Zyra e Kryeministrit

Ministrja Edita Tahiri mbajti ligjëratë në Akademinë Diplomatike me diplomatë të ri nga mbarë bota

12 Maj, 2016

Prishtinë, 12 maj 2016

Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri mbajti ligjëratë në edicionin e tretë të Shkollës Pranverore për diplomatë të rinj të organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung, që po mbahet në Prizren.

Ministrja Tahiri ligjëroi në temën “Integrimet euroatlantike dhe dialogu” ku ndër të tjerash foli për proceset zhvillimore në Kosovë që nga periudha e luftës për liri dhe pavarësi deri në ditët e sotme të ndërtimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Tahiri tha se filozofia jonë politike për shtetin drejtohet nga vizioni euroatlantik për Kosovën. Qëllimet tona strategjike janë forcimi i shtetit nga brenda mbi parimet themelore të demokracisë dhe sundimit të ligjit që është një kusht i domosdoshëm për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në BE, NATO, OKB dhe organizata tjera relevant. Ajo foli për progresin në rrugën e integrimeve euro-atlantike ku përmendi si suksese të mëdha Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit mes Kosovës dhe BE-së si dhe liberalizimin e vizave, duke potencuar se ardhmëria euro-atlantike e Kosovës  është aspiratë dhe inspirim i yni për të thelluar reformat në çdo fushë. Pastaj ajo theksoi se Kosova edhe pse një shtet i ri po dëshmon se është një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dhe angazhimi ynë për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal është demonstruar edhe në dialogun e Brukselit. Ministrja Tahiri siguroi pjesëmarrësit se Kosova mbetet e angazhuar për thellimin e marrëdhënieve bilateral me gjithë shtetet në botë, me ato që e kanë njohur Kosovën si dhe me ato që nuk e kanë njohur sepse një ditë do ta njohin Kosovën. Ajo ftoi këto vende që njohjen e Kosovës ta bëjnë si kontribut jo vetëm për Kosovën, por edhe paqen në rajon. Më tej, ajo foli për sfidat rajonale ku përmendi nevojën për përforcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit, krizën e refugjatëve dhe luftimin e terrorizimit ndërkombëtar, duke thënë se rajoni nuk ka kapacitetet të mjaftueshme për përballimin e tyre, prandaj duhet përshpejtuar integrimet evropiane dhe euro-atlantike në të mirë të një paqe të përhershme. Ministrja Tahiri pastaj iu përgjigj edhe shumë pyetjeve të pjesëmarrësve si dhe falënderoi drejtorin e Akademisë, Skender Durmishi dhe drejtorin e
Fondacionit Friedrich Prof. Dr. Wulf Lapins për ftesën që të merr pjesë në këtë Konferencë.

Ministrja Tahiri pas ligjëratës para diplomatëve të ri, vazhdoi bashkëbisedimin nga afër me disa nga pjesëmarrësit, me znj. Agnieszka Hrdej-Januszek nga Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë, Dr. Valbona Zeneli, George C. Marshall në Gjermani, z. Thanachai Thapthong, Ministria e Punëve të Jashtme e Tajlandës konsullin e përgjithshëm nga Kostarika z. Guillermo Rojas Vargas, dhe Ambasadorin Gjerman Hans-Fochen Schmidt, Prof, dr. Ronald K.McMullen, Universiteti Iowa.

Last modified: 12 Maj, 2016

Comments are closed.

×