Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë miqësinë e tyre të përjetshme

16 Qershor, 2011

Prishtinë, 16.06.2011

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në takim ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, z. Philip H. Gordon. Pas takimit kryeministrit Hashim Thaçi dhe ndihmës sekretari Philip H. Gordon, kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit në fushën e arsimit. Pas nënshkrimit të memorandumit, kryeministri Thaçi në një konferencë për media ka deklaruar:

“Z.Gordon, ju dëshiroj mirëseardhje në emrin tim personal, të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të saj.

Ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtetin e Kosovës, për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, për marrëdhëniet speciale të Kosovës me SHBA-të, për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës për procesin zhvillimor dhe integrues.

Falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova si shtet po merr nga Qeveria e SHBA-ve, si dhe nga populli amerikan në momentet më të rëndësishme të historisë tonë. Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon lartë bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme që pranon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë miqësinë e tyre të përjetshme.

Një dëshmi tjetër e gjithë kësaj është edhe Memorandumi i Mirëkuptimit që nënshkruam sot, ku edhe njëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes USAID-it, do të ndihmojë që të reformojmë fushën e arsimit primar në Republikën e Kosovës, gjë të cilën e çmoj shumë dhe është e një rëndësie të veçantë për ne.

Duke pasur parasysh faktin se Kosova është një shtet me popullatë të re dhe ku arsimimi është një prioritet i lartë edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, kjo ndihmë që kap shumën  9.7 milionë dollarë, do të jetë shumë e çmueshme që ne t’i ofrojmë fëmijëve tanë shkollim dhe mësim të standardeve perëndimore, por në të njëjtën kohë me lejoni t’ju falënderoj z. Gordon për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-ve, tuajën personale për shtetin e Kosovës në të gjitha sferat e bashkëpunimit.

Ne ju sigurojmë dhe garantojmë që do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht me vazhdimësinë e qeverisjes së mirë, të sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve, pra për konsolidimin e shtetit, për ndërtimin e rendit demokratik dhe shumetnik, për ndërtimin e raporteve të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit e në kuadër të kësaj edhe me Serbinë, që të përmbyllim kapitullin e konfliktit dhe të hapim kapitullin e bashkëpunimit dhe perspektivën euroatlantike për Kosovën, por edhe për rajonin”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip H. Gordon ka ritheksuar mbështetjen e shtetit amerikan për Kosovën dhe pavarësinë e saj. “Dëshiroj të qartësoj, se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për këtë”, ka thënë Gordon.

“Kosova duhet të shihet si një vend, që është i përkushtuar dhe i vendosur për të luftuar korrupsionin, për të rritur dhe forcuar demokracinë dhe të vazhdojë të përmirësohet në hapat, të cilët janë ndërmarrë për të treguar këtë përkushtim. Ka thënë ndihmës sekretari Gordon dhe ka vazhduar “Kisha kënaqësinë të nënshkruaja këtë Memorandum të Mirëkuptimit me Kryeministrin, sepse ai tregon edhe një shenjë tjetër për bashkëpunimin e dy shteteve tona, qeverive tona për çështje kritike, siç është edhe arsimi.

Last modified: 16 Qershor, 2011

Comments are closed.

×