Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së policit të Kosovës, Enver Zymberi nga Dubovci i Vushtrrisë, që ndërroi jetë sonte

26 Korrik, 2011

Prishtinë, 26 korrik 2011

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së policit të Kosovës, Enver Zymberi nga Dubovci i Vushtrrisë, që ndërroi jetë sonte, si rezultat i plagëve të marra nga sulmi i turmave të dhunshme që tentuan të bllokonin vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare në veri të Kosovës, por që nuk ia arritën.

Në telegramin e ngushëllimit thuhet:

E nderuara familje Zymberi,

Me dhimbje të madhe morëm lajmin që polici i shtetit të Kosovës, Enver Zymberi, edhe përkundër përkushtimit të madh të ekipeve mjekësore, ndërroi jetë sonte, pas plagëve të marra nga sulmi i turmave të dhunshme që tentuan të bllokonin vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare në veri të Kosovës, por që nuk ia arritën.

Sakrifica e Enverit në mbrojtje të kufinjve të atdheut, të shtetit të Kosovës, do të mbetet përherë në kujtesën dhe zemrën e qytetarëve të Kosovës, duke identifikuar njëkohësisht përkushtimin e tij për mbrojtjen e lirisë dhe paqes në vendin tonë.

Vdekja e Enverit është një humbje e madhe jo vetëm për Policinë e Kosovës, por për mbarë popullin dhe institucionet e vendit.

Falë Enverit dhe policëve të kalibrit të tij të lartë, institucionet e Kosovës arritën të vëjnë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në pikat kufitare në veri të vendit.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta.

Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Last modified: 26 Korrik, 2011

Comments are closed.

×