Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Avancimi i perspektivës evropiane për Republikën e Kosovës me Studimin e Fizibilitetit – hapi i parë konkret, unik në mbështetje të shtetit të Kosovës

29 Shkurt, 2012

Prishtinë, 29 shkurt 2012

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi tha se kjo mbledhje e Qeverisë së Republikës së Kosovës e ka të veçantën e vet, sepse siç edhe e dini, dje edhe është konfirmuar nga Këshilli i Ministrave të BE-së, avancimi i perspektivës evropiane për Republikën e Kosovës me Studimin e Fizibilitetit. Ky është hapi i parë konkret, unik në mbështetje të shtetit të Kosovës – tha z. Thaçi.

“Kosova do të trajtohet si të gjitha vendet tjera, e barabartë, dhe ky hap, ky standard bëhet vetëm për vendet e pavarura dhe sovrane dhe të njohura ndërkombëtarisht, kjo do të bëjë shkurtimin e rrugës për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe do të vazhdohet me marrëdhëniet kontraktuale me BE-në” – u shpreh kryeministri Thaçi dhe shtoi se “tanimë  janë të konfirmuara edhe zyrtarisht votat e mjaftueshme për anëtarësimin e Kosovës në  Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim.

“Gjatë muajit mars, ne do të aplikojmë si Republikë e Kosovës, dhe do të respektojmë procedurat e rregullta që të bëhemi anëtarë të barabartë në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim Evropian” – tha kryeministri Thaçi

Qeveria ka miratuar Platformën Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë për vitin 2012. Sipas  zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë përcakton objektivat dhe interesat strategjike të Republikës së Kosovës, në fushën e sigurisë dhe prioritetet themelore të punës së AKI në kuadër të kompetencave të saj.

Po ashtu sot është miratuar nga Qeveria nisma për Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë. Ky proces i rishikimit sipas ministrit të FSK-së Agim Çeku do të përfundojë deri në vitin 2013 . kur pritet që të hiqen të gjitha kufizimet për FSK-n të parapara me planin e Ahtisarit.

Qeveria ka marrë vendim për themelimin e Komisionit Qeveritar për Rishikimin e akteve nënligjore të miratuara nga Qeveria dhe ministritë. Rishikimi ka për qëllim për të reformuar dhe bërë më të efektshme kornizën rregullatore që aplikohet ndaj aktiviteteve ekonomike private dhe duhet të përfshijë një rishikim të akteve nënligjore të nxjerra nga Qeveria, duke përfshirë edhe aktet nënligjore të nxjerra nga Ministritë.

Qeveria sot ka miratuar koncept dokumentet për plotësimin e dy ligjeve nga fusha e shëndetësisë. Është përkrahur ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Duhanin dhe ai për Transplantimin e Qelizave, Indeve dhe Organeve.

Qeveria ka ndarë 85,555.00 (tetëdhjetepesë mijë e pesëqindepesëdhjetepesë) euro për Ministrinë e Punëve të Jashtme, për Atasheun Ushtarak në misionin Diplomatik të Republikës së Kosovës në Uashington DC, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Me qëllim përkrahjen për zhvillimin e projekteve kapitale në Komuna, me qëllim të implementimit të ligjeve dhe Pakos Ahtisaari, Qeveria ka ndarë  mjete nga rezerva e buxhetit për Komunën e Shtërpcës, 400 mijë euro, Graçanicës 200 mijë euro dhe qëllim të vazhdimit të disa projekteve kapitale i ka ndarë 400 mijë euro për Komunën e Drenasit.

Qeveria ka marrë vendim për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ngastra kadastrale nr.600/6 zona kadastrale Polac, Komuna e Skenderajt.

Qeveria ka miratuar Draft Protokollin Teknik për zbatimin e konkluzioneve të pajtuara për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (M.I.K) nga Dialogu i 2 dhjetorit 2011.
 

Last modified: 29 Shkurt, 2012

Comments are closed.

×