Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Republika e Kosovës tashmë është faktor serioz i bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e sundimit të ligjit

25 Qershor, 2010

Prishtinë, 25 qershor 2010

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi në konferencën për implementimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kundër Drogave

I nderuari shef i EULEX-it z. Kermabon
I nderuar Kryetar i Gjykatës Supreme,
I nderuar Kryeprokuror i Shtetit,
Të nderuar Ministra, Zëvendësministra,

Të nderuar Përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare dhe përfaqësues të Ambasadave të akredituara në Kosovë;

Zonja dhe zotërinj;

Për mua është kënaqësi e veçantë të jem sot me ju për të diskutuar lidhur me problemin e parandalimit të përdorimit të drogës në shoqërinë tonë. Problemi i përdorimit të drogës i cili më të drejtë konsiderohet si një problem global, kërkon edhe qasje dhe koordinim të përbashkët për luftimin e kësaj dukurie shumë të rrezikshme për njerëzimin në tërësi.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës që ka nga dita e parë e punë sime kam qenë dhe mbes thellësisht i përkushtuar që mekanizmat tonë shtetëror përgjegjës për tu ballafaquar më këtë problematikë, të jenë në krye të detyrës dhe të jenë të pa kompromis në luftimin e kësaj dukurie negative.

Në këtë aspekt, unë e çmoj bashkëpunimin e mirë që ekziston ndërmjet institucioneve të tona shtetërore,  atyre ndërkombëtare si dhe kontributin e çmuar të organizatave jo-qeveritare.

Rezultat i këtij bashkëpunimi është aprovimi i Strategjisë Nacionale dhe i Planit të Veprimit Kundër Drogave.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgjegjshme në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga kjo strategji duke përfshirë edhe buxhetit përkatës për implementimin e saj.
 

Me këtë rast, dua  të përgëzoj Ministrinë e Punëve Brendshme për një koordinim të mirë të këtij procesi duke mos anashkaluar edhe mekanizmat tjerë si: Gjykatat, Prokurorinë, Policinë, Ministrinë e Shëndetësisë, Arsimit, Kulturës, etj.

Mekanizmat tonë shtetëror duhet të vazhdojnë që me profesionalizëm të udhëheqin implementimin e kësaj strategjie dhe të jenë mirënjohës për ndihmën e profesionale të akterëve tjerë qofshin ata ndërkombëtarë apo edhe vendorë.
 

Rezultatet e para të kësaj të zbatimit të kësaj strategjie tanimë shihen sidomos në pjesën e luftimit të trafikimit me narkotikë.

Janë të shumta rastet e suksesshme të shpartallimit të grupeve kriminale të trafikimit me narkotikë.

Gjithashtu edhe puna e Prokurorisë dhe Gjyqësisë është duke u përmirësuar në këtë drejtim, falë ngritjes së kapaciteteve tona për tu ballafaquar me këtë dukuri negative.

Unë jam i bindur se edhe objektivat tjera strategjike që kanë të bëjnë me parandalimin dhe trajtimin do të arrihen sipas planit të veprimit.

Rritja e vëmendjes për problemin e drogës në shoqërinë tonë kërkon një përkushtim të vazhdueshëm të të gjithë akterëve.

Rol të veçantë në këtë drejtim të ndërgjegjësimit kanë shkollat dhe familjet tona. Dhe kjo është edhe një arsye shtesë për investimet e shumta që kemi bërë në fushën e edukimit në Kosovë.

Sidoqoftë, adresimi ndaj këtij fenomeni negativ kërkon një bashkëpunim më të gjerë rajonal dhe ndërkombëtarë. Pikërisht në këtë kontekst, dëshiroj të përgëzoj mekanizmat tonë shtetërorë për aksionet e përbashkëta , të koordinuara mirë më mekanizmat shtetërorë të shteteve fqinjë.

Në kuadër, unë pres rritje të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe ju inkurajoj që ky bashkëpunim të ketë karakter rajonal, evropian dhe më gjerë.

Republika e Kosovës tashmë është faktorë serioz i bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e sundimit të ligjit në përgjithësi si dhe aktiviteteve kundër Drogës në veçanti.

Unë uroj që të keni diskutime konstruktive dhe mbi të gjitha iu ftoj që t’i shtoni përpjekjet e juaja, bashkëpunimin tuaj në luftë kundër fenomenit të përdorimit dhe trafikimit të drogës në shoqërinë tonë, në rajon dhe me gjerë.

Faleminderit për vëmendjen Tuaj. 

Last modified: 25 Qershor, 2010

Comments are closed.

×