Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi takohet me ambasadorin amerikan Wisner, me gjeneralin Clark, Princin e Sulltanatit të Bruneit, me Emirin e Katarit, si dhe me kryediplomatin grek

21 Shtator, 2011

21 shtator 2011
 
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me ish-ndërmjetësin amerikan për statusin e Kosovës, ambasadorin Frank Wisner dhe ish-gjeneralin e NATO-s Wesley Clark. Në këto takime, kryeministri Thaçi ka shprehur mirënjohje për rolin dhe kontributin që gjenerali Clark dhe ambasadori Wisner kanë dhënë për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
 
Republika e Kosovës është një storie suksesi dhe në këtë sukses, SHBA-të kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rol substancial, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Me këtë rast, ambasadori Wisner dhe gjenerali Clark kanë shprehur vlerësime pozitive për punën e Qeverisë së Kosovës, e në veçanti të kryeministrit Thaçi, si dhe kanë shprehur gatishmërinë të vazhdojnë t’a ndihmojnë edhe më tutje  Kosovën në proceset integruese  euroatlantike.
 
Gjatë ditës, kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar takime edhe me Emirin e Katarit Sheikh Hamad bin Khalifa al-Thani. Në takim, kryeministrit Thaçi i është premtuar se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e njohjeve të reja ndërkombëtare.
 
Kryeministri Thaci, po ashtu, ka zhvilluar takim edhe me Princin e Sulltanatit të Bruneit, Haji Al-Muhtadee Billah Ibni, nga i cili ka marrë premtime se ky vend shumë shpejt do t’a shqyrtojë njohjen e shtetit të Kosovës.
 
Po sot, kryeministri Thaçi ka zhvilluar edhe një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimiutris Droutsas, i cili e ka siguruar kryeministrin e Kosovës se Greqia do të luajë rol konstruktiv në procesin e integrimeve evropiane për Kosovën.
 
Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë ka ripërsëritur qëndrimin e qeverisë greke se perspektiva e Kosovës tashmë është e qartë, ajo është perspektiva evropiane.

Last modified: 21 Shtator, 2011

Comments are closed.

×