Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Çdo vit që kalon rrit përmasat e vlerave humanitare dhe emancipuese të luftës së drejtë të UÇK-së

25 Maj, 2012

Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e zbulimit të bustit të komandantit të UÇK-së, Xheladin Gashit, i njohur si komandant Plaku
 
E nderuara familje Gashi,
I nderuari Ali Ahmeti
Të nderuar ministra
Zëvendësministra
Bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar nxënës, arsimtarë dhe pedagogë,
Zonja dhe zotërinj,

 
Më lejoni që në emrin tim personal dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’iu përshëndet më urimin më të mirë, në këtë ditë të shkollës suaj.
 
Sot është festë për ju, është festë për të gjithë. Prandaj jemi bashkuar këtu të gjithë, edhe prej Kosovës, edhe prej shqiptarëve të Maqedonisë, Preshevës, Medvjegjës, Bujanocit, sepse komandant Plaku ishte i të gjithë shqiptarëve, dhe kontributi i tij jetësor ishte për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe për lirinë e të gjithë shqiptarëve.
 
Shtatë vjet më parë, në ditën kalendarike të fillimit të pranverës, Kosova mbeti pa një burrë të madh, pa një luftëtar të madh, pa një veprimtar dhe komandant të shquar.
 
Nga ne, u nda fizikisht atdhetari  Xheladin Gashi, i njohur si komandant Plaku.
 
Xheladin Gashi ishte veprimtar i hershëm i lëvizjes kombëtare, që nuk e rreshti aktivitetin patriotik në asnjë periudhë.
 
Xhelatin Gashi ishte njëri prej të parëve në lëvizjen kombëtare për liri dhe pavrasëri të Kosovës. Ai ishte njëri prej bashkëthemeluesve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe sot të gjithë ne, bashkëlufttërat e tij, dhe qytetarët e Kosovës e nderojmë dhe e kujtojmë me pietet të lartë.
 
Sot komandant Plakun e nderon dhe e respekton  shteti i Kosovës.
 
Ai ishte pedagog dhe mësimdhënës, që edukoi gjenerata të tëra në frymën e atdhedashurisë dhe ngritjes së ndërgjegjes kombëtare.
 
Xheladin Gashi ishte veprimtar që bashkëpunoi dhe bashkëveproi me personalitetet kryesore të UÇK-së, duke  u shquar për guxim, sakrificë, përkushtim, besnikëri dhe palodhshmëri në realizimin e idealit të tij, çlirimin e Kosovës.
 
Xheladin Gashi ishte edhe njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari.
 
Xhelatin Gashi dha kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e strukturave të UÇK-së, brenda në Kosovë, në diasporë.
 
Xheladin Gashi shtatë vjet më parë u nda nga jeta në kulmin e energjive dhe vullnetit për të bërë institucione efikase dhe funksionale në shërbim të shtetit të ri të Kosovës.
 
Ai mbeti besnik i parimeve të njeriut idealist, që mbi interesin individual, vë interesin kombëtar.
 
Komandant Plaku një jetë të tërë, mendoi, jetoi dhe veproi për të mirën e Kosovës.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Sot kur po shpalosim bustin  e komandant Plakut, kuptojmë edhe më mirë përmasat e personalitetit të Xheladin Gashit, dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës.
 
Xheladin Gashi ka hyrë në panteonin e shenjtë të historisë moderne të Kosovës.
 
Çdo vit që kalon thellon dhe e bën edhe më të shkëlqyeshëm luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare.
 
Çdo vit që kalon rrit përmasat e vlerave humanitare dhe emancipuese të luftës së drejtë të UÇK-së.
 
Çdo vit që kalon forcon edhe më shumë themelet e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.
 
Pa kontributin, mundin, djersën dhe gjakun e dëshmorëve tanë sot nuk do të ishim këtu ku jemi.
 
Kosova sot është shtet i pavarur, që çdo ditë po e forcon identitetin shtetëror dhe institucional.
 
Kosova e ëndrrave dhe idealeve të dëshmorëve, Kosova e Komandant Plakut,  është në rrugë të sigurt, ashtu si e dëshiruan ata që dhanë gjithçka për lirinë e saj.
 
Shtet i lirë dhe demokratik.
 
Shtet i orientuar drejt integrimeve euroatlantike, përkrahës dhe i përkrahur nga shtetet e demokracive më të fuqishme të botës.
 
Kosova është shtet demokratik, në rrugë të pakthyeshme të përparimit, modernizimit dhe nxënies së hapit me kombet e qytetëruara.
 
Zonja dhe zotërinj,
Qytetarë të nderuar,
Familje e nderuar e komandant Plakut

 
Ky bust i ngritur në oborrin e shkollës që mban emrin e Komandant Plakut, le të jetë edhe një shenjë më shumë e përkushtimit tonë për të nderuar dhe mbrojtur institucionalisht vlerat kombëtare dhe historike.
 
Kjo shtatore e Komandant Plakut le të jetë edhe një motiv më shumë për të gjithë ne që të punojmë edhe më këmbëngulësisht dhe me përkushtim për ndërtimin e shtetit tonë të ri, Kosovës së lirë dhe të pavarur.
 
Lavdi emrit, jetës dhe veprës së Xheladin Gashit, komandant Plakut dhe gjithë dëshmorëve të lirisë.
 
Ju faleminderit. 

Last modified: 25 Maj, 2012

Comments are closed.

×