Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin për të përmbushur prioritetet e saj

27 Prill, 2010

Prishtinë, 27.04.2010

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se dita e sotme është një ditë e veçantë, një ditë e brengës së madhe për Republikën e Kosovës, për institucionet dhe për qytetarët e saj. Është dita e personave të pagjetur.

Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet dhe do të vazhdojë angazhimin e saj maksimal për të zbardhë fatin e të gjithë të pagjeturve dhe për këtë do të bashkëpunojë me të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë dhe vendorë, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri Thaçi gjithashtu ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës po vazhdon përkushtimin në implementimin projekteve të mëdha kombëtare, siç ishte edhe rasti i fillimit të punës në ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar. Në këtë kuadër, Qeveria e Kosovës zotohet se do të përmbushë të gjitha obligimet e veta për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për Kosovën.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Thaçi ka vlerësuar se zhvillimet në Kosovë kanë hyrë në fazën e ballafaqimit me sfidat që dalin nga raporti i progresit të Komisionit Evropian dhe në këtë kontekst ka përmendur angazhimet maksimale për të përfunduar një varg angazhimesh në sferën legjislative deh të reformave në shoqërinë kosovare.

“Kosova pret nga Brukseli udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, dhe në funksion të përmbushjes së kritereve, qeveria ka miratuar projektligjin për riatdhesimin, si dhe angazhohet në përmirësimin e cilësisë së dokumenteve civile dhe angazhohet për fillimin e lëshimit të pasaportave biometrike para përfundimit të këtij viti”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.

Qeveria ka miratuar Projektligjin për komponentin rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e bazës ligjore për kompletimin e strukturës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, në mënyrë që të jepet mundësia e funksionimit të plotë të Forcës së Sigurisë, brenda kompetencave të përcaktuara me ligj. Po ashtu ky projektligj  rregullon shërbimin për rezervën e Forcës së Sigurisë së Kosovës,si pjesë e strukturës së Forcës së Sigurisë së Kosovës,e cila shërben brenda dhe jashtë vendit në raste paqe dhe emergjente,po ashtu përcakton të drejtat dhe përgjegjësitë individuale të pjesëtarëve të rezervës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe kushtet e mobilizimit dhe kriteret  për kalim nga komponenti rezervë në aktiv dhe anasjelltas.

Ministri i Transportit dhe Post Telekomit, Fatmir Limaj, ka njohur kabinetin qeveritar me ecurinë e procesit të koncesionimit të Aeroportit të Prishtinës.

Ministri Limaj ka vlerësuar se procesi është në fazën finale dhe se nesër do të bëhet hapja publike e ofertave të cilat do t’i nënshtrohen në vijim vlerësimit, dhe procesi pritet të përfundojë shumë shpejt. Është kjo një zhvillim pozitiv dhe një lajm i mirë për Kosovën, se investitor serioz po vijnë në Kosovë për të investuar shuma të mëdha të kapitalit të tyre, që do të ndikojë në zhvillimin e tërësishëm të vendit tonë.

Qeveria ka miratuar rekomandimin e presidentit të Kosovës për të filluar amandamentimi i Ligjit për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, ku do të përfshijë edhe të drejtët e komunitetit malazez.

Në mbledhje është debatuar edhe për aksionin e eliminimit të operatorëve ilegal të telefonisë mobile në Kosovë. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka ngritur shqetësimet që janë ndier në komunitetin serb në lidhje me këtë aksion të ART-së. Ai është shprehur në favor të zbatimit të ligjit, por ka shtuar se një komunikim më i mirë, paraprakisht do të zvogëlonte hapësirat e veprimit për elementet radikale.

Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri Fatmir Limaj, kanë shprehur mbështetjen e plotë të aksionit të ART-së, të cilin e kanë vlerësuar si një aksion për vendosjen e sundimit të ligjit dhe i cili nuk është i drejtuar në asnjë mënyrë kundër ndonjë komuniteti në Kosovë.

Last modified: 27 Prill, 2010

Comments are closed.

×