Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi merr pjesë në ceremoninë e prezantimit të masterplanit për zhvillimin e kapaciteteve ekonomike të qendrës së skijimit në Brezovicë

28 Janar, 2011

Prishtinë, 28 janar 2011
 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë sot në ceremoninë e prezantimit të masterplanit për zhvillimin e kapaciteteve ekonomike të qendrës së skijimit në Brezovicë.
 

Në vazhdim, po e prezantojmë të plotë fjalimin e kryeministrit Hashim
Thaçi, të mbajtur me këtë rast:

I nderuari Z. Davidi,
Të nderuar Ministra,
I nderuari z. Kryetar Komune,
Të nderuar të pranishëm;
 
 
Është një kënaqësi e posaçme të marrë pjesë në prezantimin e Komisionit Evropian për MasterPlanin e Zhvillimit të qendrës Brezovica. Ky është një dokument  me rëndësi të veçantë jo vetëm për këtë komunë, por edhe për tërë Kosovën. 
 

Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar përkushtimin e saj ndaj krijimit të politikave të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat dhe tërhjekjen e investimeve të huaja direkte.  Në këtë frymë, Qeveria e Kosovës në vitet e kaluara ka ndërmarr hapa shumë konkret për të krijuar një ambient të favorshëm dhe të sigurt për investimet e huaja.  Përderisa kemi përgjysmuar nivelin e taksave, ne po ashtu kemi arrit që të krijojmë infrastrukturën e nevojshme për mundësimin e zhvillimit të sektorit privat si dhe kemi investuar në sektorin e arsimit, me qëllim që tregu i punës së Kosovës të jetë i konkurrueshëm globalisht.
 

Në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka dëshmuar se është e aftë që të menaxhojë procese transparente dhe të kujdesshme të tërheqjes së investitorëve të mëdhenj.  Tashmë vecse është evidente sukseset në koncensionimin e Aeroportit të Prishtinës si dhe të Autostradës Merdarë-Morinë. 
 

Ndër sektorët me potencial shumë të madh në Kosovë mbetet zhvillimi i turizmit.  Përmes ndihmës së Komisionit Evropian ne kemi punuar në krijimin e Master Planit për zhvillimin e Brezovicës – një nga resurset shumë të rëndësishëm për Kosovën.   Implementimi i këtij mastar plani do të rezultojë në hapjen e rreth 2,000 vendeve të reja të punës në formë direkte, si dhe rreth 5,000 vendeve të reja të punës në formë indirekte.  Ky plan parasheh që Brezovica të ketë jetë një ndër qendrat kryesore të rekreacionit dhe sporteve dimërore në rajon, bazuar në klimën dhe terrenin shumë të favorshëm që ka kjo zonë e Kosovës. 

Mirëpo, ky projekt do të ketë një rëndësi shumë të posaçme edhe sa i përket sigurimit të integrimit shoqëror dhe ndër-etnik.  E pozicionuar në një komunë ku shumica e popullsisë janë minoritete, zhvillimi i Brezovicës do t’i jap një perspektivë tërësisht të re këtij komuniteti.  Ne kështu do t’i dëshmojmë të gjithëve partnerëve tanë, si dhe skeptikëve të pavarësisë së Kosovës, se Qeveria e Kosovës, bazuar plotësisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do të implementojë politika që kanë për qëllim jetesën në harmoni në mes të komuniteteve dhe një rritje gjithëpërfshirëse të standardit jetësor.   Brezovica do të jetë një qendër ku rinia Kosovare dhe rinia nga i gjithë rajoni do të kenë mundësinë të krijojnë lidhje të përbashkëta dhe shkëmbejnë ide, që do të rezultojë në përforcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
 

Përfundimisht, dëshiroj t’i jap mbështetjen e plotë Komisionit Evropian për vazhdimin e angazhimit të tyre me Qeverinë e Kosovës dhe Komunën e Shtërpcës për tërheqjen e investitorëve të fuqishëm ndërkombëtar me qëllim të zhvillimit të kësaj zone. 
 

Po sot, kryeministri Thaçi ka marrë pjesë edhe në hapjen solemne të fushatës për përkrahjen e prodhimeve vendore të ushqimit dhe tekstilit, që është organizuar në hapësirat e ETC-së në Prishtinë.
 

Në këtë ceremoni kryeministri Thaçi fillimisht falënderoi udhëheqësin e kompanisë “Elkos” për nismën e qëlluar që ka ndërmarrë dhe theksoi se reformat në fushën e ekonomisë vetëm sa do të thellohen në vazhdimësi.
 

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të fuqizojë përkushtimet e gjithanshme për të mbështetur avancimin e biznesit kosovar, për të promovuar vlerat e produkteve kosovare në tregun rajonal dhe atë evropian, duke krijuar lehtësira të vazhdueshme për prodhuesit vendorë – është shprehur z.Thaçi.

Kryeministri Thaçi në këtë kuadër ka ritheksuar se në mandatin në vazhdim Qeveria e Republikës së Kosovës do të zbatojë në përpikëri Protokollin e nënshkruar me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane dhe Aleancën Kosovare të Biznesit, me qëllim që biznesi kosovar të zhvillohet në vazhdimësi.

Last modified: 28 Janar, 2011

Comments are closed.

×