Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi ka vizituar shkollat fillore “Ismail Qemali” dhe “Hasan Prishtina” të kryeqytetit

19 Shkurt, 2008

Prishtinë, 19 shkurt 2008

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe teknologjisë, Enver Hoxhaj, ka vizituar sot shkollat fillore “Ismail Qemali” dhe “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
Kryeministri Thaçi fillimisht ka falënderuar drejtuesit e këtyre shkollave për ftesën që të jetë pjesë e orës së madhe mësimore, e cila sot në të gjitha shkollat e Kosovës është përcaktuar si ora e njohjes me shtetin e pavarur të Kosovës, historinë e  Kosovës dhe për vizonin e saj në të ardhmen si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.

Kryeministri Thaçi u ka folur nxënësve, pedagogëve dhe personelit arsimor të këtyre dy shkollave për sakrificat e mëdha shekullore të popullit të Kosovës për të arritur deri te pavarësia. “Nga kjo e diel ka rënë zilja e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë z.Thaçi para nxënësve të Shkollës Fillore “Hasan Prishtina”.

Kryeministri ka theksuar se njohja e menjëhershme e pavarësisë së Kosovës nga vendet e fuqishme perëndimore është rezultat i politikës së drejtë properëndimore që ka mbajtur politika kosovare. “Shteti i ri i Kosovës ka filluar me një njohje ndërkombëtare të paparë deri tashti në shembujt e historisë së shteteve që janë pavarësuar. Kjo është meritë e qytetarëve të Kosovës. Kjo është meritë e sakrificës tonë. Ky është rezultat i politikës sonë të drejtë pro perëndimore, pro amerikane,” ka potencuar kryeministri, duke shtuar se Kosova është pjesë e familjes evropiane dhe aleat special i SHBA-ve. “Jam i nderuar që sot si kryeministër dhe qytetar i Kosovës, jam para jush, në këtë ditë të ndryshimit të madh historik për Kosovën, andaj të nderuar nxënës, çdo sekondë dhe minutë që jemi duke jetuar sot është ndryshim dhe histori në vete”, ka pohuar kryeministri Thaçi, duke porositur ata se duhet të krenohen se tash e tutje janë të barabartë me të gjithë fëmijët e botës demokratike. “Duhet të ndiheni krenar, sepse çdo moshatarit tuaj në botë mund t’i thoni se edhe unë kam shtetin tim dhe krenohem me shtetin tim”, ka porositur kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

Kryeministri Thaçi iu ka shprehur mirënjohje të gjithë mësuesve dhe arsimtarëve që me sakrifica të mëdha dhe në kushte të represionit kanë punuar me përkushtim për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve të Kosovës dhe tërë rruga deri në pavarësi ka qenë edhe kontribut i  tyre.

Nxënësit e këtyre dy shkollave kanë kërkuar nga kryeministri Thaçi dhe ministri i Arsimit, Hoxhaj, që të angazhohen për krijimin e kushteve më të mira në të ardhmen, ndërsa z. Enver Hoxhaj iu ka premtuar nxënësve të Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” se së shpejti do të fillojë së ndërtuari një shkollë në Lagjen e Spitalit. 

Last modified: 19 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×