Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Kosova dhe institucionet e saj mbeten të përkushtuara që të luftojnë trafikimin me qenie njerëzore dhe të arrijnë rezultate edhe më të mëdha

18 Shtator, 2012

Prishtinë, 18 shtator 2012

Gjeni fjalën e plotë të kryeministrit Thaçi

Faleminderit shumë i nderuari z. Rashiq, koordinator nacional kundër trafikimit
Të nderuar Zv. Kryeministra
E nderuara Ambasdore Jacobson,
I nderuari z. Zhbogar,
Të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,
Të nderuar ministra,
Të nderuar të pranishëm,

Hapja e kësaj konference që shënon fillimin e Muajit Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, tregon qartë përkushtimin e lartë që ka Qeveria e Kosovës si dhe të gjitha institucionet tjera relevante të adresojnë dhe luftojnë këtë dukuri negative në shtetin dhe shoqërinë tonë.

Me këtë rast dëshiroj të shfrytëzoj rastin dhe të përgëzoj Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës, si dhe institucionet e tjera për sukseset e muajve të fundit që janë arritur në luftimin e kësaj dukurie. Gjithashtu dua të falënderoj edhe mediat, pa përkrahjen e të cilave puna jonë do të ishte edhe më e vështirë.

Sidomos në muajin në vijim, mbështetja e medieve është më se e nevojshme, prandaj dua t’i falënderoj paraprakisht për përkrahjen që do të na japin në ngritjen e vetëdijes te qytetarët tanë gjatë aktiviteteve të ndryshme që do t’i kemi gjatë këtij muajit, ku qëllimi kryesor është ngritja e vetëdijes në  rastet e shfrytëzimit dhe abuzimit të fëmijëve.
  
Megjithëse, pas vitit 1999, Kosova ka shënuar një progres të dukshëm në drejtim të forcimit të rendit, sigurisë dhe reformimit institucional, trafikimi me qeniet njerëzore ekziston si një nga format e veçanta të krimit të organizuar, me pasoja dhe rrezikshmëri të lartë për shoqërinë dhe shtetin e Republikës së Kosovës dhe rajonit.

Adresimi dhe trajtimi i trafikimit me qenie njerëzore, për shkak të natyrës së saj komplekse kërkon një vëmendje dhe qasje të veçantë. Qeveria e Republikës së Kosovës ka hartuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit ku kemi paraqitur edhe sukseset por edhe sfidat me të cilat shteti ynë duhet të ballafaqohet.

Ne jemi të njohur me ashpërsinë e fenomenit të trafikimit njerëzor që vendi ynë po përballet dhe i kemi kushtuar vëmendje të veçantë se ku Qeveria e Kosovës dhe aktorët tjerë duhet të përqendrohen në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Nga analiza e bërë rezulton se, me gjithë përparimet e bëra në hartimin e ligjeve për të parandaluar, dhe luftuar trafikimin me qenie njerëzore, Kosova duhet të vazhdoj me të gjitha kapacitetet institucionale luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.

Në këtë kuadër, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar që është e angazhuar në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, këtë gjë e provon edhe renditja e shtetit të Kosovës  në raportin vjetor kundër trafikimit me qenie njerëzore që publikohet nga Departamenti i Shtetit. Kosova në këtë raport rangohet në shkallë të njëjtë edhe me disa shtete të Bashkimit Evropian dhe vende anëtare të NATO-s.

Prandaj, dua të shfrytëzoj rastin dhe të theksoj se Kosova dhe institucionet e saj mbeten të përkushtuara që të luftojnë këtë dukuri negative dhe të arrijnë rezultate edhe më të mëdha.

Qeveria e Kosovës do të ndërmerr të gjithë hapat e duhur të reformojë policinë, legjislacionin përkatës, dhe të forcojë sundimin e ligjit, në mënyrë që të jemi më të përgatitur t’u përgjigjemi sfidave që dalin në luftimin e dukurive negative të krimit të organizuar.

Ju faleminderit të gjithëve për punën e juaj.

 

Last modified: 18 Shtator, 2012

Comments are closed.

×