Zyra e Kryeministrit

Mesazhi i Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 10 vjetorit të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

11 Shtator, 2011

Në tekstin e mesazhit thuhet:

Prishtinë, 11 shtator 2011

Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin ndër ngjarjet më tragjike që goditën popullin amerikan, disa nga institucionet e saj dhe mbarë botën demokratike.
 
Këto sulme terroriste u drejtuan ndaj vendit më të fuqishëm të demokracisë botërore, simbolit të lirisë dhe shtetit kampion në investimet për paqe, siguri dhe stabilitet në përmasa globale.
 
Sulmet e 11 shtatorit e rikonfirmuan shpirtin e madh të kombit amerikan, që di t’i përballojë tragjeditë, duke krijuar unitetin dhe solidaritetin e paparë për t’i tejkaluar sfidat.
 
Me sulmet e 11 shtatorit nuk u godit vetëm SHBA-ja, por edhe tërë bota demokratike, me simbolin e kullave binjake, duke bërë që dhembja të merr përmasa botërore, ashtu si dhe solidarizimi me fatin e viktimave tragjike.
 
Sulmet e 11 shtatorit zbuluan fuqinë dhe potencialet e pafundme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vizionin dhe vendosmërinë për t’iu kundërvënë së keqes, errësirës dhe atyre forcave që duan ta kthejnë mbrapshtë historinë e kulturës dhe civilizimit.
 
Sot, pas dhjetë vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dalin gjithnjë e më të fuqishme përballë forcave të organizuara terroriste, duke dëshmuar epërsinë e pakrahasuar të vlerave të demokracisë të lirisë, duke përmbysur  regjime diktatoriale, duke rritur hapësirën gjeografike dhe politike të shoqërive demokratike.

Dhjetë vjet më parë qytetarët dhe institucionet e Kosovës u solidarizuan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përjetuar rëndë sulmet terroriste mbi një vend mik, që kishtedhënë kontribut thelbësor në çlirimin e vendit tonë.
 
Qytetarët e Kosovës gjithmonë u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmesën e dhënë në rrugën e lirisë dhe të ndërtimit të demokracisë së shtetit tonë të ri, të lirë dhe të pavarur.
 
Qytetarët dhe institucionet e Kosovës shprehin besimin e plotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë përherë në ballë të betejave për mbrojtjen e lirisë, përhapjen e demokracisë, ruajtjen e paqes dhe sigurisë në shkallë botërore.

Last modified: 11 Shtator, 2011

Comments are closed.

×