Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi uron të gjithë shërbyesit civilë të Kosovës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Civil

23 Qershor, 2010

Prishtinë, 23 qershor 2010

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi uron të gjithë shërbyesit civilë të Kosovës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Civil.

Në telegramin e urimit thuhet:

Të nderuar shërbyes civilë të Kosovës,

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Shërbimit Civil, kam nderin dhe privilegjin që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju të gjithë shërbyesve civilë të Republikës së Kosovës, t’ua uroj këtë ditë të rëndësishme për administratën publike të vendit tonë.

Në këtë ditë të shënuar, shfrytëzoj rastin të vlerësoj lartë kontributin dhe përkushtimin tuaj për funksionimin e administratës publike në shërbim të qytetarëve.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar fuqishëm në avancimin e administratës publike të shtetit tonë, duke ndërtuar kështu një administratë publike të qëndrueshme, profesionale, efikase dhe transparente.

Në këtë kuadër, qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë që janë të ndërlidhur drejtpërdrejtë me procesin e Reformës së Administratës Publike, proces ky shumë i rëndësishëm për funksionimin e shtetit të Kosovës.

Miratimi i Ligjit për Shërbimin Civil, që rregullon qartë statusin e shërbyesve civilë, konform detyrave dhe përgjegjësive që kanë, rritja e pagave për të gjithë shërbyesit civilë, janë ndër hapat pozitivë që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në përmbushjen e vizionit tonë për reformimin substancial të administratës publike.

Në Ditën Ndërkombëtare të Shërbimit Civil, dua të potencoj edhe njëherë përkushtimin tonë të gjithanshëm për përmbushjen me sukses të të gjitha kritereve për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike, duke përfshirë këtu edhe kriteret për funksionimin e një administrate publike bashkëkohore, në shërbim të interesave të qytetarëve.

Urime!

Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Last modified: 23 Qershor, 2010

Comments are closed.

×