Zyra e Kryeministrit

Ministrja Tahiri priti në takim një delegacion të MPJ-së së Finlandës

14 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 14 dhjetor 2015

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, priti sot në takim një delegacion të Ministrisë së Jashtme të Finlandës në përbërje, Juha Ottman, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Departamentit për Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, Aleksi Vakkuri, këshilltar në Njësinë për Zgjerim të BE-së dhe Ballkanin Perëndimor të shoqëruar nga ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki dhe Lari Peltonen, zëvendësshef i Misionit në Kosovë.

Ministrja Tahiri vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve dhe falënderoi Finlandën për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën në aspektin diplomatik, ekonomik dhe reformave euroatlantike.

Ministrja Tahiri theksoi rëndësinë e përkrahjes së Finlandës përmes projekteve konkrete për rrugën e reformave për përafrimin e Kosovës me BE-në. Ajo tha se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe BE-së, ka vendosur Kosovën në rrugën zyrtare për integrimin në BE dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në. Ministrja Tahiri, po ashtu, kërkoi përkrahjen e Finlandës për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke e vlerësuar të rëndësishëm për forcimin e një klime evropiane për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik me qëllim thithjen e investitorëve potencial nga BE, por edhe vendet anëtare. “Kosova luan rol paqësor dhe stabilizues në rajon, gjë e cila po dëshmohet edhe me përkushtimin tonë në dialogun e Brukselit që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore edhe me Serbinë, me të cilën kemi pasur një histori lufte e armiqësie”, tha Tahiri.

Delegacioni finlandez siguroi vazhdimin e mbështetjes së Finlandës për perspektivën euroatlantike të Kosovës duke vlerësuar progresin e deritashëm për shtetndërtimin demokratik të Kosovës. Ata, po ashtu, theksuan se Finlanda mbështet dialogun për fqinjësi të mirë e cila po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dhe do të vazhdoj përkrahjen në fusha konkrete si edhe deri më tani. 

Last modified: 14 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×