Zyra e Kryeministrit

Ministrja Edita Tahiri: Revitalizimi i urës fillon më 14 gusht 2016 nga ana e BE-së

5 Gusht, 2016

Prishtinë, 5 gusht 2016
 
Ministrja për Dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, njofton opinionin se revitalizimi i urës dhe heqja e barrikadës mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë fillon më 14 gusht 2016 dhe këtë proces do ta realizojë Bashkimi Evropian.
 
Me këtë rast ajo konfirmon se negociatat njëzet orëshe që u zhvilluan në Bruksel me datë 2 deri më 3 gusht 2016 sollën rezultatet dhe Bashkimi Evropian tashmë ka bërë deklaratën zyrtare e cila shpjegon të gjitha hapat praktike dhe afatet deri në përfundimit e procesit të revitalizimit dhe heqjes së barrikadës.
 
Ministrja Tahiri thekson se më në fund, pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh të përfundimit të luftës  në Kosovë, ura e Mitrovicës do të jetë një urë e lirë bashkuese si në gjithë botën dhe ajo do të shërbejë për lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve dhe automjeteve ashtu siç është përcaktuar në marrëveshjen e Brukselit të datës 25 gusht 2015 nënshkruar nga kryeministrat e të dyja shteteve dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së znj. Frederika Mogherini. Heqja e barrikadës dhe hapja e urës për qarkullim të lirë e të plotë do ta bëjë urën sinonim të normalizimit të relacioneve dhe bashkëpunimit në mes të komuniteteve atje pra shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve, më këtë rast Qeveria e Kosovës po e përmbush premtimin ndaj qytetarëve të cilët gjithmonë e dëshiruan këtë urë të jetë e lirë.
 
Më këtë rast, ministrja Edita Tahiri falënderon Bashkimin Evropian për angazhimin maksimal për zbatimin e kësaj marrëveshje si dhe thekson se durimi i BE-së ndaj zvarritjes së këtij procesi megjithatë në fund doli me rezultate, poashtu i falënderon gjithë partnerët ndërkombëtarë, SHBA-të, vendet anëtare të BE-së, Gjermaninë, Francën, Italinë, Britaninë, etj, të cilët u angazhuan maksimalisht që kjo marrëveshje të zbatohet në funksion të normalizimit të marrëdhënieve mes të dyja shteteve si dhe në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon, gjithashtu e falënderon, Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe misionin e EULEX-it që gjatë kësaj periudhe të zvarritjes arritën të japin kontribut për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në këtë pjesë të vendit tonë. Ministrja Edita Tahiri falënderon poashtu edhe grupin shtetëror për marrëveshjen e Brukselit për heqjen e barrikadës të cilët dhanë kontribut të madh në këtë çështje.
 
Ministria për Dialogun bashkangjitur këtij njoftimi e dërgon për media edhe komunikatën zyrtare të Bashkimit Evropian në gjuhën angleze e cila së shpejti do të dalë edhe në gjuhën shqipe përkthyer zyrtarisht nga Bashkimi Evropian:
 
http://eeas.europa.eu/statements-eeas/2016/160805_02_en.htm 

Last modified: 5 Gusht, 2016

Comments are closed.

×