Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Jemi të përkushtuar maksimalisht që agjendën evropiane ta bëjmë pjesë të pandashme të punës së përditshme të qeverisë

6 Korrik, 2010

Prishtinë, 6 korrik 2010

Fjalimi i kryeministrit Hashim Thaçi në takimin e Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit

I nderuar z. Piere Mirel,

Të nderuar përfaqësues të Komisionit Evropian,

Të nderuar përfaqësues të Përfaqësive Diplomatike,

Të nderuar Ministra,  

Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin dhe kënaqësinë të hap takimin e rregullt të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit.

Edhe pse është takimi i parë i Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociimi, sot takohemi sikur vitin e kaluar për të diskutuar arritjet dhe sfidat e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit Evropian.

Ky takim rrumbullakon një varg takimesh sektoriale në fushat e ndryshme të zhvilluara ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Komisionit Evropian gjatë 6 muajve të kaluar.

Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të intensifikimit të dialogut të Kosovës dhe BE-së, dhe në këtë drejtim takimi i sotëm vazhdon të japë kontributin e veçantë drejt adresimit dhe tejkalimit të sfidave në mënyrë që procesi i përmbushjes së kritereve për anëtarësim në BE të ecën me hapa të sigurt.

Në të kaluarën kam deklaruar se Qeveria ime është plotësisht e angazhuar në intensifikimin e dinamikës së procesit të integrimit. Këtë e deklaroj edhe sot me plot përgjegjësi dhe përkushtim, duke e mbështetur vullnetin tonë në veprime konkrete.

Prandaj, intensifikimi i dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian, i cili po ndodh këto ditë, kontribuon në mënyrë përmbajtjesore në avancimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Hapja e derës për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nga ana e Komisionit Evropian është për t’u lavdëruar dhe këtu e shfrytëzoj rastin të falënderoj në emrin tim, të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit të Kosovës, për punën e palodhshme që bën Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, Desku i Kosovës në Drejtoratin e Zgjerimit në Bruksel dhe Ju personalisht z. Mierrel. Ju faleminderit!

Ne jemi të përkushtuar maksimalisht që agjendën evropiane ta bëjmë pjesë të pandashme të punës së përditshme të Qeverisë. Gjatë periudhës së kaluar janë përmbushur shumë kritere dhe rekomandime, ndërsa puna e jonë është e pandalshme.

Në këtë takim, institucionet e Republikës së Kosovës do të ofrojnë informacione më të fundit sa i përket gjendjes reale në Kosovë, duke përfshirë progresin e arritur që nga publikimi i Raportit të Progresit 2009.

Zhvillimet Politike dhe Ekonomike

Që nga takimi i fundit i mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka kaluar nëpër një periudhë shumë të rëndësishme dhe intensive për vendin dhe rajonin. Njohja e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran ka vazhduar në mënyre të kënaqshme. Këto njohje do të rriten pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne shpresojmë që pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë dhe të njohin realitetin e ri në Ballkanin Perëndimor.

Sundimi i ligjit, lufta kundër-korrupsioni dhe krimit të organizuar kanë qenë dhe mbesin prioriteti im kryesor si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është e vështirë dhe plotë sfida, veçanërisht për shtetet në tranzicion, por unë deklaroj se nuk ka kthim mbrapa asnjë milimetër në këtë betejë, ndërsa Qeveria mbetet e palëkundur në këtë drejtim.

Kjo luftë nuk behët vetëm për hir të procesit të integrimit, por për hir të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe mirëqenies së tyre. Ne jemi duke punuar intensivisht që të kompletojmë kornizën ligjore në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe në këtë drejtim ka pas progres në rritje të ligjeve dhe strategjive të miratuara.

Kemi themeluar Task Forcën për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Po ashtu, kemi punuar në përmirësimin e bashkëpunimit ndër-institucional me qëllim të luftimit të korrupsionit.

Për më tepër, bashkëpunimi me EULEX-in është në nivel shumë të lartë dhe si rrjedhojë e punës së përbashkët në këtë fazë kemi arritur disa rezultate shumë inkurajuese.

Sa i përket prokurimit publik ne kemi ndërmarrë disa hapa konkretë gjatë periudhës transitore deri në aprovimin e Ligjit për Prokurim Publik. Kam kënaqësinë t’ju informojë se Ligji për Prokurim Publik është në agjendën e takimit të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosoves, dhe besoj që ky Ligj, pas aprovimit në Qeveri, së shpejti do të aprovohet në Kuvend.

Me kompletimin e kornizës ligjore moderne të prokurimit publik ne do të minimizojmë shumë dobësi nga e kaluara dhe do të sigurohemi që të gjitha ligjet të implementohen sipas kritereve të kërkuara.

Reforma e Administratës Publike është po ashtu një prioritet kyç, i cili në mënyrë horizontale ndërlidhet me të gjitha sfidat me të cilat ne si Qeveri po përballemi. Andaj, përpjekjet tona në këtë drejtim do të jenë maksimale dhe të vazhdueshme, me qëllim të krijimit të një administrate publike të konsoliduar dhe profesionale, gjithnjë në shërbim të qytetarëve.

Gjatë periudhës së kaluar janë aprovuar ligjet bazë në fushën e administratës publike. Implementimi i plotë i legjislacionit në fushën e administratës publike mbetet prioritet me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe efektivitetit te administratës publike dhe krijimit të kushteve optimale për të gjithë punonjësit e shërbimit civil.

Zgjerimi i dialogut dhe pajtimit mes komuniteteve ka shënuar një progres të theksuar, progres i cili është ilustruar me anë të pjesëmarrjes së komunitetit serb në zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet e Republikës së Kosovës. Krijimi i komunave të reja me shumicë serbe është edhe një dëshmi që Qeveria e Republikës së Kosovës është absolutisht e përkushtuar për krijimin e kushteve sa më të mira për të gjitha komunitete që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Reforma e sistemit gjyqësor është një nga parakushtet për të siguruar një sistem efektiv të sundimit të ligjit. Në këtë kontekst, ka përfunduar faza e dytë e emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve. Aprovimi i pakos për reformimin e sistemit gjyqësor është prioritet i Qeverisë. Në këtë kontekst inkurajoj dhe ftoj Parlamentin e Kosovës që Ligjet e mbetura të aprovohen në afatin më të shkurtër të mundshëm.

Ne kemi shfaqur përkushtimin tonë lidhur me të drejtat e njeriut dhe, në veçanti, për të avancuar pozitën e minoriteteve në Kosovë. Edhe në të ardhmen do të punojmë për të avancuar pozitën e tyre, në pajtim me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Investimet publike kapitale të cilat janë duke u ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës lidhur me infrastrukturën rrugore në mënyre direkte do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Një infrastrukturë moderne, krijimi i kushteve optimale për biznes dhe popullsia me e re ne rajon, është një avantazh të cilin Kosova do ta shfrytëzojë në të ardhmen. Të gjitha këto do të ndikojnë në performancë më të mirë makroekonomike: uljen e bilancit negativ tregtar, rritjen e prodhimtarisë vendore dhe ngritjen e investimeve huaja.

Menaxhimi transparent dhe efektiv i buxhetit me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetareve mbetet një sfide dhe prioritet. Andaj, reformat e vazhdueshme lidhur me menaxhimin e parasë publike dhe krijimi i kushteve të favorshme për investime të huaja do t’i mundësojnë Kosovës një ekonomi të qëndrueshme, një ekonomi konkurruese evropiane.

Privatizimi i aseteve publike do të mundësojë që ndërmarrjet publike të rrisin efikasitetin dhe produktivitetin e tyre, dhe në këtë mënyre do të jenë mbështetëse të procesit zhvillimor të vendit.

Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të privatizoje Post-Telekomunikacionin e Kosovës, koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Realizimi i këtyre projekteve do të jetë shtytja më e madhe ekonomike për vendin tonë dhe faktikisht, zbatimi i tyre i suksesshëm nënkupton edhe përmbyllje të procesit të privatizimit të filluar shumë vite më parë.

Agjenda e BE-së

Më lejoni të riafirmoj pozitën e Qeverisë duke theksuar që ne jemi tërësisht të përkushtuar për procesin e Integrimeve Euro-Atlantike të Kosovës, si qëllimi ynë kryesor strategjik. Jemi plotësisht të vetëdijshëm që procesi i integrimit në BE është proces shumë kompleks që kërkon angazhim maksimal nga të gjitha sferat dhe dimensionet e shoqërisë sonë. Ne jemi të përkushtuar që të përqafojmë vlerat evropiane dhe të garantojmë paqen dhe sigurinë në rajon, si dhe të thellojmë bashkëpunimin me fqinjët rajonalë.

Në qershor Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Planin e Veprimit për Partneritet Evropian 2010, dokument strategjik ky i cili bashkërendon politikat tona krahas përgjegjësive që dalin nga Partneriteti Evropian dhe Raporti i Progresit për Kosovën. Ne e kuptojmë që agjenda e BE-së është agjenda jonë kombëtare dhe ne kemi marr hapa konkrete për të integruar Planin Kosovar të Veprimit për Partneritet Evropian në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës  dhe Planin e Qeverisë.

Qeveria që drejtoj unë është plotësisht e përkushtuar që të funksionalizojë tërësisht strukturat institucionale për integrim në BE. Këshilli Ministror për Integrim Evropian ka vazhduar të jetë forumi me i lartë qeveritar për të udhëzuar dhe drejtuar procesin e integrimit Evropian. Komiteti Punues ka vazhduar të ofrojë mbështetje më të lartë administrative lidhur me implementimin e prioriteteve të përcaktuara nga Këshilli Ministror. Qeveria do të vazhdojë drejt funksionalizimit të plotë të të gjitha strukturave qeveritare në fushën e integrimit evropian.

Ne jemi të përkushtuar që të zhvillojmë dhe zbatojmë strategjitë zhvillimore për Kosovën dhe të sigurohemi që agjenda zhvillimore dhe agjenda evropiane te jenë të integruara në një proces.

Në prill të këtij viti kemi mbajtur takimin e dytë të Forumit të Nivelit të Lartë me partnerët tanë nga komuniteti i donatorëve, dhe, siç jemi zotuar gjatë këtij takimi, së shpejti do te funksionalizohen të gjitha grupet punuese sektoriale dhe nsn-sektoriale të cilat do të rrisin efektivitetin e koordinimit të politikave dhe programeve të komunitetit të donatorëve drejtuar Kosovës.

Ne kemi ndërmarr masa dhe veprime konkrete ne lidhje me përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme dhe aprovimit te Ligjeve në fushën e sundimit të ligjit dhe që ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave.

Duke marrë parasysh progresin e arritur dhe rëndësinë e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës presim së shpejti udhërrëfyesin zyrtar për liberalizimin e vizave në mënyrë që përmbushja e kritereve nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës të vlerësohet në mënyrë transparente dhe ne bazë të rregullave të aplikueshme për çdo shtet në rajon.

Fillimi i dialogut zyrtar do të mundësojë që Kosova së shpejti të hyjë në Shengenin e Bardhë, proces i cili do t’i lehtësojë qytetarëve tanë që të udhëtojnë pa kufizime në vendet e BE-së.

Në këtë drejtim, dua të shfrytëzoj rastin që të ftoj Komisionin Evropian për të bërë vlerësimet e nevojshme për inicimin e këtij procesi.

Zonja dhe zotërinj,

Në fund, dëshiroj të shfrytëzoj rastin që edhe një herë të falënderoj përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme për institucionet e Kosovës për anëtarësim në familjen e madhe evropiane. E përsëris që Kosova është e gatshme të intensifikoj bashkëpunimin tonë për t’u ballafaquar me sfidat që janë para nesh.

Ju ftoj të gjithëve për diskutim të hapur dhe të dalim në fund të takimit me rekomandime që do të shërbejnë për ne, për t’i adresuar më mirë sfidat me të cilat po ballafaqohemi.

Ju faleminderit! 

Last modified: 6 Korrik, 2010

Comments are closed.

×