Zyra e Kryeministrit

Mbledhja e 132-të e Qeverisë

8 Mars, 2023

Prishtinë, 8 mars 2023

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, e 132-ta me radhë, në të cilën ka:
Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për aprovimin e kritereve, kushteve për shpalljen e konkursit, si dhe procedurat e aplikimit të përzgjedhjes së projektit për kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Personat e dhunuar gjatë luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-172. Me ndryshimet dhe plotësimet në ketë ligj do të zgjatet afati i aplikimit për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

Miratuar Planin Kombëtar për Zhvillim, i cili është dokumenti kryesor strategjik i vendit, që përcakton prioritetet zhvillimore dhe objektivat strategjike afatgjate. Pjesë organike dhe zbërthim i SKZH-ë 2030, është edhe Plani Kombëtar për Zhvillim (PKZH), që përmban veprimet për 3 vite dhe i cili rishikohet dhe plotësohet në baza vjetore. Nëpërmjet këtij Plani synojmë që qeverisja jonë të jetë transformuese, të rrisim cilësinë e jetesës për qytetarët, të ngrisim mirëqenien e tyre dhe të kemi zhvillim të qëndrueshëm edhe për gjeneratat e ardhshme.

Miratuar Deklaratën e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë 2024-2026. Ajo përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e Kornizë Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetin vjetor e hartuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Qëllimi i kësaj kornize është të vendosë disiplinë të mëtejme në mënyrën se si bëhet planifikimi dhe se si mekanizmat e menaxhimit sigurojnë zbatimin e asaj çfarë është planifikuar, si dhe monitorimin e raportimin përkatës.

Emëruar z.Gazmend Hoxha në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Themeluar Komisionin për Vlerësimin e Sistemeve Shtetërore të Informacionit dhe Komunikimit me Rëndësi Strategjike. Komisioni është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave nga institucionet që kanë të bëjnë me sistemin shtetëror të informacionit dhe komunikimit me rëndësi strategjike sipas Rregullores për Ekspertët. Brenda afatit të përcaktuar në Rregullore për Ekspertët i dërgon Qeverisë për aprovim Listën e Ekspertëve të kategorizuar në shtojcën për Pagat në Sektorin Publik.

Rizgjatur mandatin e z.Naim Gashi në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Mandati i vazhdohet për 4 vite.

Miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i “Zonës Ekonomike Industriale”, Komuna Podujevë. Për realizimin e këtij projekti kërkohet shpronësimi i pronave publike të paluajtshme të ish “Kooperativës Bujqësore”, Podujevë, të Zonës Kadastrale Livadicë të Komunës së Podujevës.

Aprovuar kërkesën për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i rrugës nacionale N9, Kijevë-Zahaq, segmenti Kijevë –Dollc në zonat kadastrale të Komunës së Malishevës dhe Komunës së Klinës.

Miratuar Planin për Harmonizimin e Ligjeve të Veçanta me Ligjin për Procedurat e Përgjithshme Administrative. Departamenti Ligjor i Ministrisë së Punëve të Brendshme do të zbatojë Planin për Harmonizimin e Ligjeve të Veçanta me Ligjin për Procedurat e Përgjithshme Administrative në përputhje me Rregulloren për Shërbimin Ligjor Qeveritar dhe legjislacionin përkatës në fuqi.

Miratuar Koncept-dokumentin për “Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës”.

Miratuar Projektligjin për Produktet Medicinale, i cili rregullon tregun e barnave në Kosovë, mbron qytetarët nga abuzimet me çmimet e barnave dhe avancon shërbimet shëndetësore në vendin tonë. Ky projektligj ndërlidhet me prioritetin e Qeverisë për sigurimin e barnave të nevojshme dhe me kosto të përballueshme për qytetarët dhe institucionet e Republikës.

Ndarë 1.5 milionë euro për realizimin e pagesave në kuadër të pakos për përpalljen me inflacionin për të gjithë punëdhënësit në sektorin privat, të cilët ua kanë rritur pagat të punësuarve të tyre. Sipas komisionit vlerësues janë rreth 17 mijë punëtorë të sektorit privat, të cilët kanë përfituar nga rritja e pagës përmes kësaj mase.

Last modified: 8 Mars, 2023

Comments are closed.

×