Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi ka pritur në një takim lamtumirës, komandantin e deritanishëm të KFOR-it, gjeneralin Erhard Byhler

7 Shtator, 2011

Prishtinë 7 shtator 2011
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim lamtumirës, komandantin e deritanishëm të KFOR-it, gjeneralin Erhard Byhler.
 
Me këtë rast, kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për punën e madhe që gjenerali Byhler e ka bërë në Kosovë në kuadër të udhëheqjes së forcave të KFOR-it.
 
Në mënyrë të veçantë, kryeministri Thaçi e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e frytshëm që ka pasur Qeveria e Republikës së Kosovës me KFOR-in gjatë periudhës së shërbimit të gjeneralit Byhler në krye të KFOR-it.
 
Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar komandantin e deritanishëm të KFOR-it, gjeneralin Erhard Byhler si mbështetësin e parezervë të sigurisë, të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, mandat ky i KFOR-it, i përcaktuar edhe me dokumente ndërkombëtare.
 
Në takim, kryeministri Thaçi i ka dëshiruar suksese të mëtejme gjeneralit Byhler në detyrat e tij të reja në kuadër të forcave të NATO-s.
 
Nga ana e tij, komandanti i deritanishëm i KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler, ka falënderuar kryeministrin e Republikës së Kosovës për bashkëpunimin e gjithanshëm të qeverisë me KFOR-in dhe ka theksuar se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej.
 
Prioritet dhe mandat kryesor i KFOR-it është siguria e qytetarëve të Kosovës në gjithë territorin e Kosovës dhe në këtë kuadër KFOR-i do të vazhdojë ta kryejë në plotëni mandatin e vet, – është shprehur gjenerali Byhler.

Last modified: 7 Shtator, 2011

Comments are closed.

×