Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Rugova është emër i krenarisë shqiptare, vend i traditës folklorike, vend i vlerave unike kulturore

10 Qershor, 2011

Prishtinë, 10 qershor 2011
 
Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi mbajtur në këtë ceremoni:
 
Të nderuar pjesëmarrës
 
Zonja dhe zotërinj
 
Sot është 133 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i organizatës më të rëndësishme politike dhe ushtarake kombëtare, pas rezistencës çerek shekullore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në shekullin 15.
 
Lidhja Shqiptare Prizrenit një ndër qëllimet kryesore kishte mbrojtjen e territoreve të katër vilajeteve shqiptare, përmes qeverisë provizore, duke ngritur struktura mbrojtëse kundër  synimeve të fqinjëve përreth.
 
Në kuadër të rezistencës së organizuar nga kreu politik dhe ushtarak i Lidhjes së Prizrenit, Rugova pati fatin historik dhe gjeografik që të jetë në ballë të mbrojtjes së territoreve shqiptare që i aspironte Mali i Zi.
 
Beteja e Nokshiqit e 4 dhjetorit 1879 ishte kundërvënia e parë ndaj vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e tokave shqiptare.
 
Në këtë betejë u dalluan shumë luftëtarë nga kjo krahinë historike, e cila vetëm para dhe gjatë Rilindjes Kombëtare dha  47 personalitete të shquara të lëvizjes për liri.
 
Në këtë betejë u shquan Rexhajt e Shkrelit, që u bënë simbol i fitores së betejës së Nokshiqit, sidomos luftëtarët Adem Isufi dhe Rexhë Avdija.
 
Nga Rugova ishte gjenerali Çelë Shabani, që bie heroikisht në mbrojtje të Plavës dhe Gucisë, një muaj pas Betejës së Nokshiqit
 
Rugova gjithmonë ka qenë pjesë e historisë shqiptare.
 
Ajo dha kontribut të shquar gjatë Rilindjes Kombëtare, duke vazhduar me luftën kaçake ndërmjet dy luftërave botërore.
 
Pas luftës së Dytë Botërore, Rugova nga gjiri saj nxori veprimtarë të shquar në lëvizjen për çlirim: në Demonstratat e viti 1968, në  ato të viti 1981 dhe në lëvizjen studentore
 
Rugova me krenari dhe dinjitet ishte e pandashme me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
Ajo dha 17 dëshmorë të lirisë.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Rugova është emër i krenarisë  shqiptare,  vend i traditës folklorike, vend  i vlerave unike kulturore.
 
Ngritja e këtij Memoriali është një konfirmim simbolik për historinë e begatë të këtij vendi.

Last modified: 10 Qershor, 2011

Comments are closed.

×