Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Po realizojmë gradualisht ëndrrën e Rexhepit dhe gjithë dëshmorëve të rënë për liri

13 Shtator, 2012

Prishtinë, 13 shtator 2012

Po ju përcjellim fjalimin e plotë të  kryeministrit Hashim Thaçi

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, zonja Jahjaga
I nderuari kryetar i komunës së Ferizajit, z. Agim Aliu
E nderuara familje Bislimi
Të nderuar deputetë
Ministra, zëvendësministra
Të nderuara familje të dëshmorëve të luftës
Veteranë
Të nderuar e të dashur qytetarë të Ferizajit,

Jemi shumë të nderuar sot, fillimisht si bashkëluftëtarë të komandantit Rexhep Bislimi, që presidentja e vendit, zonja Atifete Jahjaga e ka dekoruar atë me Urdhrin “Hero i Kosovës” luftëtarin e lirisë, komandantin Rexhep Bislimi.

Prandaj më lejoni që në emrin tim personal, dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’iu uroj juve familje Bislimi, dhe gjithë qytetarët e Ferizajit, të Kosovës dhe gjithë shqiptarët.

Sot është një ditë e veçantë për qytetin e Ferizajt, por për të gjithë Kosovën për të gjithë shqiptarët, sepse Rexhepi gjithmonë mendoi dhe veproi jo vetëm Ferizajin por për Kosovën.
Ai mendoi dhe veproi për të gjithë shqiptarët.

Sot zbulimi i shtatores së heroit Rexhep Bislimi, këtu në sheshin me emrin
e komandantit legjendar Adem Jashari, i jep kuptim dhe e madhështon edhe më tepër suksesin historik që e shënuam këto ditë, atë të përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, prandaj urime të gjithë juve edhe njëherë.

Faleminderit për besimin dhe mbështetjen.

Është fakt i njohur e vërteta se  në historinë moderne të Kosovës, Ferizaj me rrethinë gjithmonë ka nxjerrë shumë veprimtarë të përkushtuar për Lëvizjen tonë Kombëtare për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar.

Unë shoh sot këtu veprimtarë që kanë organizuar demonstratat e vitit ’68, të viteve ’81-82 e më tutje me kërkesën “Kosova Republikë”, dhe poashtu luftëtarët që u ballafaquan me istikamet e luftës kundër Serbisë.

Pra, është një bashkim i gjeneratave për të arritur synimin, qëllimin dhe vizionin tonë për lirinë e Kosovës për shtetin e Kosovës, dhe fazën tjetër, për të jetuar shqiptarët në një hapësirë pa kufij, të bashkuar.

Prandaj, ndjehem tepër mirë që sot nderohet në mënyrë shtetërore heroi Rexhep Bislimi, nderohet ashtu siç e ka merituar.

Dua të theksoj se Rexhep Bislimi ishte shembulli i mobilizimit të të rinjve, si anëtar i i lëvizjeve të fshehta patriotike të kohës, që kundërshtonin sundimin e Jugosllavisë e pastaj Serbisë në Kosovë.

Duke qenë personalitet i njohur për guxim, trimëri, shkathtësi dhe vendosmëri të pathyer, Rexhep Bislimi zhvilloi aktivitet të zgjerimit të njësiteve guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i lidhur me drejtuesit më të lartë të saj, siç është sot këtu edhe Nait Hasani.

Rexhep Bislimi ishte organizuesi dhe komandanti i parë i gueriles në qytetin e Ferizajt.

Fatkeqësisht, burgosja e Rexhep Bislimit më 1998 ishte një goditje për Guerilen e Ferizajt, për lëvizjen në përgjithësi, sepse Rexhepi ende kishte për të bërë shumë në luftën kundër sundimit ushtarak dhe policor  serb të Kosovës.

Si i burgosur, Rexhep Bislimi qëndroi me stoicizëm të pashoq, duke përballuar torturat dhe brutalitetin e ushtruar ndaj tij, si në burgun e Ferizajit ashtu edhe në Gjilan.

Rexhep Bislimi është nga ata veprimtarë që për qëndresën dhe pathyeshmërinë e tyre u ndëshkuan rëndë nga segmentet e aparatit të sigurimit serb, duke u mbytur në torturë.

Qëndresa, pathyeshmëria dhe vdekja e komandant Rexhep Bislimit u shndërrua në forcë morale për shokët dhe veprimtarët e tij.

Sot kur ky shesh zbukurohet me  shtatoren e komandantit heroit të shqiptarëve, Rexhep Bislimi, ndaj emrit, veprës dhe jetës së tij po bëhet nderim i lartë shtetëror dhe institucional.

Sot, 14 vjet pas vdekjes, në ditëlindjen e 46 të tij, kur kjo shtatore po ngrihet madhështore, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur prej mbi 90 shteteve, me të ardhme të sigurt euro-atlantike, që do të bëhet pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Pra po realizojmë gradualisht ëndrrën e Rexhepit dhe gjithë dëshmorëve të rënë për liri.

Të nderuar të pranishëm

Sot Kosova është shtet sovrane. Sot Kosova po nderohet dhe respektohet nga e gjithë bota demokratike. Vetëm dy ditë më parë, ne kishim në Kosovë të  gjithë botën vendimmarrëse për Kosovën, për pavarësinë e saj, për paqen, stabilitetin, integrimet evropiane.

Kishim mesazhet e presidentit Ahtisaari, kishim mesazhet e presidentit amerikan për konsolidimin dhe forcimin e Kosovës.

Prandaj, unë ju bëj thirrje që t’i bashkoheni atyre mesazheve të besimit, optimizmit, shpresës për të ardhmen e sigurt e shtetit të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës.

Ju siguroj dhe ju garantoj se shteti i Kosovës do të jetë shtet model sikur të githa vendet tjera të Bashkimit Evropian.

Sot, kjo shtatore madhështore e Rexhep Bislimit dhe pavarësia e Kosovës i ajp kuptim madhështisë edhe 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Sepse pa jetën dhe veprën e Rexhep Bislimit dhe komandantëve e luftëtarëve tjerë, Kosova nuk do të ishte e lirë, nuk do të ishte e pavarur.

E pa pavarësinë e Kosovës, 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, do të ishte i gjymtuar, i përgjysmuar.

Prandaj, urime, suksese të gjithë juve.

Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së komandant Rexhep Bislimit!

Lavdi dëshmorëve të lirisë!

 

Last modified: 13 Shtator, 2012

Comments are closed.

×