Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me faktorët relevant ndërkombëtar, dy muajt e fundit ka ndërmarrë disa veprime për të vendosur sundimin e ligjit edhe në pjesën veriore të Kosovës

18 Shtator, 2011

New York, 18 Shtator, 2011

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është duke qëndruar në New York, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë mbajtjes së Sesionit Vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Kryeministri Thaçi, do të takojë liderë dhe burrështetas nga vende të ndryshme të botës, ku temë bosht do të jetë rritja e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.

Në kuadër të kësaj vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot në New York Kryeministri Thaçi, është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Ban Ki Mon, në selinë e Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri Thaçi, gjatë takimit e njoftoi Sekretarin e Përgjithshëm z. Ban Ki Mon për së afërmi me zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës. Kryeministri Thaçi, e njoftoi z. Ban Ki Mon se Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me faktorët relevant ndërkombëtar, dy muajt e fundit ka ndërrmarë disa veprime për të vendosur sundimin e ligjit edhe në pjesën veriore të Kosovës.

Kryeministri Thaçi, theksoi se veprimet e Republikës së Kosovës në veri janë plotësisht në përputhshmëri të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë, si dhe ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kryeministri Thaçi tha se veprimet që janë paraparë në planin operacional të veprimit dhe që tani ky plan është duke u zbatuar në pjesën veriore të Kosovës, vetëm se e fuqizojnë parimin themelor që garantohet edhe me rezolutën 1244 se Kosova është një njësi doganore.

Kryeministri Thaçi theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që në Kosovë të luftohet krimi dhe dukuritë tjera negative, të cilat fatkeqësisht që 12 vite janë toleruar në pjesën veriore të Kosovës.

Në takim gjithashtu u bisedua edhe për dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbise. Në kuadër të kësaj bisede Kryeministri Thaçi theksoi se “Dialogu me Beogradin është i rëndësishëm sepse Kosova është shtet që dëshiron të zhvillojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe se zgjidhja e problemeve praktike është jetike.”

Kryeministri Thaçi në vazhdim theksoi se “është jetike që marrëveshjet e arritura të respektohen nga Serbia. Kosova është e përkushtuar ta implementojë pjesën e saj të përgjegjësive që dalin nga marrëveshjet, dhe të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Serbia.” 

Last modified: 18 Shtator, 2011

Comments are closed.

×