Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: E ardhmja e sektorit të bujqësisë në perspektivën e zhvillimit ekonomik të Kosovës do të jetë shumë e suksesshme

14 Qershor, 2011

Prishtinë, 14 qershor 2011

I nderuar ministër Stavileci
I nderuar ministër Beqaj,
Të nderuar përfaqësues të Bankës Botërore, USAID-it, Komisionit Evropian,
Të nderuar kryetarë të komunave,
Të nderuar fermerë,
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të fermerëve, prodhues, përpunues dhe gjithë ju të pranishëm,

Më lejoni që në emrin tim personal dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’ju përshëndes në këtë konferencë, të rëndësishme për të ardhmen e bujqësisë kosovare në perspektivën e zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

Jam tejet i privilegjuar të marr pjesë në këtë konferencë duke e ditur rëndësinë që ka sektori i bujqësisë në zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të zhvillojë potencialet ekonomike të vendit, duke u kushtuar rëndësi të veçantë përkrahjes dhe rritjes së sektorëve kyçe siç është bujqësia.

Me këtë qëllim, gjatë mandatit tim të kaluar qeverisës, sektori i bujqësisë për herë të parë ka filluar të përkrahet në formë direkte nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne kemi shumëfishuar përkrahjen financiare për prodhimtarinë bujqësore, si dhe kemi krijuar infrastrukturë mbështetëse për zhvillimin e bujqësisë nëpërmjet investimeve kapitale edhe në shumë sektorë të tjerë.

Edhe përkrahja nga donatorët ka qenë dhe mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme në ngritjen dhe zhvillimin e këtij sektori, për çka edhe i falënderoj publikisht.

Rritja e mbështetjes për bujqësinë ka vazhduar edhe gjatë këtij viti, kurse  në planin tonë ekonomik për vitet e ardhshme, sektorin e bujqësisë e kemi radhitur në mesin e prioriteteve kryesore, dhe bazuar në Vizionin dhe Prioritetet e Zhvillimit Ekonomik, të miratuar nga Qeveria e Kosovës në muajin prill, këtij sektori do ti ofrohet mbështetje më e madhe financiare gjatë viteve të ardhshme.

Objektivat tona janë të orientuara drejt stabilizimit dhe zhvillimit të tregjeve nëpërmjet mekanizmave të tregut dhe nëpërmjet zbatimit të parimeve të ekonomisë së lirë, në mënyrë sa më korrekte dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Identifikimi dhe shfrytëzimi i përparësive krahasuese me vendet tjera, siç janë kapaciteti i subjekteve ekonomike dhe resurset natyrore të shtetit tonë, rrjedhimisht edhe optimalizimi i shfrytëzimit të këtyre resurseve, janë elementet themelore për mirëqenien dhe prosperitetin ekonomik të vendit tonë.

Prandaj, politikat qeverisëse me të cilat jemi duke operuar, mundësojnë shfrytëzimin e efektshëm të të gjitha resurseve zhvillimore dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojmë edhe më tej me reformat strukturore në sektorët ekonomik, me tërheqjen e investitorëve privat në sektorët strategjik dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm biznesor që stimulon iniciativën e lirë dhe që rritë investimet në fushën e bujqësisë, e cila konsiderohet si sektor potencial për të gjeneruar vende të reja të punës dhe për t’i zhvilluar zonat tona rurale.

Ndryshimin e strukturës dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik, Qeveria planifikon ta bëjë edhe nëpërmjet krijimit të pakove të reja fiskale, duke krijuar lehtësira dhe duke evituar edhe shumë pengesa administrative, në mënyrë që të stimulohet zhvillimi i papenguar i biznesit, i cili do të dërgojë deri tek rritja e eksportit dhe zëvendësimi i importit, që është esencial edhe për zbutjen e shpërpjesëtimeve makroekonomike.

Përderisa rreth 60% e popullatës kosovare jeton në zona rurale, edhe rëndësia e sektorit nënkuptohet që është shumë e madhe. Prandaj, jetësimin e programit qeverisës në fushën e bujqësisë do ta realizojmë duke i futur në lëvizje dhe interaksion të përbashkët të gjithë faktorët prodhues dhe partnerët agro-mjedisor ndërmjet nesh.

Kjo domosdoshmëri vjen jo vetëm nga nevojat tona për t’ju pasur juve partnerë, por nga rritja e influencës së komunitetit tuaj të agrobiznesit, si rezultat i pjekurisë me të cilën jeni duke i trajtuar vështirësitë e kohës kundrejt sfidave të ekonomisë sonë në zhvillim dhe konsolidim të vazhdueshëm.

Dhe, përderisa edhe sot po shoh që ky partneritet ka arritur të intensifikohet në masë shumë të madhe ndërmjet palëve të interesit edhe në lëmin e bujqësisë, jam shumë i bindur që ky sektor do të jetë edhe më frytdhënës dhe shtyrës i zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës. 

Jam i sigurt, se e ardhmja e sektorit të bujqësisë në perspektivën e zhvillimit ekonomik të Kosovës do të jetë shumë e suksesshme, nëse vazhdojmë të kultivojmë këtë partneritet, ngase vetëm në këtë mënyrë mund t’i tejkalojmë pengesat dhe të arrijmë suksese të përbashkëta.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me këtë politikë dinamike të partneritetit dhe ministri do të jetë gjithmonë në krye të obligimeve,si  dhe do ta keni mbështetjen e pakursyer.

Faleminderit!

Last modified: 14 Qershor, 2011

Comments are closed.

×