Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Republika e Kosovës është një partner serioz për paqe dhe stabilitet në rajon

23 Shtator, 2011

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Samitin e Liderëve të Ballkanit

Prishtinë, 23 shtator 2011

Të nderuar president;

Kryeministra;

Të nderuar ministra, ambassador, mysafir të respektuar;

Zonja dhe zotërinj;

Jam shumë i nderuar që këtë mbrëmje këtu në Samitin e Liderëve të Ballkanit kam mundësinë t’iu drejtohem në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ky rast, me mundëson mua që të ndajë me ju vizionin e Kosovës për të ardhmen tonë të përbashkët – që patjetër duhet të jetë e ardhmeja Evropiane.    

Ne te gjithë jemi dëshimtar se  bota është bërë një vend i vogël dhe se sfidat me të cilat ballafaqohemi janë pothuajse të natyrës së njejtë.

Gjatë kësaj jave të ngjeshur ketu në Nju Jork, ne të gjithë kemi pasur takime të shumta me liderë nga shumë vende të botës.

Të gjithë në një mënyrë apo tjetrën kemi theksuar gjatë takimeve se bashkëpunimi qoftë ai ekonomik apo politik do të ndihmonte vendet tona për një të ardhme të përbashkët edhe më të mirë dhe prosperuese.  

Zonja dhe zotërinj,

Bota sot është duke kaluar nëpër ndryshime dhe ne duhet të dimë se si të adaptohemi me ato.

Me globalizimin ekonomik, integrimin rajonal, krizën ekonomike që ka kapluar botën, vendet janë duke u bërë shumë të ndërvaruara me njëra-tjetrën për shkak se edhe interesat e tyre janë ngushtë të lidhura.

Paqja dhe stabiliteti, zhvillimi dhe bashkëpunimi janë dhe kanë qenë gjithmonë çështjet të cilat më së tepërmi diskutohen, e promovohen, në shumë takime, samite, konferenca.

Përkundër kësaj, botës ende i mungon paqja dhe siguria e përgjithshme.

Atëhere, shtrohet pyetja se çfarë jemi duke bërë gabim ne si liderë?

E di se nuk ka përgjigjie të lehtë në këtë pyetje, por me lejoni të kthehem pakëz në histori.

Shumë pak njërëz pas luftës së dytë botërore të përgjakshme do të imagjinonin se Evropa do të arrinte këtu ku është sot, e integruar dhe e bashkuar në Bashkimin Evropian.

Kjo nuk ka ndodhur vetvetiu.

Pra ishin liderët vizionarë që arritën ta bënin ëndrrën për të ardhmen e përbashkët një realitet. Tani Bashkimi Evropian ka 27 vende anëtare që jetojnë në paqe dhe harmoni me njëra-tjetrën.

Zonja dhe zotërinj,

Vitet 80 dhe 90 kanë qenë vite që në shumë vende të Evropës kishte levizje për liri dhe demokraci.

U shembën mure që në zemër të Europës kishin ndarë edhe të njejtat kombe.

Ndërsa, në atë kohë në Ballkanin Perendimor filluan luftrat për lirinë e munguar për më shumë se gjysmë shekulli.

Tregimi për lirinë – tregimi i jonë i përbashkët, i vendeve ballkanike – do të shënohet si një ndër arritjet më të mëdha në histori.

Do të jetë moment kur ne vendosëm të hapim një kapitull të ri, një kapitull të paqes, demokracisë, dhe stabilitetit në rajon.

Një kapitull për të ardhmen e përbashkët, atë të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Kur luftërat filluan në rajonin e Ballkanit ishim dëshmitar se liria, dhe të gjitha çka ajo sjell nuk mund të ndalen.

Pra edhe Republika e Kosovës edhe pse një vend i vogël në zemër të Evropës, luajti rolin e saj në ndryshimet globale.

Shpallja e Pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës me 17 shkurt 2008 paraqet një datë historike dhe një fazë të re për popullin e Kosovës.

Tani në tri vite të shtetësisë së Kosovës dhe të institucioneve të saj shtetërore, Republika e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, është njohur nga 84 shtete anëtare të Kombeve te Bashkuara, prej tyre nga shtetet më të fuqishme në botë, duke përfshirë SHBA-në dhe shumicën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të NATO-s, Këshillit të Evropës, Organizatës së Konferencës Islamike etj, që reflekton mbështetjen e madhe që shteti i ri i Kosovës gëzon në arenën ndërkombëtare, si dhe të drejtën legjitime dhe vullnetin e popullit të Kosovës për të krijuar një ambient ku mbizotëron sundimi i ligjit.

Të gjitha shtetet fqinje e kanë njohur Kosovën, përveç Serbisë. 

Kurse, më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë shpalli aktgjykimin që deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Ajo çka dëshiroj të them është se ne të gjithë e dimë të kaluarën e raporteve Kosovë – Serbi, të gjithë e dimë të kaluarën e hidhur, të errët dhe armiqësore, të cilën shumë e kanë përjetuar.

Por, kjo duhet të mbetet e kaluar dhe nuk guxon ta mbaj peng të ardhmën.

Prandaj, ne tashmë kemi hapur një kapitull të ri, atë të dialogut ndërfqinjqsor nepërmjet të cilit po synojmë të shpejtojmë rrugën tonë që si dy shtete të pavaruara të antarësohemi në BE dhe NATO.

Republika e Kosovës është një partner serioz për paqe dhe stabilitet në rajon.

Në aspektin ekonomik, Kosova paraqet një mundësi ideale për investime përshkak burimeve natyrore që ka dhe ekonomisë së tregut të lirë.

Përkundër krizës ekonomike globale financiare, në periudhën viteve 2008-2010, ekonomia e Kosovës, ka shënuar rritje.

Rritja e ekonomike ka rezultuar me normë mesatare të rritjes së Bruto Produktit Vendor (BPV) më shumë se 5 %.

Shtetet e Ballkanit nuk guxojnë të kenë barrier tregtare në mes vete. Tregtia e lirë duhet të jetë pjesë e vizionit tonë të përbashkët.

Ekonomikisht duhet të bashkëpunojmë me njëri tjetrin, dhe të shfrytëzojmë fuqinë e njëri tjetrit dhe së bashku të sigurojmë një progres të qëndrueshëm drejt Bashkimit Evropian, në mënyrë që të gjithë të përfitojmë njëkohësisht.

Në aspektin kulturor, duhet të mësojmë nga njëri tjetri, të zgjerojmë fushat e përbashkëta, duke i zvogëluar dallimet, por duke respektuar diversitetin që kemi.

Në aspektin e sigurisë, na nevojitet besimi i ndërsjelltë, duhet ta ndërtojmë atë, të fuqizojmë bashkëpunimin, t’i zgjedhim kontekstet ezkistuese në mes nesh në mënyrë paqësore, dhe të punojmë së bashku ta japim kontributin tonë për paqen dhe stabilitetit në botë.

Në fund, më lejoni të përfundoj duke theksuar se vetëm një Ballkan që jeton në harmoni dhe është pjesë e Bashkimit Evropian është rruga dhe vizioni që duhet të ndjekim.

Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë dhe kërkon shumë përpjekje dhe përkushtim nga ne.

Mirëpo, suksesi është i garantuar nëse të gjitha shtetet punojnë së bashku për të adresuar sfidat, për të ndërtuar konsensus të përbashkët për ceshtjet e interest vital.

Gjatë këtij procesi, të gjitha shtetet e Ballkanit duhet të përqafojnë dhe çmojnë kulturat e njëri-tjetrit, duhet të bashkëpunojnë fuqimisht me njëri-tjetrin për zhvillim të përbashkët dhe prosperitet – për të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ndërsa, Bashkimi Evropian, pa hezitim duhet ti mbaj dyert e hapura për të gjitha vendet e Ballkanit që aspirojnë antarësimin, sepse vetem kështu, do të përmbyllet vizioni i Evropës së bashkuar dhe në paqe, parim ky mbi të cilin është ndërtuar Bashkimi Evropian. 

Last modified: 23 Shtator, 2011

Comments are closed.

×