Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Modernizimi dhe strukturimi i bujqësisë është synimi ynë kryesor

1 Dhjetor, 2011

Prishtinë, 01 dhjetor 2011

Kryeministri  i Qeverisë se Republikës Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në Konferencën me donatorë, të organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që u mbajt sot në ambientet në Prishtinë. Në konferencë merrnin pjesë ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues i  Bankës Botërore, përfaqësues i Komisionit Evropian, përfaqësues të USAID-it, UNDP-së, DANIDA-s, TIKA-s, ADA-s.

Në vazhdim e japim të plotë fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi mbajtur në këtë konferencë të donatorëve për sektorin e Bujqësisë.

Zonja dhe zotërinj,
Të gjithë ju të pranishëm,

Më lejoni që fillimisht t’ju përshëndes në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim. Vendi ynë është vend ku sektori i Bujqësisë ka rol jetik në zhvillimin ekonomik. Kjo buron nga vlerësimi i resurseve tona natyrore, ku ndër to janë edhe kushtet e tona të favorshme për zhvillimin e  këtij sektori.

Modernizimi dhe strukturimi i bujqësisë është synimi ynë kryesor dhe si rrjedhojë e rritjes së investimeve qeveritare të viteve të fundit, gjendja në këtë sektor ka zhvilluar të ndryshojë për të mirë në mënyrë të dukshme.

Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, jemi të përkushtuar që të rrisim prodhimtarinë bujqësore dhe të shtojmë sigurinë në produktet agro ushqimore. Këtë synojmë ta arrijmë në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë partnerët tanë, duke përfshirë këtu edhe sektorin privat dhe komunitetin e donatorëve, i cili është në numër mjaft të madh.

Në këtë rast, më gëzon fakti që programi i Ministrisë së Bujqësisë dhe vizioni ynë për zhvillimin e këtij sektori, ka arritur të tërheq vëmendje të madhe tek të gjithë ju, që na jeni bërë krah i fortë i punës, për zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë sonë në përgjithësi.

Për më tepër, zhvillimi i sektorit të bujqësisë është bërë tashmë prioritet për ne si Qeveri dhe në periudhën afatmesme planifikojmë t’i japim një trajtim të veçantë, me qëllim të rritjes së prodhimtarisë, zvogëlimit të importit të produkteve bujqësore dhe rritjes së nivelit të punësimit.

Në këtë drejtim, përkundër që për vitin e ardhshëm ne pothuajse do t’ia dyfishojmë buxhetin Ministrisë së Bujqësisë, duhet të pranohet fakti se përsëri do të ballafaqohet me problemin e investimeve të pamjaftueshme për zhvillimin e tij. Buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë nga 13.7 milionë euro sa ka qenë në këtë vit, e kemi rritur në 21.5 milionë euro për vitin e ardhshëm, për vitin 2012, dhe si Qeveri jemi duke u përpjekur të promovojmë zhvillimin  e këtij sektori.

Por, duhet ta pranojmë se kemi ende shumë për të mësuar nga praktikat bujqësore të vendeve tuaja dhe se kemi ende nevojë për mbështetjen tuaj.

Si institucione, e vlerësojmë lartë asistencën teknike dhe financiare që na keni ofruar për ngritjen e kapaciteteve tona dhe fuqizimin e deritanishëm të njësive organizative të Ministrisë Bujqësisë në këtë rast. 

Të nderuar të pranishëm,

Fokusi dhe orientimi i përkrahjes, dhe i yni si i Qeveri, dhe i donatorëve, konsideroj se duhet të jetë më shumë në mbështetje të faktorëve të prodhimit, dhe stimulimin e fermerëve, dhe në krijimin e kushteve sa më të favorshme për investitorë, në mënyrë që të arrijmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe ti bashkëngjitemi  trendëve zhvillimore të BE-së.

Në këtë drejtim, ne tani jemi duke rishikuar edhe politikat fiskale për biznese, për të evituar ngarkesat e panevojshme administrative dhe për të krijuar lehtësira të reja doganore dhe tatimore për sektorin e prodhimtarisë primare, si dhe në bashkëpunim me asistencën që na është ofruar, jemi duke krijuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm komfor përvojave më të mira të vendeve tuaja dhe të BE-së.

Ristrukturimi dhe procesi i zhvillimit institucional, është në harmoni të plotë me politikat bujqësore të BE-së, dhe duke pasur parasysh që integrimi në Unionin Evropian është një nga top prioritet tona shtetërore, ne do të vazhdojmë forcimin dhe ngritjen e strukturave të reja brenda këtij sektori, si dhe do të ndihmojmë në hartimin, ekzekutimin dhe monitorimin e politikave bujqësore.

Ju falënderoj për përkrahjen dhe kontributin e dhënë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë, dhe ju dëshiroj diskutime të favorshme në vijim.

Ju faleminderit, dhe ju përgëzoj i nderuari ministër për punën që jeni duke e bërë.

Last modified: 1 Dhjetor, 2011

Comments are closed.

×