Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Mustafa: Zhvillimi ekonomik prioritet i Qeverisë edhe për vitin 2016

11 Dhjetor, 2015

Prishtinë, 11 dhjetor 2015
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim ambasadorin e Kanadasë në Kroaci, jorezident për Kosovën, Daniel Maksymiuk.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe ambasadori Maksymiuk, biseduan për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë gjatë këtij viti dhe rezultatet konkrete të arritura në integrimet evropiane, në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, e fusha të tjera.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë ta ketë prioritet qendror zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e shtetit ligjor, integrimet evropiane si dhe reformat në kuadër të zhvillimit të vendit.

Kryeministri Mustafa çmoi mbështetjen e madhe që Kanadaja ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat, duke  shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçmas në fushën e zhvillimit ekonomik dhe investimeve kanadeze në Kosovë.

Ambasadori i Kanadasë,  Daniel Maksymiuk, vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e shtetit të tij për thellimin e relacioneve me Kosovën.

Ambasadori Maksymiuk, po ashtu, shprehu përkushtimin e Kanadasë për bashkëpunim në zhvillimin ekonomik dhe në mundësitë e investimeve nga bizneset kanadeze në Kosovë.

Last modified: 11 Dhjetor, 2015

Comments are closed.

×