Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi ka pritur sot ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Azinë,Thomas Countryman

11 Shkurt, 2011

Prishtinë, 11 shkurt 2011
 

Në vazhdim po e japim të plotë deklaratën e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  në konferencën për shtyp pas takimit me z.Countryman:
 

Kisha kënaqësinë të takoja z.Countryman, të cilin e informova për përmbylljen me sukses të procesit elektoral të zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe me certifikimin e rezultatit zgjedhor dhe pranimin e këtij rezultati zgjedhor nga gjithë spektri politik kosovar.
 

Kjo shënon një zhvillim të fuqishëm të demokracisë në Kosovë, në rrugën tonë të reformave, por edhe në rrugën tonë euroatlantike, në procesin e themelimit të institucioneve të reja, që do të marrin përgjegjësinë për zhvillimin e vendit, për reformat ekonomike, drejtësi, gjithashtu edhe në politikë, për procesin integrues euroatlantik.
 

Gjithashtu, e informova edhe për angazhimet që kemi për themelimin e institucioneve të reja, zgjedhjen e presidentit të ri, të qeverisë së re, por edhe konstituimin e parlamentit të Kosovës.
 

Ne jemi në rrugë shumë të mbarë për formimin e shpejtë të institucioneve, të qeverisë të një përfshirje të gjerë, por edhe multietnike, të përfshirë nga njerëz kredibilë, të aftë, të përgjegjshëm, për të vazhduar me qeverisjen e mirë efektive dhe efikase, të sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive negative, të thellimit të reformave të nevojshme demokratike për shtetin tonë, që do të punojnë për konsolidimin dhe forcimin e shtetit, e në të njëjtën kohë do të punoj shumë fuqishëm për mirëqenien sociale të qytetarëve, por edhe për integrimet tona euroatlantike.
 

Dua të besoj fuqishëm se në këto angazhime që kemi, ne do të themelojmë shpejt institucionet dhe qeveria në një nga vendimet e para që do të merr, menjëherë pas formimit të saj, është edhe marrja e përgjegjësisë në procesin e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë me mbështetjen e plotë ndërkombëtare për çështjet praktike për interesin e dy vendeve dhe popujve tanë.
 

Falënderoj shumë  z.Countryman dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në gjithë këtë proces, edhe elektoral për një proces transparent, edhe tash të këtyre angazhimeve që kemi të përbashkëta, edhe në rrafshin bilateral të bashkëpunimit mes shtetit të Kosovës dhe SHBA-ve, e gjithashtu, edhe në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
 

Unë flas me bindje të plotë se ky proces do të fillojë mbarë dhe do të përmbyllet suksesshëm me njohjet reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
 

Natyrisht, njerëzit mund të presin ndoshta mrekulli nga ky dialog shpejt, por ky dialog do të jetë i koncentruar në çështje praktike për të mirën e dy shteteve dhe dy popujve tanë, për të mirën e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe perspektivën euroatlantike.
 

Ju faleminderit!
 

Ndërkaq, ndihmës-sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Azinë, Thomas Countryman deklaroi:
 

Gjithmonë është nder të takohem me ju z.Kryeministër dhe që kam rastin t’i dëgjoj mendimet tuaja drejtë për së drejti.
 

Hera e fundit që kam qenë në Kosovë, ka qenë në ditën e fundit të zgjedhjeve, gjegjësisht më 12 dhjetor, dhe më vjen mirë që jam kthyer prapë në prag të formimit të qeverisë së re.
 

Qeveria e SHBA-ve krenohet se gjatë këtyre tri viteve të pavarësisë së Kosovës, është bërë  zhvillimi i shpejt ekonomik e politik në Kosovë.
 

Ne krenohemi se ne kemi dhënë kontributin tonë për sa i përket punës së madhe që ka bërë Kosova në ndërtimin e demokracisë, institucioneve, në zhvillimin e ekonomisë, në zhvillimin e nj shteti, ku të gjithë qytetarët e Kosovës, mund të ndihen krenar.
 

Gjatë tri, katër apo pesë viteve të ardhshme do të kërkohet një punë dhe angazhim edhe më i madh i qeverisë dhe popullit të Kosovës dhe ne do të vazhdojmë të jemi po aq mbështetës.
 

Qeveria e re do të formohet së shpejti. Ajo do ta ketë një agjendë të plotë për ta zhvilluar ekonominë, për të mundësuar rritjen në zhvillimin e saj dhe krijimin e vendeve të punës, për të vendosur sundimin e ligjit, për të pavarësuar institucionet shtetërore, gjyqësinë dhe drejtësinë.

Sot kemi biseduar që së bashku t’i adresojmë sfidat e politikës së jashtme me të cilat përballet Kosova dhe ku Amerika është partnere e plotë.

Ne besojmë se populli i Kosovës ka kërkuar dhe presin një qeveri të pastër, të përkushtuar, që do të ecë përpara me hapa edhe më të mëdhenj në vitet e ardhshme, se sa ata që kemi parë tri vite pas shpalljes së pavarësisë.
 

Ju faleminderit!

Last modified: 11 Shkurt, 2011

Comments are closed.

×