Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi uron këngëtaren kosovare Rona Nishliun për suksesin në Festivalin e Këngës Evropiane “Eurovision”

27 Maj, 2012

Kryeministri i Republikës së Kosovës  Hashim Thaçi uron këngëtaren kosovare Rona Nishliun për përfaqësimin dinjitoz dhe të suksesshëm të vlerave të Kosovës nën flamurin kombëtar në festivalin e këngës evropiane “Eurovision”.
 
Në urimin e kryeministrit Thaçi thuhet
 
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim shpreh urimet më të mira për suksesin e këngëtares kosovare, Rona Nishliu, e cila i përfaqësoi në mënyrë dinjitoze vlerat e Kosovës nën flamurin kombëtar shqiptar në festivalin e Këngës Evropiane “Eurovision”
 
Talenti i rrallë i interpretimit i Ronës dhe emocionet që ajo i përcolli në skenën e Bakusë i lanë të mahnitur teleshikues nga të gjitha vendet e Evropës, të cilët përmes votave të tyre bënë që këngëtarja kosovare të radhitet lartë në këtë garë.
 
Rona tregoi cilësitë lartë, në një kompozim po ashtu të shkëlqyer të kompozitorit Florent Boshnjaku, duke arritur madje të vlerësohet lartë nga shumë media botërore, që e krahasuan me diva të mëdha të botës së muzikës.
 
Rona Nishliu është shembulli më i mirë i suksesit të të rinjve të Kosovës, të cilët kanë vlera dhe potencial të madh në të gjitha fushat, me theks të veçantë në art, kulturë dhe në sport.
 
Suksesi i Ronës është inspirues për të rinjtë tjerë, që të sfidojnë veten në gara të tilla  ndërkombëtare.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura dhe të përkushtuara thellësisht që shumë shpejt të rinjtë tanë të kenë mundësi të përfaqësojnë Republikën e Kosovës, në mënyrë që të shpalosin vlerat evropiane të shtetit demokratik të Kosovës në gara të ndryshme muzikore dhe sportive anë e kënd botës. 

Hashim Thaçi
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Last modified: 27 Maj, 2012

Comments are closed.

×