Zyra e Kryeministrit

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, priti në takim ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler

11 Nëntor, 2015

Prishtinë, 11 nëntor 2015
 
Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur sot në takim  ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

Në këtë takim, ministrja Tahiri shprehu kënaqësinë për ardhjen e serishme në mision diplomatik në Kosovë të ambasadorit Pfandler dhe e falënderoi për kontributin e tij për Kosovën në periudhën historike të shpalljes së pavarësisë më 2008, kur ai ishte shef i misionit të Austrisë në Kosovë.
 
Në takim, ministrja Tahiri ka falënderuar shtetin austriak për ndihmën e vazhdueshme që po i jep Kosovës në përgjithësi si dhe përkrahjes në proceset që lidhen me agjendën euroatlantike të Kosovës. Ajo ka folur për progresin e arritur në Kosovë duke theksuar se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, ka hapur rrugën zyrtare të Kosovës për anëtarësim në BE dhe shërben si një hap i rëndësishëm për Kosovën drejt reformave evropiane. Në emër të Qeverisë së Kosovës, ajo  ka shprehur përkushtimin e plotë për përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja. Ministrja Tahiri njëkohësisht theksoi se Kosova me të drejtë pret liberalizimin e vizave nga BE-ja sa më shpejtë sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen e lirë në Evropë.
 
Ministrja Tahiri po ashtu, vuri në dukje kontributin e Kosovës për paqe dhe stabilitet rajonal përmes fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, e cila po dëshmohet edhe në angazhimet serioze të Kosovës në dialogun e Brukselit. Në këtë kontekst, ministrja Tahiri kërkoi nga Bashkimi Evropian angazhim më të fuqishëm sa i përket procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në këtë dialog duke i mos toleruar pengesat dhe vonesat që po shkaktohen nga ana e Serbisë dhe synimeve të saja për ndërhyrje në shtetin e Kosovës.
 
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler vlerësoi progresin e arritur deri tani në Kosovë duke shtuar se Kosova ka bërë përparime mjaft të mëdha që nga koha kur ai ka shërbyer në Kosovë para shtatë vjetësh. Ai uroi Kosovën për marrëveshjen e Stabilizim Asociim me BE duke thënë se Kosova ka vendosur marrëdhënie kontraktuale me BE-në, tashmë. Ambasadori Pfandler tha se Austria sikurse në të gjitha kohët e rëndësishme për shtetin e Kosovës do të vazhdojë përkrahjen e fuqishme për Kosovën drejt rrugëtimit të saj në integrime euroatlantike. Duke vlerësuar dialogun e Brukselit ai po ashtu shtoi se shteti i tij vazhdon të përkrah dialogun si një proces kyç për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy vendeve dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës në përgjithësi.

Ambasadori Pfandler njëherit konfirmoi angazhimin e Austrisë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral në mes të dy vendeve.

Last modified: 11 Nëntor, 2015

Comments are closed.

×