Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi : Republika e Kosovës është krenare që është shtet evropian, dhe është e gatshme të zërë vendin e saj në Bashkimin Evropian, NATO dhe në Kombet e Bashkuara

1 Mars, 2012

Bruksel, 01.03.2012

 
Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Bruksel, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me zëvendëspresidenten e Bashkimit Evropian, përfaqësuesen e lartë për politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, baroneshën Catherine Ashton.
 
Në takim është diskutuar për agjendën evropiane të Kosovës, dhe për hapat e mëtejmë për përshpejtimin e kësaj agjende.
 
Gjatë një konference për shtyp pas takimit,  kryeministri Thaçi ka falënderuar baroneshën Ashton për gjithë kontributin e saj për mbështetjen e agjendës evropiane të Kosovës. Ishte konstatim i përbashkët se e ardhmja e Kosovës dhe e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
 
Kryeministri Thaçi ka theksuar se marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal dhe ajo për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, shënojnë një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për Bashkimin Evropian.
 
“Unë besoj vendosmërisht se hapat që po i bëjmë janë të vështirë për shkak të së kaluarës, por këta hapa janë të rëndësishëm dhe vendimtarë për perspektivën tonë të përbashkët evropiane. Republika e Kosovës është krenare që është shtet evropian, dhe është e gatshme të zërë vendin e saj në Bashkimin Evropian, NATO dhe Kombet e Bashkuara” theksoi kryeministri Thaçi.
 
Shefja për politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, i shprehu mirënjohje kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për marrëveshjen e arritur Kosovë-Serbi, duke e vlerësuar kontributin e kryeministrit Thaçi, vizionin dhe lidershipin e tij.
 
Baronesha Ashton tha se me këtë marrëveshje, Kosova do të marrë pjesë dhe do të flasë për veten e saj në më shumë se 35 forume të ndryshme rajonale, duke i nënshkruar vetë marrëveshjet e arritura.

 

Last modified: 1 Mars, 2012

Comments are closed.

×