Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi takon z. Muhamer Ibrahimin, dizajnuesi i flamurit të Kosovës

23 Shkurt, 2008

Prishtinë, 23 shkurt 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në një takim dizajnuesin e flamurit dhe stemës së Republikës së Kosovës, Muhamer Ibrahimi.

Kryeministri Thaçi duke uruar dizajnuesin Ibrahimi për dizajnimin e flamurit të Republikës së Kosovës, ka thënë se ndihet shumë mirë që shpirti, mendja, sakrifica, ideja, ideali, por edhe dora e ish-luftëtarit të lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka prezantuar dhe dizajnuar simbolin e ri të Kosovës, flamurin shtetëror të Kosovës, që do të valojë edhe në OKB dhe në gjithë botën për jetë të jetëve. “Muhameri ka bërë një punë të mrekullueshme në atë konkurrencë të jashtëzakonshme profesionale. Ideal i luftës për liri tash po ngadhënjen edhe në betejën për dizajnimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.

Autori i flamurit dhe stemës, Muhamer Ibrahimi, duke shpjeguar përmbajtjen e flamurit ka theksuar se ngjyra e kaltër në flamurin e Republikës së Kosovës paraqet aspiratat e popullit të Kosovës për të ecur përpara drejt institucioneve euroatlantike, gjashtë yjet paraqesin komunitetet e barabarta të cilat jetojnë në vend, ndërsa për ngjyrën e arit të paraqitur në hartë, ka thënë se e ka për zemër.

Z. Muhamer Ibrahimi i ka dhuruar kryeministrit Thaçi kopjen e parë të dizajnuar të flamurit të Republikës së Kosovës dhe i ka uruar atij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës shtetin e ri dhe të pavarur. 

Last modified: 23 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×