Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Kosova mirëpret të gjithë ata që dëshirojnë të kthehen në Kosovë për të pasur një jetë më të mirë për familjet e tyre

28 Maj, 2012

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, në takimin me zyrtarët komunal për komunitete dhe kthim

I nderuar përfaqësues i ICO-së,
I nderuar Zv.Kryeministër,
Të nderuar Ministra,
Të nderuar të pranishëm

Fillimisht, më lejoni t’iu  dëshiroj mirëseardhje të gjithëve.

Katër vite kanë kaluar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Pjesë e pandashme e projektit të shtetndërtimit dhe vizionit tonë të Kosovës shumetnike, në integrimin e komuniteteve që nga ajo kohë ka qenë dhe është Plani i Ahtisarit.

Pra Plani i Ahtisarit për qeverinë e Kosovës ende përbën alfën dhe omegën  sa i përket integrimit të komuniteteve dhe zbatimin e procesit të decentralizimit. Ky plan është udhërrëfyesi nëpërmes së cilit ne kemi themeluar komunat e reja dhe kemi vepruar në krijimin e kushteve për integrimin e komuniteteve.

Bazuar në përvojat e kaluara lidhur me decentralizmin dhe krijimin e komunave të reja në Kosovë,  bazuar  në Planin e Ahtisarit lirisht mund të themi që kemi shënuar progres substancial në përmirësimin e klimës ndër etnike dhe integrimin e minoriteteve. Kemi arritur që qytetarëve t’iu mundësojmë të vendosin vetë për gjërat që ndërlidhen me vetë-qeverisjen lokale.

Andaj, vazhdimi i kësaj rruge në drejtim të krijimit të komunave të reja dhe formimit të strukturave qeverisëse lokale  bazuar në të njëjtin model vetëm se do të ishte një veprim i pritshëm dhe adekuat. Ofrimi i shërbimeve të nevojshme për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës është qëllimi i decentralizimit.

Prandaj, Qeveria e Kosovës  në kuadër të veprimit të saj në veri ka për qëllim ofrimin e shërbimeve të nevojshme për të gjithë qytetarët e saj dhe të ofroj përkrahjen e nevojshme për projekte konkrete të cilët do të shërbejnë për krijimin e kushteve për zhvillim më të mirë ekonomik.  Qytetarët në veri do të kenë mundësi që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë demokratike dhe pa frikë.

Vizioni ynë për veri është për një vend ku ka institucione publike kompetente dhe efektive, vet-qeverisje efektive dhe të paanshme, me mekanizma gjithëpërfshirës për mbrojtjen e të drejtave humane. Kjo duhet të bëhet në një ambient ku liria e lëvizjes përgjatë lumit Ibër gëzohet nga të gjithë dhe ku qytetarët nuk kanë frikë për sigurinë e tyre, e cila duhet të garantohet nga një polici e kualifikuar dhe profesionale dhe nga gjykata të paanshme dhe të pavarura që punojnë për qytetarët.

Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar po punon në vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e saj. Qytetarët e Kosovës duhet t’i besojnë autoriteteve dhe të sigurohen se autoritetet i mbrojnë ata, pronat e tyre dhe të drejtat e tyre.
 
Kosova është shtëpi e të gjithë popullit të saj dhe i çmon të gjitha komunitetet. Kosova është më e fuqishme kur i mbështet të gjitha komunitetet e saja. Për këtë arsye Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të të gjitha komuniteteve, përfshirë edhe mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë së pasur të Kishës Ortodokse Serbe.

Kthimi i personave të zhvendosur  në pronat e tyre poashtu përbën një prioritet të lartë për Qeverinë e Kosovës. Në këtë drejtim Qeveria ka ndarë mjete për vite me radhë. Pra, restaurimi dhe rindërtimi i shtëpive e personave të zhvendosur ka vazhduar në mënyrë të pandërprerë.

Të nderuar të pranishëm,

Si zyrtarë përgjegjës për integrimin e zhvendosurve në nivel komunal mbi supet tuaja mbani një përgjegjësi të madhe ne drejtim të koordinimit të një procesi shumë të rëndësishëm.

Kthimi i të zhvendosurve dhe integrimi i tyre janë procese shumë delikate dhe kërkojnë një maturi dhe përkujdesje te posaçme. Kjo përkujdesje bëhet edhe më kërkuese duke marr parasysh që në mesin e këtyre personave kemi të bëjmë edhe me fëmijë dhe të moshuarit. Andaj, përveç obligimit zyrtar përkujdesja ndaj personave që ri-kthehen në shtëpitë e tyre pas shume viteve ka edhe karakter human.

Ne si Qeveri qendrore kemi punuar në sigurimin e kornizës ligjore qe iu mundëson juve për te punuar në mënyrë sa më efektive. Siç e dini në gusht të vitit 2010 Qeveria ka miratuar Rregulloren mbi Përgjegjësitë e Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim, e cila ka shtuar në kompetencat ekzistuese të tyre përgjegjësinë për ri-integrimin e personave të riatdhesuar.

Në këtë kontekst, gjithashtu është finalizuar dhe shpërndarë në të gjitha Komunat një udhëzues për Komunat për implementimin e legjislacionit dhe të politikave në fushën e ri-integrimit të personave të riatdhesuar, e cila do t’iu shërbejë të gjithë zyrtarëve komunal si dokument udhërrëfyes për ri-integrimin efektiv të personave të riatdhesuar.

Sa i përket informimit adekuat të personave të riatdhesuar mbi të drejtat e tyre dhe shërbimet publike nga të cilat mund të përfitojnë, si dhe obligimet e institucioneve përkatëse në raport me këtë, janë finalizuar dhe shpërndarë në të gjitha Komunat një udhëzues për ri-integrimin e personave të riatdhesuar (në pesë gjuhë: shqipe, serbe, turke, rome dhe angleze). I njëjti është shpërndarë edhe në Zyrën Pritëse në Aeroport.

Performanca juaj në drejtim të sigurimit të kushteve dhe ofrimin e ndihmës të mjaftueshme për fillimin e jetës së re nga ana e të kthyerve, kërkon një qasje të koordinuar mirë nga ana e të gjithë institucioneve lokale. Pra, qasja e integruar nëpërmes te cilës personave të ri-atdhesuar i ofrohen shërbimet e nevojshme për të filluar një jetë të re duhet të jetë parimi bazë i cili udhëheq çdo zyre komunale në veçanti, dhe administratë lokale në përgjithësi.

Nxitja e bashkëpunimit nga ana juaj ndërmjet departamenteve të ndryshme në nivel komunal me qëllim të ofrimit të gjitha shërbimeve të nevojshme duhet të jetë pjesë e punës së përditshme që ju e bëni si zyrtarë Komunale për Kthim dhe Komunitete. Pra, personit të ri atdhesuar gjatë procesit të ri-integrimit duhet ti ofrohen  me kohë shërbimet bazë.

Kosova mirëpret të gjithë ata që dëshirojnë të kthehen në Kosovë për të pasur një jetë më të mirë për familjet e tyre. Policia e Kosovës, duke punuar me partnerët ndërkombëtar, është e përkushtuar për të ruajtur një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, posaçërisht për ata të cilat janë kthyer kohëve të fundit në Kosovë.

Unë ju falënderoj për punën e bërë deri me tani dhe ju inkurajoj qe këtë pune ta vazhdoni në të ardhmen.

Në fund dëshiroj të rikonfirmoj që agjenda dhe vizioni i Qeverisë sa i përket integrimit të komuniteteve dhe krijimin e komunave të reja do të jetë në krijimin e kushteve sa më optimale për jetë më te mirë dhe integrim te plotë të komuniteteve, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ju faleminderit
 

Last modified: 28 Maj, 2012

Comments are closed.

×