Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi flet për RTK-në pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit: Jo 6-pikëshit, po EULEX-it

27 Nëntor, 2008

Prishtinë, 27 nëntor 2008

Sa i përket 6-pikëshit, Kosova është unike: ai është i papranueshëm për Kosovën; por është i mirëpritur EULEX, i cili do ta ketë mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës. EULEX nuk duhet të shihet si armik i Kosovës. Kështu është shprehur të enjten kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai ka thënë se me asnjë çmim dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit të shtetit. Në një intervistë për RTK-në, duke komentuar deklaratën presidenciale të Këshillit të Sigurimit për shtrirjen e EULEX-it.

Kryeministri Thaçi ka thënë se ajo është një deklaratë domethënëse që prezanton aspiratat për të ardhmen, dhe përpjekjet për paqe në rajon. Sipas tij, Kosova është njohur si shtet duke iu respektuar sovranitet dhe integriteti nga të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë. Ai ka thënë se EULEX do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës, dhe vetëm shtrirja e tillë e ndalon më të keqen.

6-pikëshi është i Beogradit.

“Qe 8 vite kemi struktura paralele, edhe paramilitarë, edhe shërbime inteligjente serbe në veri. EULEX ka qenë i ftuar dhe do ta ketë bashkëpunimin tonë të ngushtë. Shpërbërja e atyre strukturave do të ndodhë përmes respektimit të vendimeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri i vendit. Kryeministri Thaçi ka përsëritur se 6-pikëshi nuk ka të bëjë asgjë me institucionet e Kosovës.

Kryeministrit Hashim Thaçi theksoi se ai 6-pikësh është i Beogradit dhe projektet e Beogradit nuk do të mund të implementohen në asnjë pëllëmbë të territorit të Republikës së Kosovës.

“Ka ardhur para dy javësh, menjëherë kemi prezantuar opinionet, dhe proces më transparent se ky nuk ka pasur. Nuk ka qenë krejt e lehtë të prezantohet një qëndrim i tillë, i prerë dhe i palëkundur. Është hera e parë që ka një qëndrim të tillë unik dhe unikat në historinë e Kosovës, qëndrim të qartë i cili nuk do të ndryshojë”, ka theksuar z.Thaçi, duke shtuar se 6-pikëshi nuk është në tavolinat e institucioneve të Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se sikur të mos ishte qëndrimi i prerë i Kosovës dhe komunikimi i sinqertë dhe në bashkëveprim me institucionet ndërkombëtare, 6-pikëshi do të ishte futur në deklaratën presidenciale. Por sot 6-pikëshi është jashtë. Duke komentuar vlerësimin e Beogradit, kryeministri i vendit tha se të gjithë e dinë se çdo disfatë që e ka pësuar në Kosovë, Beogradi e ka paraqitur si fitore të tij.

Jo opinion negativ për Brukselin

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se në asnjë rrethanë nuk duhet lejuar krijimin e një opinioni negativ për Brukselin. Ai tha se obligim i lidershipit të Kosovës është kultivimi i marrëdhënieve të shkëlqyeshme me Uashingtonin, Brukselin, dhe vendet e tjera. “Ky është edhe vullnet i popullit të Kosovës. Populli i Kosovës nuk dëshiron konfrontim me Uashingtonin, NATO-n dhe BE-në”, u shpreh kryeministri Thaçi, duke porositur që në raport me Perëndimin në Kosovë askush të mos luajë. Z.Thaçi kujtoi se SHBA qëndrojnë fuqishëm në mbështetje të institucioneve dhe të popullit të Kosovës, gjithashtu edhe BE dhe NATO.

“Kam pasur përgjegjësinë të jem në të gjitha proceset vendimmarrëse për lirinë e Kosovës. Iu kam besuar SHBA dhe NATO-s. Gjithmonë, fjala e dhënë prej Uashingtonit ka qenë realizim. Sot Kosova veç sa e ka thelluar këtë bashkëpunim me SHBA-në dhe BE. Dhe tani të pretendosh të krijosh një opinionin negativ për këtë kontribut, është e patolerueshme dhe e papërgjegjshme”, tha kryeministri Thaçi, duke ftuar të gjithë njerëzit, edhe ata individë të opozitës, që t’i bashkohen Qeverisë së Kosovës në refuzim të 6-pikëshit.

“Ata flisnin për kritika ndaj qeverisë. Ato janë të vlerësuara nga ana ime, unë nuk dua të shpreh mllef, inat. Kam qenë vetë në opozitë, kam qëndruar deri në fund, kam marrë përgjegjësinë që më takon. Populli i Kosovës askënd nuk e ka votuar, qoftë 7 apo 10 për qind, për t’u konfrontuar as me SHBA, as me NATO-s, as me BE-në”.

Kryeministri Thaçi tha se Kosova është një: Jo 6-pikëshit, po EULEX-it në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Qeveria do të vazhdojë ta respektojë me përpikëri dokumentin e Ahtisarit.

JO-ja ishte e fortë

JO-ja e institucioneve të Kosovës ka qenë shumë e fortë, më e fortë se zërat dëshpërues që dalin sot. Nuk është koha e luftës për vota, koha e propagandave partiake. Me 6-pikësh askush s’mund të fitojë as të humbë ndonjë poen. “Do të ketë një sistem doganor, që parashihet edhe në dokumentin e Ahtisarit, një sistem policor dhe një sistem të drejtësisë. Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë ne kemi filluar të investojmë në veri. EULEX nuk do të bëjë mrekulli, por gradualisht do të fillojë ushtrimi i pushtetit të EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi në intervistën dhënë Televizionit Publik të Kosovës. 

Last modified: 27 Nëntor, 2008

Comments are closed.

×