Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Ne do të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë për të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës

22 Korrik, 2011

Prishtinë, 20 korrik 2011

Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e vet të 25-të, të rregullt, në të cilin ka shqyrtuar dhe ka miratuar Projektligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre.

Kryeministri Hashim Thaçi ka përkujtuar kabinetin qeveritar se Projektligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, ka qenë i miratuar edhe vitin e kaluar në Qeveri, dhe ishte proceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës. Për arsye të zhvillimeve që pasuan pas dhënies së opinionit nga Gjykata Kushtetuese për shkeljen e Kushtetutës nga presidenti i atëhershëm i Kosovës dhe  dorëheqjes së presidentit, dhe pas shpalljes së zgjedhjeve të lira, ky ligj kishte mbetur i pashqyrtuar në Kuvend dhe u kthye për riprocedim nga Qeveria e Kosovës.

“Kontributi i pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i madh, dhe ne sot po bëjmë një punë të vogël për të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë  e Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka theksuar se “Të gjithë duhet të shprehin mirënjohje dhe respekt të thellë për sakrificën dhe kontributin e të gjithëve  në luftën e lavdishme të UÇK-së”.

 Ne kemi për qëllim që përmes këtij projektligji, institucionalisht dhe ligjërisht, të përkufizojmë përkujdesjen, statusin dhe mbështetjen financiare për kategoritë që u sakrifikuan dhe kontribuuan për lirinë e Kosovës, ka thënë kryeministri Thaçi dhe ka shpreh falënderimin për të gjithë ata që kanë kontribuar në hartimin  e këtij ligji që është i një niveli të avancuar në raport me zgjedhjet ligjore të bëra në vendet e rajonit.

Hartimi i këtij projektligji është përcjell me debate të shumta në të cilat janë përfshirë segmente të ndryshme të shoqërisë sonë, institucionet, shoqatat e dala nga lufta dhe institucionet ndërkombëtare. Projektligji është harmonizuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtarë.

“Kontribuues të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës janë të gjithë qytetarët e Kosovës. Dhe duke u nisur nga kjo ne do të punojmë që në mënyrë të saktë dhe rigoroze të përcaktojmë listat e përfituesve të beneficioneve që ofron ky projektligj”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri ka apeluar që deputetët e Kuvendit të Kosovës, që gjatë shqyrtimit të këtij projektligji, të ruajnë përmbajtjen e tij, ndërsa Qeveria e Kosovës do të bëjë edhe më shumë në të ardhmen për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, varësisht nga mundësitë dhe kapacitetet e saja financiare.

Last modified: 22 Korrik, 2011

Comments are closed.

×