tjera se Marrëveshja për Stabilizim Asociim, është kontrata e Kosovës për të ardhmen, është kontratë për zhvillim ekonomik, për gjenerim të vendeve të punës, kontratë për shtetin ligjor dhe për zhvillimin demokratik të vendit.

Pas fjalëve hyrëse, kryeministri Mustafa mori pjesë në diskutime interaktive me audiencën.

Fjala e plotë hyrëse e kryeministrit Mustafa.

Është kënaqësi për mua që para jush të shpreh disa mendime lidhur me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim në këtë konferencë që i dedikohet ekonomisë së zhvillimit dhe punësimit.

Mund të them se Bashkimi Evropian paraqet partnerin tonë kryesor ekonomik, sepse edhe pjesëmarrja e eksporteve dhe importeve nga Bashkimi Evropian është më e madhja dhe po ashtu edhe pjesëmarrja e investimeve të huaja direkte në Kosovë është më e madhe nga vendet e Bashkimit Evropian.

Rrjedhimisht, Marrëveshja për Stabilizim Asociim, është kontrata jonë për të ardhmen, është kontratë për zhvillim ekonomik, për gjenerim të vendeve të punës, kontratë për shtetin ligjor dhe për zhvillimin demokratik të vendit.

Ne pajtohemi plotësisht se zhvillimi ekonomik, ashtu siç u tha këtu, është i ndërlidhur drejtpërdrejtë me forcimin e shtetit ligjor, prandaj do të punojmë paralelisht në këto dy fusha shumë të rëndësishme për ne.

Dëshiroj të nënvizoj se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje më 27 tetor të vitit 2015 në Strasburg, me ratifikimin e saj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe me hyrjen në fuqi më 1prill të këtij viti, është konfirmuar vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës për perspektivën e integrimit evropian si vizion madhor i Kosovës dhe qytetarëve të saj. Por, po ashtu, është konfirmuar edhe vullneti i Bashkimit Evropian që Kosovën, si vend evropian, ta pranojë në gjirin e zhvillimeve evropiane.

Kjo Marrëveshje është pjesë shumë e rëndësishme e rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe ofron mundësi për reforma gjithëpërfshirëse në të gjithë sektorët.

Prospektet e integrimit evropian janë treguar shtytës themelorë dhe thelbësorë për reformat e vendeve që janë anëtarësuar dhe vendet që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Republika e Kosovës e ka konfirmuar dhe është e palëkundur në konsensusin e saj shoqëror dhe politik drejt integrimit në familjen e madhe evropiane, duke u zotuar në përmbushjen e të gjitha detyrimeve dhe reformave, që janë të domosdoshme për të.

Republika e Kosovës ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Evropian duke hyrë në reformat dhe në relacionet kontraktuale, si rezultat i ndryshimeve të deritanishme dhe për t’u zotuar për reformat e mëtejme politike, ekonomike, tregtare, në sferën e të drejtave të njeriut, të sundimit të ligjit dhe sfera të tjera.

Në anën tjetër, po ashtu, Republika e Kosovës do të ketë qasje të lehtësuar në tregjet e Bashkimit Evropian, asistencë financiare dhe teknike, që do të ndihmojë dhe do të shtyjë performancën e funksionimit të institucioneve demokratike të Kosovës.

Në pikëpamje të relacioneve tregtare dhe bashkëpunimit rajonal si dhe relacioneve fqinjësore, Republika e Kosovës ka ndjekur politikat e ekonomisë së lirë të tregut dhe idesë evropiane për qarkullimin e lirë të mallrave, të shërbimeve dhe ideve, si dhe të njerëzve.

Kosova ka marrë hapa të rëndësishëm edhe më herët duke nënshkruar në vitin 2007 Marrëveshjen CEFTA me vendet e rajonit duke u angazhuar për implementimin e kësaj marrëveshje.

Se jemi partnerë serioz, e kemi vërtetuar në qasjen konstruktive në zgjidhjen e problemeve me vendet fqinje përmes dialogut.

Asistenca financiare përmes instrumentit të asistencës së para-anëtarësimit IPA, paraqet po ashtu një dimension tjetër të rëndësishëm në proceset e Stabilizim-Asociimit me shumë përfitime për Kosovën.

Të gjitha këto fusha janë identifikuar me Programin Kombëtar për implementimin e MSA-së, si dhe me Strategjinë e Zhvillimit, e cila është aprovuar në fillim të këtij viti nga Qeveria dhe po ashtu përmes Programit të Reformave Ekonomike. Një marrëdhënie e tillë mes Qeverisë dhe BE-së, ngushtë e ndërlidhur me anëtarësimin, paraqet mekanizmin kryesor të Qeverisë për monitorimin e reformave.

Qeveria e Kosovës ka hapur dialogun e vazhdueshëm me bizneset. Në vazhdim të kësaj jave dhe javës që vjen, këtu do të lansohet dialogu i rregullt me investitorët në kuadër të Këshillit të Investitorëve Evropianë, për përmirësimin e mëtejmë të klimës për investimeve dhe investitorët evropianë.

Kosova do të avancojë me ndihmën e BE-së, përmes Instrumentit IPA edhe më tutje, duke avancuar zhvillimin demokratik dhe qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zbatimin e ligjit, zbatimin e të drejtave të njeriut,  mbrojtjen e grupeve minoritare dhe grupeve të rrezikuara. Po ashtu, edhe në sferën e energjisë, konkurrencës dhe inovacioneve, në sferën e arsimit, punësimit, politikave sociale, bujqësisë dhe zhvillimit rural, do të kemi mundësi krejtësisht tjera dhe perspektivë të zhvillimit.

Po përsëris një argument të rëndësishëm, se me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, bizneset kosovare do të kenë qasje në një treg prej mbi 500 milionë konsumatorë në 28 vende të Bashkimit Evropian.

Prandaj, liberalizimi i tregut me BE-në do të identifikojë përparësitë krahasuese të ekonomisë tonë dhe do të rris eksportet e kësaj ekonomie. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur trendi i mbulueshmërisë së importeve me eksporte me BE-në, si partner kryesor tregtar, vazhdimisht po përmirësohet. Ndërkaq llogarisim se MSA-ja ofron një mundësi të përmirësimit të mëtejmë të kësaj mbulueshmërie.

Ne po ashtu nuk kemi asnjë brengë se aplikimi i MSA-së do të ndikoj në buxhetin e Republikës së Kosovës, sepse ajo do të zëvendësohet përmes rritjes së kërkesës agregate në treg dhe përmes fuqisë ekonomike e cila do të jetë e ndërlidhur në mënyrë pozitive ndërmjet konsumatorëve dhe tregut.

MSA-ja do të ketë një ndikim pozitiv edhe në rritjen e investimeve të huaja direkte. Investitorët trajtojnë pozitivisht një vend i cili ka marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe një vend i cili është duke zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Kjo marrëveshje është mjaft asimetrike, në favor të Kosovës. Kështu, të gjitha produktet industriale dhe bujqësore të Kosovës do të eksportohen në vendet e Bashkimit Evropian pa asnjë tarifë doganore, me disa përjashtime. Nga ana tjetër, Kosova në mënyrë graduale do t’i eliminojë taksat doganore sipas periudhave të caktuara kalimtare derisa ekonomia e vendit ta zë hapin me konkurrentët e rinj që vijnë nga tregu i Bashkimit Evropian.

Në veçanti, për shkak të rëndësisë që ka prodhimi vendor në ekonomi, janë arritur koncesione të mjaftueshme. Një pjesë domethënëse e produkteve bujqësore dhe industriale si: produkte të qumështit, produkte të grurit, birrë, ujë, produkte plastike, produkte çeliku, çimento, mermer, etj., do të mbrohen nga importi dhe do të liberalizohen brenda 5, 7, dhe 10 viteve pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Në pikëpamje të përfitimeve politike, MSA-ja paraqet themelin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian si hapi i parë zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Për më tepër, Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është Traktat ndërkombëtarë i cili parasheh realizimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe përafrimin e plotë me Bashkimin Evropian, në harmoni me Kriteret e Kopenhagës.

MSA-ja, po ashtu, formalizon dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe dje patëm rastin ta kemi takimin e parë të Komisionit Parlamentar të përbashkët Kosovë-Parlamenti Evropian për Stabilizim Asociim, si një ngjarje shumë historike për Kosovën dhe për të gjithë ne.

Mund të them se Qeveria me miratimin e Programit për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, kalon në periudhën 10-vjeçare të implementimit, nga janari i vitit 2016, dhe i nënshtrohet një procesi të rishikimit për 5 vitet e ardhshme, për çfarë do të dëgjojmë më hollësisht më vonë edhe nga ministri përkatës që mbulon këtë fushë.

Mirëpo ajo që mund të them është se ne do të jemi shumë të përkushtuar që të implementojmë në plotëni këtë Marrëveshje, të bashkëpunojmë me të gjithë partnerët tanë të brendshëm, edhe me bizneset, me Kuvendin e Republikës së Kosovës, me shoqërinë civile, me qytetarët, me të gjithë akterët që janë të lidhur me këtë Marrëveshje, si dhe me asociacionet e tyre, në mënyrë që suksesi jonë të jetë i përbashkët.

Dëshiroj kësaj radhe të falënderoj edhe njëherë Bashkimin Evropian, të falënderoj komisionerin Hahn për angazhimin e tij të veçantë në këtë Marrëveshje, si dhe po ashtu të jap garancionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës se ne do të angazhohemi me përkushtim të madh në implementimin e saj, dhe se implementimi i kësaj Marrëveshje na hap një rrugë të rëndësishme të integrimit tonë në Bashkimin Evropian.

Last modified: 17 Maj, 2016

Comments are closed.

×