Zyra e Kryeministrit

Ministrja Edita Tahiri priti në takim Shefin e ri të zyrës politike dhe ekonomike të Ambasadës amerikane z.Steve Banks

25 Korrik, 2016

Prishtinë, 25 korrik 2016

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, priti sot në takim Shefin e ri të zyrës politike dhe ekonomike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, z. Steve Banks i cili ishte i shoqëruar nga znj. Mary Glantz, Zëvendës/Shefe e Zyrës politike dhe ekonomike.

Ministrja Tahiri i uroi mirëseardhje dhe suksese në postin e ri z. Banks duke shprehur bindjen për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në të gjitha sferat e rëndësishme për të dyja vendet.  Ajo theksoi se arritjet historike të shtetit të Kosovës janë të lidhura ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që është dhe mbetet aleati ynë strategjik në realizimin e vizionit tonë për një Kosovë euroatlantike. Më tej ministrja Tahiri foli edhe për objektivat e Qeverisë së Kosovës duke theksuar përkushtimin në aspektin e zhvillimit demokratik dhe ekonomik të vendit, sundimin e ligjit dhe luftën e pa kompromis kundër korrupsionit në Kosovë sipas standardeve euroatlantike, si dhe për arritjen e një fqinjësie të mirë dhe stabilitet në rajon.

Ndërsa, sa i përket dialogut të Brukselit dhe zbatimit të marrëveshjeve, ministrja Tahiri shprehu përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-të dhe ambasadën amerikane në Kosovë, duke vlerësuar lartë rolin e  SHBA-ve për dialogun për fqinjësi të mirë mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së. Ministrja në vazhdim tha se Qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht për vendosjen e sistemit shtetëror të drejtësisë në veri të vendit si dhe së shpejti do të vendosen edhe një numër i madh i ministrive dhe agjencive në atë pjesë të vendit. Këto janë zhvillime pozitive në drejtim të shtrirjes dhe konsolidimit të sovranitetit shtetëror në veri të vendit të munguara për një kohë të gjatë dhe kjo po arrihet në saje të dialogut të Brukselit për fqinjësi të mirë, tha ministrja Tahiri. Ajo përmendi bllokadën që Serbia po e bënë sidomos në lidhje me marrëveshjen për kodin shtetëror telefonik për Kosovën, marrëveshjen për funksionimin e pavarur të sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT) dhe vonesat në heqjen e barrikadës nga Ura e Ibrit në Mitrovicë, duke theksuar rëndësinë e angazhimeve diplomatike për zhbllokimin e këtij procesi. Ajo shtoi se zbatimi i këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë hap rrugën për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin.
 
Diplomati amerikan Steve Benks shprehu kënaqësinë për detyrën e tij të re e cila do t’i jap mundësi të angazhohet për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve ndërkaq siguroi se përkrahja e Qeverisë amerikane për forcimin e shtetit të Kosovës do të jetë e fuqishme dhe e vazhdueshme. SHBA-të mbështesin perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe ne mbështesim dialogun e Brukselit si një proces që po ndihmon paqen dhe sigurinë në rajon dhe po e ndihmon Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe bashkësinë euroatlantike.

Last modified: 25 Korrik, 2016

Comments are closed.

×