Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi ka pritur një delegacion të deputetëve të Unionit Ndër-Parlamentar të Britanisë së Madhe

15 Nëntor, 2011

Prishtinë, 15 nëntor 2011

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot një delegacion të përbërë nga deputetë të Unionit Ndër-Parlamentar të Britanisë së Madhe, të kryesuar nga Lord Bowness

Kryeministri Hashim Thaçi i ka njoftuar parlamentarët e Unionit Ndër-Parlamentar të Britanisë së Madhe me të arriturat e institucioneve të Republikës së Kosovës në konsolidimin dhe forcimin e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës, për përkushtimet për fuqizimin e qeverisjes së mirë, transparente, sundimin e rendit dhe ligjit, luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe përkushtimet për respektimin afirmativ të komuniteteve.

Në takim, kryeministri Thaçi shprehu vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e plotë të kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit. Në këtë drejtim, kryeministri Thaçi theksoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa progresivë në përmbushjen e agjendës evropiane, me theks të veçanë të përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Duke folur për angazhimet e Qeverisë së Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka siguruar se institucionet e Kosovës në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare do ta vendosin në plotëni rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës, duke i hapur kështu perspektivë ndërtimit të jetës demokratike dhe zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale të qytetarëve tanë edhe në atë pjesë të vendit.

Lord Bowness, në emër të delegacionit të deputetëve të Unionit Ndër-Parlamentar të Britanisë së Madhe në takimin me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar lartë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ka shprehur bindjen se roli i Britanisë së Madhe në mbështetjen e proceseve demokratike dhe zhvillimore në Kosovë, e posaçërisht tw integrimit ne BE do të forcohet edhe më tej.

Në takimin e sotëm me kryeministrin Thaçi, Lord Bowness ka theksuar se perspektiva e Kosovës është perspektiva e integrimit europian dhe e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Last modified: 15 Nëntor, 2011

Comments are closed.

×