Zyra e Kryeministrit

Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës

30 Janar, 2008

Prishtinë, 30 janar 2008
 
Nën drejtimin e Kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, sot është mbajtur mbledhja e katërt e Qeverisë së Kosovës, në të cilën kryeministri ka informuar kabinetin i ministrave për vizitën e tij në Bruksel, me ç’rast ai ka thënë se nga Brukseli ka marrë konfirmimin se ekziston një qëndrim unik i BE-së dhe SHBA-ve për zgjidhjen e statusit të Kosovës. 

Në vazhdim Qeveria ka miratuar Vendimin për vendosjen e IPVQ-ve nga objektet private në ato publike (ZKM), përmes të cilit synohet që të gjitha institucionet qeveritare që janë të vendosura në objekte private të vendosen sa më shpejtë që të jetë e mundshme në objekte publike. Për këtë është autorizuar Ministria e Shërbimeve Publike që brenda afatit prej 15 ditësh t’ia paraqesë kabinetit të ministrave për miratim raportin e institucioneve të vendosura në objekte private dhe planin e detajuar të tyre për vendosje në objekte publike. Po ashtu është kërkuar nga të gjitha ministritë që të bashkëpunojnë me Ministrinë e Shërbimeve Publike, me qëllim të harmonizimit të veprimeve dhe hartimit të planit të vendosjes, në mënyrë që ky proces të përfundojë brenda këtij viti.

Gjithashtu është aprovuar edhe Vendimi për ndërtimin e objekteve shkollore në të gjitha lokacionet ku mësimi zhvillohet në objekte të improvizuara (ZKM). Si hap i parë do të jetë ndërtimi i 14 objekteve shkollore që do të zëvendësojnë objektet e improvizuara, ndërsa si hap i dytë do të jetë ndërtimi i objekteve shkollore për të lehtësuar procesin mësimor në shkollat ku procesi mësimor zhvillohet me ndërrime. Ndërtimi i objekteve të reja shkollore duhet të përfundojë deri më 1 shtator 2008, në mënyrë që viti i ri shkollor të fillojë në objekte të reja mësimi. Kjo vlen për kategorinë e parë ku mësimi zhvillohet në objekte të improvizuara. Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Shërbimeve Publike dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar është aprovuar edhe Plani i Punës për 100 ditët e para të Qeverisë (ZKM), me ç’rast Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka koordinuar punët me ministritë për përgatitjen e këtij plani.

Po kështu është aprovuar Vendimi për hartimin e Planit të Veprimit për Partneritetin Evropian (AIE-ZKM), i cili do të përgatitet në përputhje me afatet kohore të caktuara nga Agjencia për Integrim Evropian, ndërsa për zbatimin e këtij vendimi është obliguar Zyra e Kryeministrit, ministritë dhe të gjitha institucionet relevante. 

Po sot është aprovuar Vendimi për fillimin e auditimit të jashtëm në të gjitha institucionet qeveritare (ZKM), ku pjesë të tij do të jenë të gjitha institucionet e Kosovës. Në vendim kërkohet nga Zyra e Auditorit Gjeneral që të fillojë auditimin e të gjitha institucioneve pavarësisht prej auditimeve të brendshme që funksionojnë në bazë të ligjit. Auditimi do të përfshijë të gjitha institucionet nga legjislatura e kaluar dhe nga kjo e tashmja. Me ketë rast obligohet Zyra e Kryeministrit për procedimin e kërkesës në Zyrën e Auditorit Gjeneral, si dhe ngarkohen të gjitha institucionet për zbatimin e këtij vendimi.

Gjithashtu është aprovuar edhe vendimi për themelimin e Komisionit të Akreditimit për institucionet e arsimit të lartë (ZKM), me qëllim që akreditimi i këtyre institucioneve të jetë në përputhje me standardet më të larta për arsimin privat dhe publik. Me ketë rast është obliguar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për funksionalizimin sa më të shpejtë të këtij Komisioni, i cili do të përbëhet nga ekspertë ndërkombëtarë.

Në fund është aprovuar edhe Vendimi për hartimin e planit të kthimit të kuadrove të shkolluara jashtë vendit (ZKM), për hartimin e të cilit është obliguar Ministria e Shërbimeve Publike.

Last modified: 30 Janar, 2008

Comments are closed.

×