Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi priti në takim prijësit e institucioneve fetare të Kosovës

16 Shkurt, 2008

Prishtinë, 16  shkurt 2008

Kosova gjithmonë ka qenë vend i paqes, i mirëkuptimit dhe i tolerancës fetare dhe ndëretnike, si dhe vend i besimit, solidaritetit, bashkëjetesës dhe vizionit të drejtë properëndimor. Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në takim e sotëm me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka apeluar që në ditën e shpalljes së pavarësisë të kemi festim dinjitoz. “Kosova dhe populli i Kosovës gjithmonë kanë besuar në zot, gjithmonë kanë besuar në drejtësi, prandaj edhe kanë fituar”, ka thënë kryeministri Thaçi. Z. Thaçi ka theksuar se dita e festimit të pavarësisë duhet të jetë edhe ditë e falënderimit dhe e mirënjohjes për miqtë ndërkombëtarë, që kanë kontribuar për Kosovën e pavarur dhe sovrane.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava dhe Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, kanë shprehur falënderimin për Zotin që ka bërë të mundshme të jemi së bashku dhe të festojmë së bashku ditën e madhe për popullin tonë, duke theksuar se populli i Kosovës ka ditur të vuajë së bashku, prandaj do të dijë edhe të festojë bashkërisht dhe me dinjitet. Të dy liderët fetarë kanë ftuar qytetarët e Kosovës që të gjejnë forcë për ta ruajtur masën, ndërsa gëzimi qytetar të mos shkaktojë dëshpërim te të tjerët dhe të festojnë në mënyrë dinjitoze dhe me kulturë të lartë demokratike të shënojnë festën e pavarësisë së Kosovës. 

Last modified: 16 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×