Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Mitrovica dhe qytetarët e saj kanë qenë dhe mbeten në fokus të Qeverisë së Republikës së Kosovës

28 Maj, 2012

Fjalimi i kryeministrit Hashim Thaçi në ceremoninë e përurimit të punimeve për ndërtimin e qendrës multifunksionale, qendrës komerciale dhe të fillimit të renovimit të Palestrës Sportive “Minatori” në Mitrovicë

Të nderuar përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian;
Të nderuar Ministra, përfaqësues të Komunës së Mitrovicës;
Zonja dhe zotërinj;

Kam kënaqësinë e jashtëzakonshme që sot të jem me qytetarët e Mitrovicës dhe me partnerët implementues në prezantimin e këtyre projekteve kapitale, të cilat bashkë financohen nga ana e Komisionit Evropian dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, e të cilat do të realizohen në Qytetin e Mitrovicës. Kjo ceremoni paraqet një ngjarje të rëndësishme për sportin dhe sportdashësit në Kosovë e veçanërisht për ata mitrovicas, dhe nga këtu sot po ju dëshmojmë që sporti po trajtohet si një prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosvës dhe partnerëve tanë investitor.

Realizimi i këtyre projekteve me bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian, është dëshmi e partneritetit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, dhe dëshmi se Kosova po punon me përkushtim të plotë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.

Ndjehem edhe më i privilegjuar kur kam parasysh faktin se nga këto projekte përfitojnë rinia e shtetit tonë dhe në veçanti të rinjtë e qytetit të dëshmuar sportiv të Mitrovicës!
 
Ndërtimi i një qendre të re sportive shumë funksionale dhe rinovimi i palestrës sportive ”Minatori” do të krijojë një infrastrukturë të përshtatshme për të zhvilluar jetën sportive për të gjithë qytetarët e kësaj komune.

Përveç krijimit të kushteve për aktivitetet sportive, ky investim është edhe një mundësi  për t’i kontribuar integrimit të të rinjëve të këtij qyteti pa dallime etnike, fetare apo kulturore dhe krijimit të një klime të përshtatshme ku zënë vend diversiteti kulturor, etnik e fetar.

Mitrovica dhe qytetarët  e saj kanë qenë dhe mbeten në fokus të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Përmes këtyre projekteve kapitale, rinisë së Qytetit të Mitrovicës, e cila ka një traditë të vazhdueshme në sport, do t’u krijojmë kushte më të mira për realizimin e aktiviteteve të tyre sportive.

Ky projekt është shtytës i vazhdimit të kësaj kulture sportive dhe në të njëjtën kohë do të ndihmojë që ky potencial të zhvillohet dhe ti kontribuojë zhvillimit të gjithë vendit.

Për këtë qëllim, Qeveria të cilën unë drejtoj në vazhdimësi ka investuar në Qytetin e Mitrovicës, gjë të cilën do ta vazhdojë edhe më tutje, e të cilën e dëshmojnë edhe këto projekte të rëndësisë nacionale.

Gjithashtu, projekti i ndërtimit të qendrës komerciale do të jetë shtytës për zhvillimin e mëtejmë ekonomik të Komunës së Mitrovicës, do të zvogëlojë papunësinë dhe do të rrisë mirëqenien e të gjithë qytetarëve të kësaj komune.
 
Të nderuar te pranishëm,

Qeveria e Republikës së Kosovës i ka vënë vetës objektivë të saj kryesore zhvillimin ekonomik të vendit, prandaj, edhe këto projekte janë tejet të rëndësishme dhe i kontribuojnë zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik të Kosovës. Investimet e tilla do të mbeten ashtu edhe siç janë prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të krijuar kushte dhe favore sa më të mira për mijëra talente të Mitrovicës dhe mbarë Kosovës.
 

Last modified: 28 Maj, 2012

Comments are closed.

×