Zyra e Kryeministrit

Mesazhi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 12 qershorit, Ditës së Paqes

12 Qershor, 2011

Prishtinë, 12 qershor 2011
 
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
 
12 Qershori, Dita e Paqes, shënon Ditën e Çlirimit të Kosovës, ditë për të cilën çdo qytetar i vendit tonë ka kontribuar dhe sakrifikuar.
 
Në dymbëdhjetë vjetorin e çlirimit të Kosovës, kujtojmë simbolin e rezistencës së gjithë qytetarëve të Kosovës, babain e Pavarësisë së Kosovës, komandanti legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjen e tij heroike.
 
Në këtë përvjetor të shënimit të Ditës së Paqes, Republika e Kosovës është njohur nga 76 shtete të botës, si dhe po arrin suksese të vazhdueshme në të gjitha fushat, që nga avancimi i infrastrukturës së gjithanshme, në arsim, në zhvillimin ekonomik dhe në sfera tjera.
 
Përvjetori i dymbëdhjetë i çlirimit, Republikën e Kosovës e gjen me fillimin e hovshëm të realizimit të projektit historik – Autostradës Vërmicë- Merdarë, Autostradës së Kombit dhe në përgatitjet përfundimtare për fillimin e austradës tjetër, asaj Prishtinë-Shkup. Ëndërra e kahmotshme e qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për integrim, po bëhet realitet.
 
Në Ditën e Paqes, falënderimi u takon edhe eprorëve dhe ushtarëve të aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s, të cilët në momentet më të vështira dhe më vendimtare u vunë në mbrojtje të vlerave të qytetërimit në Kosovë.
 
Në këtë ditë të madhe, institucionet dhe populli i Republikës së Kosovës shprehin mirënjohjen e lartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe të gjitha vendet e tjera demokratike, të cilat me përkrahjen e vazhdueshme dhe në të gjitha fushat e ndihmuan dhe po e ndihmojnë ndërtimin e shtetit tonë.
 
Sot, në këtë ditë të rëndësishme për atdheun tonë, i garantoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë se do të fuqizojmë edhe më tej përkushtimin tonë institucional për plotësimin e të gjitha kritereve dhe standardeve për integrim në institucionet euro-atlantike. Agjendë kryesore e Qeverisë së Republikës së Kosovës është agjenda evropiane.
 
Gëzuar Dita e madhe e Paqes!

Last modified: 12 Qershor, 2011

Comments are closed.

×