Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Kosova është shtet sovran dhe do të ketë avancim të njohjeve dhe proces të rëndësishëm integrues

23 Qershor, 2010

Prishtinë, 23 qershor 2010

Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar Projektligjin për Vlerësimin Strategjik Mjedisor, Projektligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe ka miratuar vendimin për mbështetjen financiare për rehabilitimin e invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të UÇK-së

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka njohur kabinetin qeveritar për vizitën e tij në Bruksel dhe për takimet e zhvilluar gjatë kësaj vizite. Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar të suksesshme vizitën në Bruksel, ku është premtuar mbështetja unike e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës.

“Të gjithë jemi duke pritur me padurim shpalljen e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Duke mos dashur të politizojmë këtë proces, në këtë rast dua të shtoj se çdo rrethane për Kosovën do të jetë ecje përpara dhe njohje, duke e përjashtuar çdo mundësi për rinegocimin e statusit apo integritetit të Kosovës. Kosova është shtet sovran dhe do të ketë avancim të njohjeve dhe proces tjetër  të rëndësishëm integrues”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

“Me vizitat e zhvilluara ditëve të fundit, po rritet prezenca e Kosovës në Bruksel dhe po intensifikohet procesi i përmbushjes së obligimeve tona integruese në strukturat veriatlantike”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Qeveria ka shqyrtuar dhe ka miratuar Projektligjin për Vlerësimin Strategjik Mjedisor. Qëllimi i këtij projektligji është, që me vlerësim strategjik mjedisor të planeve dhe programeve, të sigurojë shkallë të lartë të mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të njeriut. Projektligji adreson të gjitha çështjet e krijimit të një strukture komplete, gjithëpërfshirëse, përmbajtjesore dhe rregullimin e administrimit të resurseve mjedisore në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian.

Projektligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ka marrë miratimin e Qeverisë së Kosovës. Me këtë projektligj përcaktohen rregullat dhe masat e mbrojtjes së konkurrencës së lirë dhe efektive në treg. Projektligji gjithashtu përcakton edhe kompetencat dhe organizimin e Autoritetit për mbrojtjen e konkurrencës si dhe procedurat për zbatimin e ligjit.

Në mbledhje është miratuar edhe Projekt-Strategjia e Zhvillimit të Infrastrukturës së Metrologjisë në Kosovë 2010 – 2014. Sipas kësaj strategjie sistemi meteorologjik i Kosovës do të zhvillohet në përputhje me të gjitha kërkesat dhe dokumentet relevante ndërkombëtare për të ofruar funksionim të krahasueshëm ndërkombëtar. Harmonizimi me praktikat e Bashkimit Evropian, kërkesat e EURAMET dhe CGPM MRA, do të jetë kriteri kryesor për vlerësimin e suksesit të këtyre aktiviteteve.
  

Qeveria ka miratuar kërkesën e Shoqatës së Invalidëve të Luftës dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së për dërgimin e 1.000 (njëmijë) invalidëve dhe 500 (pesëqind) familjeve të dëshmorëve për rehabilitim në Bregdetin shqiptar, gjatë verës së këtij viti.

Qeveria ka miratuar ndarjen e një fondi për rriintegrimin e qytetarëve që kthehen nga jashtë dhe me këtë vendim e bënë të implementueshëm edhe Ligjin për ripranim, i cili është miratuar para disa ditësh.

Ministri i Punëve të Brendshme,  Bajram Rexhepi, ka kërkuar që një Grup Punues të fillojë punën në demarkacionin vijës kufitare edhe me Malin e Zi.

Ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi ka informuar kabinetin qeveritar me vendimin e tij që për fillimin e procedurës për shkarkimin e drejtorit të QKU-së Ali Sadria. “Ai sot është suspenduar dhe vazhdon procedura”, ka thënë ministri Bukoshi. Ministri Bukoshi i ka vlerësuar si spekulative dhe të pavërtetë, lajmin e transmetuar në disa media, se gjoja kryeministri ka kërkuar që ta bëhet ky shkarkim.

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Lutfi Haziri ka informuar kabinetin qeveritar me ceremonitë e organizuar në rastin e vdekjes së aktorit Bekim Fehmiu. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, emër të Qeverisë së Kosovës, ka mbështet komunitetin e artistëve në organizimin e manifestimeve të ndryshme përkujtuese për artistin e madh.

Last modified: 23 Qershor, 2010

Comments are closed.

×